Gilman Lika: Nënvlerësuam disi, por e përmbysim sepse kemi ekip më të mirë se Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 30, 2017 | 11:50

Gilman Lika: Nënvlerësuam disi, por e përmbysim sepse kemi ekip më të mirë se Tirana

Gilman Lika u rikthye të luante si “ish” ndaj Tiranës dhe, pavarësisht disfatës me dy gola, nuk dorëzohet në lidhje me kualifikimin. Kapiteni i Vllaznisë deklaron për mediat se shkodranët do të kthejnë rezultatin, pasi janë më lart.

lika karabeci

“Normalisht që ishte ndeshje e vështirë. Edhe pse Tirana është në të Parën, nuk është ekip për atë kategori. Megjithatë, ndikoi shumë edhe ngjeshja e kampionatit në anën fizike tonën, pasi kemi pasur dy ndeshje shumë të vështira. Kam përshtypjen që kishte një lloj nënvlerësimi. Do të mjaftoheshim me barazim, duke qenë se gjithçka vendoset në Shkodër. E kishim menduar që të mbanim rezultat pozitiv, 0-0 apo minimumi për ne do të ishte të shënonim 1 gol”, u shpreh ishmesfushori i bardhebluve.

Një skuadër me traditë si Vllaznia, nuk mund të pranojë të tilla nënvlerësime, mirëpo Lika tregon arsyet. “Nuk është tamam nënvlerësim, por do të thosha një lloj neglizhence në momente të caktuara. Kjo, edhe për gjendjen fizike. Them që Vllaznia sot (dje) nuk ishte në nivelin e duhur që ne kërkojmë”, theksoi shkodrani.

Vllaznia pësoi dy gola në kryeqytet dhe në Shkodër do t’i duhen të paktën dy të tillë për ta çuar ndeshjen në shtesë, por Gilman Lika nuk dorëzohet dhe shprehet se asgjë nuk ka përfunduar. “Jo, nuk mund të them se ‘i kemi larë duart’. Normalisht që është rezultat i vështirë, por do të bëjmë të pamundurën që të tregojmë nivelin e duhur dhe të kthejmë rezultatin. Për ne ka ende shpresë për kualifikim”, shprehet Lika. Ai e përforcon këtë ide, me rikthimin e të dëmtuarve.

“Mendoj se do të kemi tjetër nivel në Shkodër dhe jam i bindur që, me kthimin e futbollistëve të dëmtuar, do të bëjmë një tjetër paraqitje. Siç e dini, sot (dje) trajneri kishte bërë disa zëvendësime dhe një lloj rrotacioni prej mungesave të detyruara për probleme fizike. Ne kemi ekip më të mirë se Tirana dhe nuk është çudi nëse do ta kthejmë rezultatin. Diferenca? Jo për justifikim, por kishte disa arsye që ne nuk treguam diferenca me Tiranën sot (dje)”, deklaroi kapiteni i Vllaznisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"