Gegën e tërbon arbitri, Skuka shfaqet në tribunë/ Pikantet e duelit Teuta-Kukësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2022 | 21:16

Gegën e tërbon arbitri, Skuka shfaqet në tribunë/ Pikantet e duelit Teuta-Kukësi

Pak tifozë, acarime brenda fushës dhe në fund Gega që nuk përmbahet ndaj arbitrit kryesor. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet e ndeshjes së djeshme në stadiumin “Niko Dovana” mes Teutës dhe Kukësit.

TEUTA-KUKESI

* Në minutën e 12-të, trajneri i Kukësit Skënder Gega, kritikon mbrojtësin e djathtë, Jorgo Meksi, pas një topi të humbur në mesfushë, që kthehet në rast goli për Teutën. “Ke kohë për të dalë përpara, më i kujdesshëm”, ishin britmat e Gegës ndaj lojtarit.

* Në pjesën e parë, mesfushori i Teutës, Erando Karabeci, kishte si detyrë të mos i ndahej për asnjë moment brazilianit të Kukësit, Moraesh, sa herë zotërimin e topit e kishin kundërshtarët. Këtë detyrë lojtari kryeqytetas e realizoi më së miri.

* “Bravo Boçi, bravo!”. Ishin këto thirrjet e shpeshta të Bledi Shkëmbit dhe Bledar Hodos nga pankina për sulmuesin e ri.

* Gega acarohet me mbrojtësin Ilieski në një moment për mbajtjen e tepruar të topit.

* Në minutën e 39-të, duke përfituar nga një dëmtim i portierit Tafas, skuadrat freskohen me ujë prej temperaturave të larta. * Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, e ndoqi ndeshjen me homologun e tij te Kukësi, Safet Gjici.

* Trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi, ndërron veshjen pas pushimit. Fillimisht ishte me këmishë të bardhë dhe kollare, por në pjesën e dytë u shfaq me një bluzë të zezë, duke bërë supersticiozin.

* Në minutën e 49-të, Emiliano Vila humbet një rast të artë. “Duhet të driblonte portierin dhe të shënonte ose do të merrte penallti”, ishte dialogu i Shkëmbit me ndihmësit e tij, Hodo dhe Mile, pas këtij rasti.

* Eduin Giasi i Kukësit bën një faull të panevojshëm afër zonës në minutat shtesë. Këtu tërbohet portieri Tafas, i cili kapet me fjalë me ganezin dhe për pak shtyhen me duar. Këtu ndërhyjnë lojtarët e tjerë.

* Pas përfundimit të ndeshjes, trajneri Skënder Gega, proteston ashpër ndaj arbitrit kryesor, Olsid Ferataj. Pasi futet afër mesit të fushës, i thotë diçka gjyqtarit dhe ky i fundit e ndëshkon me karton të verdhë trajnerin. Gega u shfaq i tensionuar për një faull të padhënë për Kukësin, me aksionin që vijoji dhe për pak u kthye në gol nga Teuta.

* Një prej vizitorëve të veçantë në ndeshjen Teuta-Kukësi ishte sulmuesi i Partizanit, Xhuliano Skuka, i cili u pa në tribunën qendrore, i shoqëruar nga disa miq të tij. 24-vjeçari duket se e ka përdorur pasditen e djeshme për t’u hedhur dhe një sy rivalëve në Superiore, teksa të kuqtë do të luajnë për javën e pestë ndaj Kukësit.

* Në debutimin e tij si trajner i Teutës, Shkëmbi u përball me një befasi të madhe në prapavijë, pasi dy qendërmbrojtësit Qaqi dhe Jazxhi munguan për shkak dëmtimi. Në këto kushte, ai aktivizoi në qendër dy mbrojtës të majtë, Kotobellin dhe Kuron. Nga ana tjetër, mbrojtësin e krahut të djathtë, Idrizaj, e spostoi në të majtë.

* I pranishëm në tribunën qendrore për të ndjekur ndeshjen e djeshme ishte edhe ish-trajneri i Teutës, Renato Arapi, i cili ndoqi lojtarët që kishte stërvitur deri një javë më parë, por edhe pasardhësin e tij, Shkëmbi, me të cilin ka qenë shok ekipi te Skënderbeu.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"