Gjetin rrugën e rrjetës ndaj Skënderbeut, Emiljano Vila: Ja pse nuk festova te goli i parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 14, 2021 | 17:23

Gjetin rrugën e rrjetës ndaj Skënderbeut, Emiljano Vila: Ja pse nuk festova te goli i parë

Teuta e nisi mbarë fazën e tretë, duke marrë një fitore të pastër, 2-0, ndaj Skënderbeut, por nga mënyra si rrodhi ndeshja, rezultoi e vështirë. Protagonistë ishin Dejvi Bregu dhe Emiljano Vila te goli i parë, në limite trepikëshi u vulos nga eurogoli i Erando Karabecit.

Teutal

Një nga më aktivët në këtë sukses ishte Emiljano Vila, i cili në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, shprehu gëzimin e tij jo vetëm për golin që shënoi, por më shumë për trepikëshin e skuadrës. Ai shpreson që ekipi do të vijojë me këtë ecuri të momentit.

“Pas këtij suksesi që morëm në startin e fazës së tretë të gjithë ndihemi shumë mirë. Ndaj Skënderbeut krijuam shumë raste, bëmë një pjesë të parë perfekte. Patëm dhe disa raste në fund që u konkretizuan me perlën e Erando Karabecit. Gjithsesi, duhet të shohim përpara dhe duhet të shënojmë akoma më shumë”, u shpreh fillimisht Vila.

Më tej 32-vjeçari tregoi edhe arsyen pse nuk festoi te goli që i shënoi Skënderbeut: “Për golin ndihem mirë, pasi ishte një gol që na e bëri më të thjeshtë punën dhe e administruam siç duhet ndeshjen. Ndërsa për mosfestimin kjo ka lidhje për faktin se kam kaluar mirë në Korçë dhe ruaj respekt. Ndaj, për këtë arsye nuk festova”.

Vila Emiljano

I pyetur se si e shikon situatën e Teutës në luftën për titull, Emiljano Vila u shpreh: “Dy ndeshjet e radhës që na presin, janë një matës real për ne. Nëse marrim 6 pikë, atëherë do të vijojmë të jemi më afër objektivit tonë, që të jemi në krye. Këto dy fitore që morëm na kanë bërë që të ndihemi mirë, por në njëfarë mënyre është një shtysë për të marrë më shumë”.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"