Gjermani-Francë, Lëv luan shansin e fundit në stot: Do t’i sulmojmë , na duhen tri pikët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2018 | 9:28

Gjermani-Francë, Lëv luan shansin e fundit në stot: Do t’i sulmojmë , na duhen tri pikët

Nga Amsterdami në Paris, sonte në orën 20:45, skuadra e Gjermanisë do të luajë ndeshjen e tretë në Ligën e Kombeve. Pas humbjes 3-0 ndaj Holandës të shtunën, skuadra e Joakim Lëv kërkon të tregojë se sa vlen përballë kampionëve të botës, Francës. Trajneri gjerman ndodhet në buzën e greminës dhe një rezultat tjetër negativ do ta vinte shumë në diskutim të ardhmen e tij në stolin e kombëtares gjermane.

Lev

Pas disfatës ndaj holandezëve, të shumtë ishin ata që kërkonin largimin e tij duke ia faturuar atij humbjen në Amsterdam. Trajneri dhe lojtarët tani ndodhen nën presion dhe nëse ndaj “gjelave” nuk do të vijë një rezultat i mirë, atëherë situata do të rëndohet edhe më shumë. Por, trajneri Lëv beson se skuadra e tij do të dijë të reagojë pas humbjes me Holandën.

Pyetjes nëse rrezikon shkarkimin, trajneri refuzoi t’i përgjigjet duke deklaruar se ndaj Francës do të jetë shansi i fundit për të ndenjur në grupin e parë. Ndërkohë, nuk ka munguar edhe një replikë për Lotar Mateusin. Ishlojtari i kombëtares gjermane akuzoi portierin Nojer për pasiguri të shfaqura në ndeshjet me “pancerat”. Por, Lëv doli hapur në mbrojtje të kapitenit të tij duke zbuluar edhe një detaj të rëndësishëm. Nojer do të jetë sonte nga minuta e parë pavarësisht kritikave të Mateus.

joachim-low

Si është situata në skuadër?

Sigurisht që humbja me Holandën ishte shumë e dhimbshme për të gjithë ne, lojtarët, trajnerët dhe mbi të gjitha për të tifozët tanë, të cilët kishin ardhur për të na mbështetur. Një mbështetje që nuk ka munguar edhe në të shkuarën. E dija që rruga jonë për t’u ngritur në nivelin ku na takon nuk do të ishte e lehtë. Është një proces nga i cili do të marrësh shumë goditje rrugës. Kemi analizuar çdo gjë me lojtarët dhe kemi folur për gjërat që nuk shkuan mirë në atë takim. Në 30 minutat e para kishim lojën nën kontroll. Kohët e fundit nuk kemi qenë shumë të sigurt duke shfaqur një pasiguri në momente të veçanta gjatë lojës. Krijuam shumë sulme përpara, por fatkeqësisht nuk arritëm t’i shfrytëzonim siç duhet. Besoj se kemi marrë mësimet nga gabimet në ndeshjen me Holandën. Tani duhet të mbledhim të gjithë forcën tonë dhe të bëjmë mirë në ndeshjen e nesërme (sotme).

Do të bëni ndryshime?

Nga ana taktike dhe atë të lojtarëve do të ketë disa ndryshime. Duhet të ndryshojmë në këtë pikëpamje. Ndaj Holandës ishim shumë të ekspozuar në momentet e kundërsulmit, sidomos në fundin e ndeshjes ku pësuam edhe dy gola të tjerë. Franca është më e rrezikshme në këtë aspekt. Investuam shumë për sulmin duke neglizhuar mbrojtjen. Nesër (sonte) do të kërkojmë të sulmojmë kundërshtarin. Kur humbet me rezultatin 3-0, është normale të mendosh për të ndryshuar njërin ose tjetrin lojtar. Manuel Nojer nuk do të preket dhe do ta nisë lojën nga minuta e parë. Ai është kapiteni ynë dhe kemi nevojë për eksperiencën e tij.

joachim_low_germany_59536

Çfarë mendoni për kritikat ndaj jush?

Duhet të qëndrojmë të bashkuar, kjo është e qartë. Për mua është e rëndësishme të motivoj lojtarët dhe të marr masat e duhura. E kisha të qartë që pas humbjes në Amsterdam do të kishte kritika ndaj meje dhe skuadrës, kjo është normale. Por nuk preferoj të flas për vete. Ndeshja ndaj Francës ka rëndësi për mua, pasi duam të tregojmë vlerat tona. Është shansi i fundit për të bërë mirë në grup dhe për të pasur një mundësi shpëtimi. Kjo është detyra jonë, pjesa tjetër nuk më intereson. Me presionin mund të punoj shumë mirë, ashtu siç e kam bërë edhe në momente më të vështira.

Do të thoni që nesër do të luani për fitore?

Nuk kemi rrugë tjetër, na duhen pikët pavarësisht ndaj kujt luajmë. Jemi Gjermania dhe këtë duam ta tregojmë edhe nesër (sonte) në Paris.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"