Gjendja e rënduar pas rezultateve negative, Teuta vendos heshtje për shtyp

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2017 | 11:19

Gjendja e rënduar pas rezultateve negative, Teuta vendos heshtje për shtyp

Humbjet e fundit nuk janë kapërdirë dot nga drejtuesit dhe stafi teknik i Teutës. Nga sot, durrsakët janë në heshtje shtypi me motivacionin se: “Duan të përgatiten të qetë dhe larg mediave për ndeshjen e radhës ndaj Skënderbeut”.

Teuta

“Djemtë e detit” e nisën mjaft mirë kampionatin duke regjistruar dy fitore në dy takimet e para, por më pas filloi “rënia”, duke grumbulluar vetëm 1 pikë në katër ndeshjet e fundit. Trajneri shfaqi hapur pakënaqësitë e tij për rezultatet e fundit dhe veçanërisht për përballjen me Kukësin, ku reparti defensiv u shpërfytyrua me portierin Kastrati që pësoi katër gola.

Pas një dite pushim, të akorduar nga stafi teknik të mërkurën, durrsakët filluan përgatitjet në terren për ndeshjen e radhës me Skënderbeun, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Niko Dovana”. Peqinasi e nisi seancën stërvitore me një analizë që në fokus kishte disfatën e fundit.

Ndër të tjera Magani kërkoi nga skuadra të kthehet me “këmbë në tokë” dhe të rikthehet te rezultatet pozitive, pasi pavarësisht kundërshtarit një hap tjetër fals do të ishte shkatërrues për bregdetarët, edhe pse përballë kanë një kundërshtar dinjitoz që po kalon një moment mjaft të mirë në kampionat dhe në këto takime ka treguar se nuk ka rivalë.

Situata është e rënduar dhe Maganit, përveç përgatitjeve tekniko-taktike, i duhet ta përgatisë ekipin edhe në aspektin psikologjik, pasi një pjesë e mirë e lojtarëve janë të rinj dhe nuk mund të përballojnë presionin që sa vjen edhe rritet më shumë.

DRILON XHEPOLLARI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"