Genc Tomori shpërfill Tiranën: Fitoren në derbi e duam për titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 28, 2017 | 13:11

Genc Tomori shpërfill Tiranën: Fitoren në derbi e duam për titullin

Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit, Genc Tomori, për “Panorama Sport” u shpreh dje se të kuqtë janë përgatitur vetëm për fitore në derbi. Ai pohoi se nuk i intereson se çfarë objektivi dhe përgatitjeje kanë bërë bardheblutë, pasi Partizani shkon drejt titullit vetëm duke vijuar me trepikësha. Diferencën e pikëve mes dy ekipeve në Superiore, Tomori nuk e shikon normale, por diferencën e vërtetë kërkon që të kuqtë ta tregojnë në fushë dhe është i bindur se do të ndodhë.

Genc Tomori Partizani

Tomori, luani një derbi disi ekstrem, pasi dy skuadrat kanë objektiva të ndryshme, por për Partizanin është një hap drejt titullit.

Sigurisht që është një ndeshje e rëndësishme për ne, pasi dihet që jemi me pikë të barabarta me Kukësin. Por, para se të mendojmë për rivalin direkt duhet të kalojmë me sukses derbin. Vështirësia e këtij takimi dihet ku përballë është Tirana, e cila gjithashtu pritet të jetë e motivuar maksimalisht, pasi u bë një kohë e gjatë që nuk na mund.

Pra, edhe ata kanë objektivin e tyre për klasifikimin, si dhe për vetë specifikën e derbit. Siç e thashë, kemi një kohë të gjatë që nuk mundemi, por ky derbi është specifik. Duam fitoren, pasi vetëm me trepikësha mund të udhëheqim kampionatin. Me barazim do ta kemi shumë më të vështirë rrugën e misionit tonë.

Si lojtar, por edhe drejtues, ju ka ndodhur që të përjetoni një derbi të tillë me një diferencë prej 30 pikësh mes dy ekipeve?

Derbet kanë qenë të ndryshme, jo vetëm sa u përket pikëve, por edhe pozicionimit në kategori më poshtë. Në një kampionat të Superiores, sigurisht që është një diferencë shumë e madhe, por diferencën duhet ta tregojë fusha. Ndaj, kërkojmë që Partizani diferencën e vërtetë ta tregojë sot në fushën e lojës, pasi vetëm kështu ekipi mund të vazhdojë rrugën drejt titullit kampion.

Pas kthimit të Partizanit në Superiore është hera e dytë që skuadrat përballen në një situatë të tillë. Në atë rast kur Tirana luftonte për mbijetesë ju ka mundur, që rezulton edhe si fitorja e fundit. Si e shikoni përballjen e sotme?

Atë ndeshje e kam në kujtesë, pasi bëmë një pjesë të parë të mirë. Ndeshja-ndeshjes nuk i ngjan, por ekipi është i karikuar në atë mënyrë për të zbritur në fushë vetëm për fitore, pasi e dimë se trepikëshi na mban në luftën për titullin kampion.

I druheni gjykimit në këtë derbi të radhës?

Kemi folur shumë për gjykimin. Kemi pasur raste ku ne kemi pasur të drejtë. Shpresoj që në këtë derbi të mos flitet për gjykim, por për ekipet në fushën e lojës. Pra, nuk duam që pas ndeshjes të merremi me gjykimin, por me atë që treguan skuadrat në derbi.

Keni bërë kërkesë në FSHF për gjyqtarë të huaj për ndeshjen me Kukësin. Ndonëse nuk keni marrë përgjigje zyrtare, presidenti Duka nga Shkodra ka deklaruar se nuk është finale që të thirren arbitra të huaj. Cili është komenti juaj?

Ne kemi depozituar kërkesën tonë në federatë, sipas rregullores, gati 10 ditë para, dhe shpresoj që të merret në konsideratë. Për ne është një ndeshje specifike, një përballje e dy ekipeve më të mira, kështu që nuk ka asgjë të keqe që në këtë duele të kemi gjyqtarë të huaj. Madje, për mendimin tim, gjyqtarët e huaj bëjnë që ekipet të mos ankohen për gjykimin, pasi një arbitër i tillë me kompetencë do t’u japë të dy ekipeve atë që meritojnë.

I druheni Tiranës për faktin se është më e freskët për këtë takim, pasi në Kukës rezervoi disa lojtarë vetëm për derbin?

Ajo është specifikë e kundërshtarit tonë, ndërsa ne jemi përgatitur vetëm për fitore ndaj Tiranës. Ajo mund të jetë plus për ata, por në fushë them se nuk do të rezultojë e tillë.

Së fundmi, te Partizani është prezantuar bashkëpunimi me një personazh kontrovers si Luçiano Moxhi, i cili është dënuar për jetë në Itali për skandalin e “Calciopoli”-t.

Moxhi është një personazh që ka bërë histori te Juventus, përpos asaj që i referoheni në pyetje. Ai është një njeri i lirë dhe që mund të punojë ku të dojë.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"