Gërçaliu: Nuk isha milioneri i Tiranës, ja e vërteta e gjobave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2016 | 16:02

Gërçaliu: Nuk isha milioneri i Tiranës, ja e vërteta e gjobave

Erdhi me shumë bujë në Shqipëri, megjithatë edhe largimi nuk kaloi pa zhurmë. Ronald Gërçaliu, mbrojtësi me pasaportë austriake, i cili prej të gjithëve njihet si lojtari i parë shqiptar që ka luajtur në një Europian, rrëfen aventurën e tij si bardheblu.

gercaliu1

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, 30-vjeçari flet pa dorashka, ndërsa e pranon që sikletet nuk kanë qenë të pakta gjatë këtij sezoni. Ai konfirmon korrespondencën mes ankesave dhe gjobave në FSHF, duke treguar të vërtetat e tij për këtë histori.

Nuk preferon që të flasë për paratë që mori pas ndërprerjes së kontratës, por kërkon që të shuajë kuriozitetin e të gjithëve, duke sqaruar se rroga e tij mujore nuk ka qenë 10 milionë lekë (të vjetër), siç është përfolur.

Ronald, si ishte një vit si bardheblu, duke qenë se prej të shtunës jeni zyrtarisht i larguar?

Erdha me shumë dëshirë te Tirana. Pata edhe oferta të tjera atje (i referohet Austrisë), por duke qenë se i kisha dhënë fjalën presidentit, nuk mund të veproja ndryshe. Pastaj e kisha me shumë qejf që të luaja një herë në Shqipëri gjatë karrierës sime, pasi këtu u linda dhe këtu nisa futbollin. Dhe Tirana ishte zgjedhja e vetme, pasi sikundër dihet familja dhe i gjithë fisi im këtu kanë luajtur.

Cilat janë përshtypjet që ju ka lënë kjo aventurë?

Ka ende vend për të rregulluar dhe këtë e them duke e krahasuar me vendet ku unë kam luajtur. Por nuk i futem kësaj historie, pasi opinionin tim ia kam dhënë vetë presidentit. Për mua kjo është një punë e mbyllur. Por, ka shumë gjëra që duhet të ndryshojnë.

Çfarë nënkupton me “gjëra”?

Ju e keni marrë vesh, ka pasur edhe vonesa me pagesat. Por kjo ndoshta është e zakonshme në Shqipëri. Edhe unë e pranova, nuk jam ndier dhe kam vijuar punën time.

gercaliu

Me një term, si do ta përkufizonit sezonin tuaj si bardheblu?

Dështim është që nuk arritëm objektin si ekip, minimalisht të kapnim Europën. Unë pësova një dëmtim në nisje të sezonit, që më la 10 javë jashtë. U solla si profesionist, edhe pse jo gjithçka shkoi ashtu sikundër e pata menduar.

Para afro një muaji u zbulua korrespondenca juaj me Tiranën në zyrat e FSHF-së me ankesa e gjoba. Çfarë ishte kjo histori?

Historia ka qenë prej rrogave që kisha mangët, ndaj e pashë të udhës që t’ia dorëzoja shkresat federatës, ndërsa çështja e gjobave është krejt tjetër. Më janë komunikuar verbalisht, megjithatë unë letrat nuk i kam parë kurrë.

Për çfarë jeni gjobitur?

Zyrtarisht, nuk kam marrë gjobë në dorë. Por penalitetet kanë ardhur për shkak të thyerjes së rregullores së brendshme klubit, kështu më është thënë të paktën. Megjithatë, pas konsultës me përfaqësuesit e mi ligjorë, gjithçka ra poshtë, pasi nuk kam thyer asnjë rregullore. Kam qenë gjithnjë në stërvitje, duke respektuar në çdo pikë kontratën e nënshkruar një vit më herët.

Madje, edhe kur u dëmtova në Korçë, fillimisht mora leje te presidenti që të shkoja në Austri për t’u kontrolluar. Këtu më thanë që duhet të operohesha, ndaj mora vendimin që të shkoja atje që të mos i bie në qafë klubit, duke qenë se isha edhe i siguruar në Austri.

Pse e morët vendimit që të largoheshit, mos ndoshta ngaqë dolët jashtë planeve?

Pjesa e miqësoreve është tjetër çështje, pasi gjatë asaj kohe unë isha duke negociuar për t’u larguar. Por mendoj që kur nuk të kanë në plane, të paktën duhet të më ishte komunikuar, gjë që nuk ndodhi. Me presidentin kam folur, ndërsa nga ana e trajnerit nuk më është thënë një gjë e tillë.

gercaliu

Të shtunën kishit prerë biletën për t’u nisur në Austri, pse e shtytë?

Nuk kisha mbyllur ende “divorcin”, ndaj e shtyva. Pastaj unë nuk doja të ikja pa u ndarë nga kolegët. Pavarësisht gjithçkaje, unë kam shkuar gjithnjë mirë me ekipin dhe presidentin. Raportet e mia do mbeten të mira dhe në vazhdim, pasi në futboll edhe pakënaqësitë janë të pashmangshme.

