Gerti Shima apel për ndryshimin e situatës: Tiranë, nuk sakrifikoj më!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2019 | 23:03

Gerti Shima apel për ndryshimin e situatës: Tiranë, nuk sakrifikoj më!

Tirana në basketboll për meshkuj mbylli një sezon të vështirë mes problemesh financiare, por që falë “gardës së vjetër”, skuadra arriti t’i realizojë objektivat, duke mos e vënë në diskutim për asnjë çast rënien nga kategoria.

gerti shima

Madje, bardheblutë u renditën në vend të katërt dhe zhvilluan ndeshje mjaft të bukura edhe në “PlayOff”, ndonëse luanin pa rroga. Një prej pikave kyçe të Tiranës, që sakrifikoi gjithë sezonin për t’u qëndruar besnik bardhebluve, ishte Gerti Shima. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Shima rrëfen kampionatin që lamë pas, ku përtej problemeve të mëdha, Tirana, ia doli. Megjithatë, ai deklaron se nëse situata në klub nuk ndryshon, këtë herë ai do të kërkojë zgjedhje të tjera, ashtu sikurse do të bënte çdo profesionist. Shima, gjithashtu, komenton finalet dhe numrin e madh të lojtarëve të huaj që kanë “pushtuar” Superligën. SEZONI 2018-’19 “Duke pasur parasysh sesi rrodhën ngjarjet, mund të them që ishte një sezon i suksesshëm, pasi të gjithë prisnin apo donin që Tirana të binte nga kategoria, por nuk e lejuam diçka të tillë. Ne kishim besim dhe të gjithë bashkë qëndruam në skuadër në këto momente të vështira, arritëm jo vetëm të përmbushnim objektivin e qëndrimit në Superligë, por arritëm edhe në ‘Play-Off’, ku bëmë një gjysmëfinale shumë të mirë ndaj Gogës, duke fituar një nga tri takimet që zhvilluam. Të gjithë prisnin të shikonin Tiranën që të humbte çdo ndeshje, por ne bëmë një kampionat shumë të mirë, ndonëse ishim ekipi i vetëm që nuk kishim lojtarë të huaj në përbërje. Kështu që arritëm të bënim diçka që ekipe me buxhet shumë më të madh nuk e bënë”, tregon kapiteni i Tiranës për sezonin që përfundoi. Më pas, 33-vjeçari shton: “Të gjitha ndeshjet ku ka luajtur Tirana, si brenda dhe jashtë fushe, interesi nga tifozët ka qenë gjithmonë maksimal, ku kemi luajtur në salla të mbushura. Kështu që mund të themi që ishte një edicion tepër pozitiv, duke pasur parasysh rrethanat se ku ndodheshim. Tiranën do ta quaja ekipin surprizë të kampionatit, pasi fituam ndeshje ndaj rivalëve që luanin me shumë lojtarë të huaj, si Goga Basket, Partizani apo Vllaznia. Ndonëse Tirana kurrsesi nuk mund të kënaqet me vendin e katërt, me një finale superkupe apo me një shpëtim nga kategoria, por me mundësitë që kishim, ashtu sikurse ndodhën ngjarjet në fillim të sezonit ku u shkatërrua një ekipi i ndërtuar për dy vite, mund të them që u bë maksimumi”.

E ARDHMJA

Situata në kampin bardheblu vazhdon të jetë e paqartë dhe ende nuk dihet nëse kjo gjendje do të ndryshojë. “Momentalisht është një periudhë pushimi, gjë që vetëm këtu në Shqipëri ndodh që të bëhet kaq e gjatë, pasi një ekip profesionist nuk mund të qëndrojë më shumë se 3-4 javë pushim.

Personalisht po stërvitem në palestër, ndërkohë që mblidhemi rreth 3 herë në javë me të gjithë djemtë e skuadrës për të zhvilluar ndonjë ndeshje, në mënyrë që të jemi në kontakt me topin”, thotë Shima, i cili më pas flet për të ardhmen e tij: “Edhe në që jemi pjesë e Tiranës jemi konfuzë, pasi ende nuk ka asgjë konkrete. Unë personalisht, sakrificën që bëra vjet me Tiranën, nuk besoj që do ta bëj përsëri këtë vit, në qoftë se do jenë sërish të njëjtat kushte.

Do presim deri në një moment apo afat pas bisedimeve me klubin e më pas do të shikoj se çfarë do të bëj për të ardhmen. Për momentin, jam duke pritur Tiranën, ashtu sikurse edhe shumë lojtarë të tjerë. Disa gjëra duhen vendosur që tani, sepse nëse duam që të bëjmë një ekip kualitativ për vitin tjetër e të luftojmë për titull, projekti duhet të fillojë që tani. Por siç e thashë, për momentin mbizotëron një qetësi absolute dhe nuk kam asnjë kontakt me klubin apo jashtë tij”.

FINALET DHE TË HUAJT

“I kam ndjekur finalet nëpërmjet televizionit dhe mund të them që kemi pasur një rritje cilësie, por gjithmonë duke u bazuar te lojtarët e huaj, pasi nuk kishim ndonjë prurje të re nga basketbolli shqiptar, përveç Hysenagollit, Laskut ose të ndonjë tjetri. Janë lojtarë, të cilët kanë mbi 10 vite që janë protagonistë. Pamë finale të bukura, por ajo që pritet në fillim të çdo sezoni, që të kemi ndonjë prurje të re, nuk po ndodh prej shumë vitesh. Lojtarët e huaj normalisht që sollën kualitet dhe cilësi, por, përveç kësaj, ne nuk arritëm të fitojmë asnjë lojtar në fund të këtij sezoni dhe kjo është diçka problematike”, rrëfen lojtari kryeqytetas.

“Është një brez që luan mbi 10 vite dhe do të jetë një katastrofë kur të vijë momenti që këta lojtarë të shkëputen nga basketbolli. Shpresoj që këto investime që po bëhen si nga dy ekipet e Durrësit apo edhe nga Vllaznia të kenë një objektiv apo një vizion të qartë. Edhe Tirana ishte dy vite me financa shumë të mira, por ndoqëm rrugën për t’u bazuar te lojtarët vendës, ku kishim vetëm dy të huaj.

Kështu që shpresoj që edhe këto ekipe të mos e fokusojnë vëmendjen vetëm te lojtarët e huaj, pasi në rastin e parë që do kenë probleme financiare, do të jetë shumë e vështirë për ta, ashtu siç ishte Tirana këtë vit. Ne, fatmirësisht, kishim disa lojtarë që qëndruam besnikë dhe e mbyllëm sezonin brenda objektivave. Një situatë e tillë ndodhi te Vllaznia, e cila kishte tri vite që merrte vetëm lojtarë të huaj, duke anashkaluar lojtarët vendës dhe kjo gjë i kushtoi kësaj skuadre të rrezikonte seriozisht rënien nga kategoria, ku me fat arriti të qëndrojë”.

Në fund, Shima është i mendimit se duhet patjetër të ketë një kufizim të numrit të lojtarëve të huaj: “Limit normalisht duhet të ketë, të lejohen dy apo tre lojtarë të huaj në fushë dhe pjesa tjetër të jenë shqiptarë, pasi çfarë kuptimi ka kur në një ndeshje të jenë 9 apo 10 lojtarë të huaj në parket, ashtu sikurse ndodhi në finalen e kupës. Teuta e kuptoi dhe mund të them që luajti më mirë kur ishte me 3 lojtarë vendës në formacion sesa kur ishin të gjithë të huaj”, përfundoi Shima.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"