Gjermania paqe me Francën, Lëv: Do t’i telefonoj Ozilit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2018 | 14:59

Gjermania paqe me Francën, Lëv: Do t’i telefonoj Ozilit

Gjermania e tij reagoi dhe ai e mori përgjigjen e parë pozitive pas eliminimit historik në Botëror se shpirti i “pancerave” të tij është aty. Por Joakim Lëv paralajmëron se ky është fillimi i një procesi gradual rindërtimi për t’u kthyer sërish në majë.

joakim lev

“Ndeshja luhej në rrethana shumë të veçanta. Mënyra sesi do të sillej skuadra në fushë ishte shumë e rëndësishme. Një gjë të tillë skuadra e bëri shumë mirë. Që ne patëm shumë zotërim topi, kjo ishte e dukshme. Francezët nuk sulmuan shumë lart. Por ishte shumë e rëndësishme që ne të tregoheshim kompaktë në mbrojtje dhe të mos u lejonim atyre shansin për të na kundërsulmuar”, tha trajneri i kombëtares gjermane.

“Kur francezët e fitojnë topin në hapësira ata janë jashtëzakonisht të rrezikshëm. Ne e penguam diçka të tillë. Tema jonë më e rëndësishme e diskutimit këto tri ditët e fundit ka qenë mbrojta. Dhe ky është një themel shumë i mirë. Të gjithë lojtarët ishin në lartësinë e duhur dhe shkuan deri në kufijtë që mund të arrish në këtë fazë fillim sezoni”, shtoi 58-vjeçari. Megjithatë, ai mohon se zhgënjimi i Botërorit të harrohet me një ndeshje.

“Do të ishte naive po ta besonim se Botërori do të harrohej me një ndeshje. Por në fund ne mund të rehabilitohemi për turneun e ardhshëm. Do të jetë një proces. Gradualisht duhet të përmirësohemi. Por në pjesën e dytë kishte disa situa ta ku ne ishim plotësisht atje ku duhet të ishim. Ndaj Francës ishte e rëndësishme që lojtarët me më shumë përvojë të ishin në fushë. Toni Kros, Mats Humels, Zherom Boateng apo edhe Manuel Nojer gjithashtu treguan klasin e tyre”.

ozil

OZIL
– Gazetarët e pyesin edhe për temën e Ozilit, për të cilin Jogi bën apelin e radhës: “Do të doja edhe unë ta dija përse nuk kemi mundur dot të komunikojmë deri më sot. Natyrisht që në aspektin personal jam i zhgënjyer. Kemi përshkuar një rrugë shumëvjeçare së bashku. Do ta provoj edhe një herë të marr iniciativën për të folur me të”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"