Ne u ndamë shumë mirë dhe ramë dakord për gjithçka, gjithkush në fund mbeti i kënaqur. Unë kësaj përvoje do t’i marr vetëm anët pozitive, negativet do t’i harroj. Nuk jam aspak i mërzitur, pasi ky për mua ishte një vit i mirë në kompleks. Edhe pse sikletet nuk kanë munguar.

Ndoshta më janë dukur edhe mua që vija nga jashtë, pasi këtu mund të jenë të zakonshme. Pas 15 vitesh në nivele të larta, ndoshta të bëjnë përshtypje të tilla gjëra.

Çfarë do bëjë në vazhdim Gërçaliu, cilat janë planet afatshkurta të karrierës suaj?

Ideja ishte që të shkoja pranë familjes, ndaj vendosa që të largohesha nga Tirana. Jam në bisedime me disa ekipe në Austri, në ligë më të ulët. Mund të shkoj kur të dua atje, por nuk dua të nxitohem, pasi ka ende kohë. Tani jam lojtar i lirë, ndaj do shoh dhe më pas do vendos.

Po nga ana profesionale a jeni i kënaqur me veten?

Kur erdha, 4 ndeshje luajta si mbrojtës i majtë, më pas u dëmtova. Kur u ktheva pas rikuperimit luajta si qendërmbrojtës. Kam dhënë 100% tim, por kur nuk arrihen objektivat e klubit, edhe zhgënjimi është i madh. Ndaj nuk kam se si të jem i kënaqur.

gercaliu

“Divorci” u arrit për 24 mijë euro, e vërtetë?

Unë di të them vetëm që pakti është arritur mes meje dhe presidentit, jemi ne që vendosëm firmën në marrëveshje. Nuk merrem fare me shifra, pasi kjo është diçka personale. Di vetëm të them që të dyja palët mbeten të kënaqura. Dhe një herë e një kohë doli që unë do përfitoja në muaj 10 milionë lekë të vjetër. Por kjo nuk ishte e vërtetë.

Pasi kaluat një vit në Shqipëri, mund të radhisni diferencat me kampionatet kur ju keni luajtur?

Ka diferenca, për shembull në fazën e presingut dhe atë të lojës së shpejtë, ndërsa në kondicionin fizik nuk ka shumë. Në Austri luhet më shpejtë, me 1-2 takime, ndërsa këtu humbasin shumë kohë në qarkullimin e topit, luhet mjaft ngadalë.

Po infrastruktura?

Mendoj se ka pësuar shumë rritje. Stadiumi i Tiranës është një ndër më të mirët, pa përmendur atë të Elbasanit apo Shkodrës, pastaj edhe në Vlorë ka kushte të mira. Ndoshta duhet punë edhe në komplekset stërvitore, por në këtë drejtim Tirana sërish është një hap përpara.

Kush ka qenë miku yt më i mirë te Tirana?

Kam shumë, por Vin Bulku është në krye. Kam pasur marrëdhënie të mira me Muzakën, Kërçikun, Muçën, apo edhe Takun që erdhi rishtas. Ndoshta kam harruar ndonjë, por me pjesën dërrmuese kam pasur raporte mjaft të mira.

gercaliu

Mediat austriake ju kanë kontaktuar para ndeshjes mes Salzburgut dhe Partizanit, ju kërkuan ndonjë informacion shtesë?

Po, nga gazetarët ka pasur mjaft interes në atë kohë, më kanë kërkuar se ku i kanë problemet. Ndoshta ata mund të kenë qenë “urë lidhëse” me Salzburgun.

Një gjë tjetër që ju ka bërë përshtypje në Shqipëri cila është?

Krahasuar me atë që mbaj unë mend nga Shqipëria, tashmë gjithçka është rritur. Futbolli ka avancuar, FSHF-ja është më e organizuar. Ndërsa Tiranës do të doja që t’i uroj që të shkonte sa më larg, minimalisht të arrijnë Europën.

Titulli më duket pak i vështirë, pasi ekipe si Skënderbeu, Partizani apo Kukësi janë një hap përpara për shkak të pjesëmarrjes në arenën europiane. Kanë bërë më shumë ndeshje zyrtare, por edhe të ardhurat e arkëtuara janë më të mëdha.

Po një mesazh të fundit e keni dhe për kë?

Për tifozët e Tiranës, aty dua të ndalem. Janë realisht shumë të zjarrtë, më kanë lënë pa fjalë me mbështetjen e tyre të pakushtëzuar, në të mirë e në të keqe. Këtë e ndjeva personalisht më shumë në derbi, që në fakt ishte edhe derbi im i parë. Shpresoj që ekipi këtë vit t’ua shpërblejë tifozëve këtë përkrahje.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"