Gega “zbrazet” pas Kamzës: Telushit i thashë të merrte të verdhë, ja çfarë po mendojmë për merkaton e janarit
Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, foli për mikrofonin e “Supersport” pas ndeshjes ku u shpreh:
A ishte mënyra më e mirë, me një fitore të rrezikshme?
U bë një ndeshje e vështirë në pjesën e dytë, pasi në të parën harxhuam shumë raste. Nuk kemi pasur ndonjëherë kaq shumë raste, nëse nuk shënon, ekipi kundërshtar na bëri presion. Me qetësi dhe me pak guxim, mund t’i ndëshkonim përsëri. E kaluam mërzitjen e Skënderbeut, dhe presim ndeshjen e radhës.
Telushi, një mesfushor golashënuesi më i mirë. Sulmi çalon…
Gjëra që duken, nuk mund t’i mbuloj. Njerëzit e sportit e kanë thënë që nuk jemi komod me shënimin. Aty janë 3 çuna të rinj, dhe jam i kënaqur se që në qershor kanë dhënë maksimumin. Sot u ndje lodhja ndaj Korçës, për këtë arsye edhe i ndërrova. Me pak qetësi, do i korrigjojmë gjërat. Telushi është mesfushor, unë jam munduar ta shtyj, sepse mund të godasë. Fiton dyluftime edhe në mesfushë, i thashë që të shkonte përpara. Djemtë janë të rinj, kanë presion të madh, por jam i kënaqur me fitoren.
Presingu ka qenë gjithmonë efikas, sot nuk ishit aq mirë. Ndikoi lodhja apo futja e Çinarit?
Unë mendoj se Çinari ka tiparet e një sulmuesi krahu, por është një prerje tjetër e Malës apo Asanit. Mund ta lija edhe pak më gjatë, por jam i sigurt që do rritet, i ka potencialin dhe vlerat si lojtar. Rëndësi ka që të mos dalë i zhgënjyer, mua më pëlqeu se çfarë dha. U prish pak ajo që ju thatë.
Sot mungonte edhe Hila, e futa Koten. Lodhja e Telushit, e la Koten edhe pak të veçuar, por në pjesën e dytë ishte më i qetë. Në fund, futa Atandën në atë pozicion për të mbuluar boshllëkun. Kemi gjëra për të korrigjuar, por koha është e shkurtër. Të mërkurën kemi përsëri ndeshje.
Duhet të punoni me disa situata, me kartonët e verdhë, kur do mungojnë lojtarët deçizivë.
E bukura është se për herë të parë, u mundova të kompromentoj lojtarët. I thashë Telushit që të marrë një karton, dhe t’i japim hapësirë një lojtari tjetër. Si lab që është, nuk u dorëzua dhe nuk e mori të verdhën, me gjithë respektin që kemi për Krujën. Tani do kthehet edhe Hila, kemi një plus. Belica dhe Atanda, kam bërë këto zgjedhje, sepse kombinohen mirë, por më bëhet qejfi që edhe Gojkoviç është gati.
Duro tha se në fushë ishte vetëm Kamza, tha se edhe luan ndaj arbitrave. Keni pikasur një sulmues për janarin?
Me Duron unë nuk dua të bëj komente, ju keni qenë pranë ekranit gjithë kohës. Unë i kam të qartë sa raste humbëm në pjesën e parë. Kaq dua të them, në pjesën e dytë Kamza doli e gjitha në mesfushën tonë, bëri presion. Përveç një shtylle, nuk kishte raste të tjera. Janë opinione dhe perceptime, nëse nuk e shoh këtë ndeshje 2 3 herë, nuk mund të jem i saktë. Për pyetjen e dytë, është normale që ta bëni, një sulmues na mungon. Kam shpresë që ata që kam në dispozicion të përmirësohen. Kur të vijë momenti, gjërat nuk do jenë sekret. Nuk jam njeri që krijoj panik apo mosbesim njerëzve që unë punoj, deri në janar do ndërtojmë një grup edhe më të fuqishëm se tani. Nuk mund të them që sot atë se çfarë kërkojmë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"