Gjashtë “ish”-ë te Tomori, Gjyla “snobon” rivalët: Ndeshje radhe, të tregojmë se jemi më mirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2020 | 15:05

Gjashtë “ish”-ë te Tomori, Gjyla “snobon” rivalët: Ndeshje radhe, të tregojmë se jemi më mirë

Lushnja vazhdon përgatitjet për derbin me Tomorin. Qëllimi është i qartë, kërkohet fitorja dhe ruajtja e kreut. Derisa luajnë në stadiumin “Roza Haxhiu”, verdhejeshilët nuk duan që t’i diskutojnë. Vetë Ilir Gjyla pret maksimumin nga kjo javë e 4-t, por mundohet që të shtensionojë disi situatën.

gjyla

Në një prononcim të dhënë për gazetën “Panorama Sport” trajneri Ilir Gjyla u shpreh se nuk i pëlqejnë fryrjet dhe e quan një ndeshje të radhës. “Unë do ta quaja ndeshje të radhës, por shoh që po mundohen shumë ta fryjnë, në një aspekt apo në një tjetër… megjithatë unë dhe e gjithë skuadra ime do të mundohemi ta quajmë ndeshje të radhës.

Një përballje për t’u luajtur mirë dhe për t’u fituar. Pa diskutim që pikët merren vetëm nëse jep maksimumin në fushë ose je më i mirë se kundërshtari. Nëse nuk je, atëherë fitojnë ata. Mua nuk më pëlqejnë fryrjet. Nuk ka asgjë për të thënë, jo po kemi lushnjarë përballë… Pastaj nuk është hera e parë që këta lushnjarë luajnë kundër Lushnjës. Para dy sezonesh ishin pjesë e Egnatias, sezonin e kaluar ishin pjesë e Lushnjës, tani janë pjesë e Tomorit.

gjyla

Do të ikin prapë nga Berati e do të vijnë prapë te Lushnja ose do të shkojnë në Fier e Gjirokastër. Kështu e ka futbolli, nuk ka asnjë problem. Nuk ka nevojë për fryrje, thjesht duhet të zbresim në fushë e ta luajmë. E respektojmë kundërshtarin dhe aq më tepër Tomorin, që e njohim.

Ka brenda cilësi, futbollistë që e nxjerrin golin edhe nga ‘xhepi’. Mund të vraposh gjithë ditën, por po nuk dite të konsolidosh, nuk konsolidon dot. Por, para se të respektojmë ekipin që do të kemi përballë, të respektojmë veten”, u shpreh numri një i stolit verdhejeshil.

DËMTIMET

Lushnja ka disa futbollistë të dëmtuar, të cilët ende nuk janë gati. Këto ditë që kanë mbetur do të jenë një luftë me kohën, që të rikuperohen dhe të jenë nën urdhrat e stafit teknik për derbin e së shtunës.

E megjithatë, vetë trajneri ka pak shpresa. “Për këtë pjesë vazhdojnë dëmtimet. Ketë javë nuk kemi Musakun, Bashën, brazilianin Luis da Silva, Monen, Dervishin. Mund të na rikthehet Xeka, por e sigurt është që na mungon Musaku”, përfundoi Gjyla.

ALBAN ALUSHI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"