“Gjermania fiton veç po mësoi si luftohet”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2014 | 16:43

“Gjermania fiton veç po mësoi si luftohet”

Bekenbauer“Kajzeri” duket se ka gjetur faktorin që do ta ndihmojë Gjermaninë të bëjë hapin e madh dhe të qëndisë yllin e katërt në zemër. Në një intervistë për të përjavshmen prestigjioze “France Football”, Franc Bekenbauer ka shpjeguar se tre herë kampionëve të botës u mungon grinta. Për një lider si Bekenbauer, i cili në Botërorin e Meksikës në 1970 luajti me shpatullën e thyer një nga ndeshjet më të bukura të Botërorëve (Italia mundi Gjermaninë pas kohëve shtesë, 4- 3), loja e bukur nuk mjafton në një event si ky. Gjithashtu 68- vjeçari shikon gabime edhe në ftesat e bëra nga përzgjedhësi i “die Mannschaft”. Për të, fakti që Lëv ka grumbulluar vetëm një sulmues të pastër siç është Klose është një rrezik i madh.
Ju keni fituar me Gjermaninë Kupën e Botës si lojtar në 1974-n dhe si trajner në 1990- n. Si mendoni, a është loja e bukur një faktor që të garanton suksesin?
Vetëm loja e bukur nuk të dërgon gjëkundi. Mendoj se një skuadër si Gjermania ka plot veçori të tjera. Me kalimin e viteve kemi krijuar një reputacion. Ne kemi treguar se jemi nga ato ekipe që luajmë për të fituar deri në sekondën e fundit.
Po sot mendoni se Gjermania ka ruajtur të njëjtat vlera?
Tani lojtarët po mendojnë më shumë për anën estetike. Ata luajnë më bukur. Për mua, futbollistët tani rrëzohen shumë lehtë dhe menjëherë kthejnë sytë nga arbitri. Ata duhet të zgjohen dhe të përveshin mëngët.
Përveç mënyrës së lojës mendoni se Gjermania e ditëve të sotme ka ndonjë mangësi tjetër?
Fakti që në skuadër ndodhet vetëm një sulmues i pastër është një risk i madh. Pse të mos grumbullohej edhe Kisling? Krahu i majtë i mbrojtjes mund të kthehet në “Thembrën e Akilit” për ekipin tonë. Durmin nuk e njeh askush.
Çfarë mbani mend nga Botërori i 1974-ës dhe ai i 1990-ës?
Në 1974-n gjithçka ishte arkaike. Ishim të vendosur në një kazermë në Malente dhe që të takoja njerëzit kam hipur në një makinë policie, e cila me shoqëroi deri në qytet.
Kë takuat?
Është sekret. Ndërkohë që në 1990-n ishte gjithçka në një nivel tjetër, por nuk ka të krahasuar më sot. Tani lojtarët mbrohen e llastohen. Rrjetet sociale nxjerrin gjithçka në shesh. Më parë gazetarët dinin shumë, por nuk publikonin gjithçka.
Në fund duam një mendim mbi këtë brez lojtarësh. Mendoni se kanë shumë shanse për triumfin final?
Për këtë gjeneratë është shansi i fundit që të fitojnë një titull të madh. Franca nuk ka Riberinë. Portugalia luan me një Ronaldo që nuk është në formën e tij më të mirë. Ndërkohë që Brazili është nën presion. Shanset janë për Gjermaninë. Edhe pse kjo e fundit duhet të fillojë të mësojë se si luftohet.
Përgatiti: ALTIN VORPSI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"