Gjashtë afrime te Lushnja, Duro: Dua punë dhe disiplinë. Ky qytet është burim talentesh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 20, 2022 | 0:21

Gjashtë afrime te Lushnja, Duro: Dua punë dhe disiplinë. Ky qytet është burim talentesh

Lushnja e Klodian Duros “zbarkon” në fushë. Prej orës 18:00, 25 lojtarët u vendosën nën urdhrat e trajnerit të ri. Seanca e parë solli surpriza.

klodian duro

Nëse nga futbollistët që mbyllën sezonin ishin të pranishëm Mikel Kaloshi, Mikel Spaho, Endrien Magani, Mikel Canka, Florian Daci, Adriatik Basha, Ergys Alushi e Melis Haxhiu, pati edhe afrime të reja. Në shtëpi janë kthyer mbrojtësi Ledion Ruço dhe sulmuesi Brunild Pepa, që vitin e kaluar luajtën te Tomori. Kishte ardhur edhe mbrojtësi Marjus Korreshi nga VFR Manheim, por edhe Xhonatan Hila i Shkumbinit, Henri Rançi apo Mateo Mezani prej Partizanit U-21. Nga skuadra e të rinjve u stërvitën me ekipin e parë emra si: Fabio Qorri, Albi Qorri, Ledion Sadiku, Damiano Arapi, Emanuel Kurti, Gersian Sharka, Amarildo Hajdari, Paolo Nushi, Xhulio Nushi, Agim Saraçi.

DURO – Pas përfundimit të seancës, trajneri Klodian Duro dha edhe prononcimin e parë për “Panorama Sport”. Shpalosi edhe një herë misionin dhe foli për pritshmëritë që ka nga merkatoja. “Çdo gjë është shumë mirë. Atmosfera ishte pozitive, duke filluar nga tifozët. Pjesë e organikës janë disa nga lojtarët që ishin vjet, por mirëpresim edhe të gjithë lushnjarët që kanë qejf të jenë pjesë e projektit tonë. Kjo është ajo mënyra e vetme që t’i rikthehemi traditës së Lushnjës.

Sot (dje) është vetëm dita e parë, dalëngadalë do të marrim formë. Ky qytet është një burim talentesh dhe unë e di këtë dhe ne do i kemi në konsideratë. Do u japim të gjithëve mundësinë, që të jenë pranë ekipit të parë, të shprehen. Të gjithë të rinjtë që kishim në fushë, u impenjuan dhe shfaqën dëshirë. Bashkë me presidenten Eriselda Sefa, kemi rreth një muaj që merremi me organizmin. Donim të fillonim ashtu siç duhet, si një ekip profesionist. Kjo është rruga e vetme për të shkuar drejt misionit tonë.

Puna dhe disiplina do të na çojnë aty ku duam ne. Kemi ende shumë punë për të bërë përpara. Nuk përjashtojmë mundësinë që të kemi lëvizje dhe prurje të reja. Kemi nevojë për të forcuar ekipin. Synimi ynë dihet, është të kapim pjesën e sipërme të tabelës. Pse jo, të jemi në krye dhe rikthejmë Lushnjën aty ku i takon. Të jemi të gjithë bashkë, me këta tifozë të mrekullueshëm që ka Lushnja”, deklaroi trajneri Duro.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.Al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"