Gjashtë përforcime për Tomorin, beratasit me surpriza në start/ Trajneri Sinella: Misioni nuk ndryshon, ngjitemi në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 10, 2021 | 12:46

Gjashtë përforcime për Tomorin, beratasit me surpriza në start/ Trajneri Sinella: Misioni nuk ndryshon, ngjitemi në Superiore

Konfirmime dhe afrime, ka qenë kjo “panorama” e seancës së parë stërvitore të beratasve. Tomori ka nisur dje zyrtarisht nga puna për sezonin 2021-2022 dhe veç ruajtjes së boshtit të vjetshëm, ra në sy edhe disa përforcime të rëndësishme.

Tomori

Veç Endrien Maganit që është bërë publik prej ditësh, nën urdhrat e Bledar Sinellës ishin edhe Erald Kolgega dhe Plarent Fejzaj që vijnë pas një eksperience te Dinamoja e sapongjitur në elitë, Silvio Vokrri që është aktivizuar te Kastrioti, por edhe Vladimir Saraçi e Nikolas Karakashi nga Naftëtari.

E megjithatë, ky është vetëm fillimi. Merkatoja mbetet e hapur dhe drejtuesit kanë filluar kërkimet, për të kompletuar organikën. Stërvitja nisi me 24 lojtarë, ndërsa nga titullarët e vjetshëm në fushë ishin emra si Oltian Harremi, Mikel Canka, Ervis Çaço, Brunild Pepa, Ariel Dobra dhe Genaldo Sharavolli. Në klub po vazhdojnë negociatat për rinovimet e kontratave, ndaj grupi do të pasurohet.

Tomori Berat

SINELLA – Bledar Sinella flet për të parën herë pas “bekimit” që mori nga kryebashkiaku. Ervin Demo e rikonfirmoi në stol dhe trajneri garanton se Tomorit do ta nisë aty ku e la. Nëse vjet ishin vetëm pak metra larg ngjitjes, këtë herë ai me bindje e thotë: “Do t’ia dalim”.

Sinella Tomori

Gjatë një deklarate të dhënë enkas për gazetën, numri një i pankinës u shpreh: “E rinisim aty ku e lamë. Pas një sezoni rezultat, jemi këtu për të vijuar me të njëjtin mision. Do i shërbejmë me potencial dhe profesionalizëm maksimal, për të ndërtuar një nga skuadrat më të mira në Kategorinë e Parë.

Objektivi do të jenë i njëjti: ngjitja. Personalisht më duhet të falënderoj klubin dhe presidentin Ervin Demo që më dhanë besimin për të drejtuar skuadrën. Me këtë mbështetje, jam plotësisht i bindur që do të përsëris veten. Ashtu si vjet, do jemi mes skuadrave më të mira dhe pretendente. Duke pasur në përbërje boshtin e sezonit të kaluar dhe përforcimet e reja, do t’u shërbejmë objektivave tanë madhorë.

Ata janë në sinkron me kërkesat dhe dëshirat e tifozërisë beratase, që do të jetë faktori kyç në rrugëtimin tonë. Gjatë kësaj jave synojmë që të kompletojmë organikën me afrime cilësore, por në të njëjtën kohë do të vazhdojmë edhe me seleksionimin e futbollistëve. Megjithatë, merkatoja do të jetë e hapur deri në limitet e saj zyrtare”, përfundoi kavajasi i stolit beratas, i cili dje ishte i vetëm. Stafi teknik nuk është kompletuar ende, pasi përzgjedhja do të bëhet sipas “meritokracisë”.

TË PRANISHMIT NË STËRVITJEN E PARË TË KONFIRMUAR

1. Oltian Harremi

2. Ervis Çaço

3. Endrit Marku

4. Paolo Kasmollari

5. Ledion Ruço

6. Brunild Pepa

7. Ariel Dobra

8. Mishel Toska

9. Mario Barjamaj

10. Genaldo Sharavolli

11. Mikel Canka

12. Klevis Shaqe

13. Kristian Pushi

AFRIME

1. Endrien Magani

2. Erald Kolgega

3. Plarent Fejzaj

4. Silvio Vokrri

5. Vladimir Saraçi

6. Nikolas Karakashi

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"