Gjergj Ruli, apel shtetit shqiptar: Luiza Gega të marrë apartament si Ilir Suli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2022 | 22:25

Gjergj Ruli, apel shtetit shqiptar: Luiza Gega të marrë apartament si Ilir Suli

Për vite me radhë, paraqitjet e Luiza Gegës janë gjithnjë në ngritje, një kampione që po tregon formë të jashtëzakonshme në evenimentet e rëndësishme ndërkombëtare. Atletja kuqezi i përket absolutisht elitës së Europës dhe është mes më të mirave të Botës, gjë që e konfirmojnë më së miri rezultatet fantastike, me Gegën që nuk del kurrë nga norma kualifikuese botërore.

gjergj ruli

Suksesi më i fundit vjen nga Lojërat Mesdhetare, aty ku 33- vjeçarja fitoi medaljen e artë në 3000 metra me pengesa, duke stampuar rekord të ri kombëtar dhe mesdhetar, për të ngjitur flamurin kuqezi në shkallën më të lartë të podiumit. Në prag të Kampionatit Botëror që do të mbahet në SHBA në Oregon, presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli, në një prononcim për “Panorama Sport”, flet fillimisht për formën e jashtëzakonshme të kampiones kuqezi:

“Pavarësisht se unë jam trajner i Izmir Smajlajt, asnjëherë nuk e kam ndarë Luizën dhe jam shprehur gjithmonë se ajo është diamanti i atletikës shqiptare. Sot më tepër se kurrë ajo është motori i këtij sporti. Fatmirësisht, së bashku me trajnerin Taulant Stermasi, i cili i palodhur, ka lënë çdo lloj pune dhe merret vetëm me Luizën, duke u bërë një trup me të. Tashmë është radha e Botërorit në Amerikë dhe po interesohem vazhdimisht që ta presin sa më mirë atje dhe të ndihet si në shtëpinë e saj. Ne të gjithë duam që Luiza të bëjë një mrekulli edhe në Botëror”, thotë Ruli.

Kreu i FSHA-së i bën apel shtetit që ta mbështesë atleten, ashtu sikurse bëjnë edhe vendet e tjera me kampionët, teksa thotë se Gega meriton një apartament, si shpërblim për kontributin e jashtëzakonshëm që po jep në përfaqësimin e Shqipërisë: “Të gjithë duhet ta dinë se sa shumë punon Luiza. Ajo meriton shpërblim, jo vetëm me para, sepse paranë nuk e ha as qeni dhe unë nuk jam tifoz lekësh. Luiza Gega meriton një apartament për atë që i ka dhënë vendin. Duhet të vlerësohet si gjithë atletët e mëdhenj të shteteve të tjera. Duhet të vlerësohet nga shteti, ashtu sikurse mori shtëpi edhe ish-peshëngritësi Ilir Suli vite më parë. Edhe Luiza Gegës i takon një shtëpi.

LUIZA GEGA

Luiza nuk është nga Tirana, është një vajzë dibrane, e cila meriton shumë. Mendoj që asnjë atlet dhe sportist nuk mund të xhelozojë për të. Luiza Gega sot për sot është guri më i rëndë që ka sporti në Shqipëri. E para është një federatë që ka 213 shtete dhe kemi një garë që ka audiencë të llahtarshme. Nuk dua të zbeh peshëngritjen, boksin apo mundjen, por atletika mbetet atletikë”, përfundon Ruli.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"