Gega, Smajlaj, Ministria, Shqipëria…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 10, 2017 | 21:57

Gega, Smajlaj, Ministria, Shqipëria…

BESNIK DIZDARI

 

Besnik DizdariKëto ditë sporti shqiptar ka pësuar një goditje të rëndë. Dy atletët e vetëm të tij, të cilët janë të nivelit botëror, Izmir Smajlaj dhe Luiza Gega, në prag të pjesëmarrjes së tyre në Kampionatin Botëror të Atletikës së Lehtë, këtë Londra 2017, kanë pësuar trauma. Çka në mënyrën më të befasishme u ka hequr atyre të drejtën për të marrë pjesë në garat e tyre të kërcimit së gjati dhe të 3000 metrave me pengesa, ku, ndërsa i pari, Smajlaj është kampion i Europës, e dyta, Gega, është nënkampione e Europës. Janë elitë ndërkombëtare në këtë sport.

luiza gega

Sigurisht, trauma fizike sportistët mund të pësojnë në çdo çast. Madje, në garë e jashtë garës. Ajo që krijon shqetësim është indiferenca e jashtëzakonshme e Ministrisë, e cila paska në emërtim edhe Sportin, por dhe vetë Shqipërisë apo Qeverisë shqiptare, të cilët kanë një nënvleftësim të pamatë për atletikën e lehtë. Deri aty, saqë sot ata e kanë lënë Shqipërinë të jetë i vetmi vend në Europë, e pa dyshim edhe në botë, që ka vetëm një pistë atletike! Dhe po aq është i vetmi vend në Europë e në botë kryeqyteti i së cilës nuk ka asnjë pistë atletike. Kështu që dy atletëve të famshëm shqiptarë për t’u stërvitur u duhet të marrin rrugë jashtë kufijve të Atdheut të tyre. Dhe ia arrijnë. Madje, duke qenë ndër më të mirët e Europës.

A është kaq “tragjik” sa ç’po e bëj unë, aksidenti fizik i tyre?

Pa dyshim. Sepse nëse ti ke vetëm këta dy atletë përfaqësues të rangut, kjo do të thoshte sikur Jamajkës botërore atletike t’i aksidentohej para kampionatit botëror e gjithë skuadra. Sepse Smajlaj dhe Gega, edhe pse dy individë të vetëm, në thelb ata janë skuadra kombëtare e atletikës shqiptare.

Heshtja rreth asaj çka u ndodhi dy atletëve shqiptarë është shembullore (emblematike). Dhe, për fat, nëse nuk je i vëmendshëm për t’i shfletuar disi me imtësi gazetat, vështirë të mund të mësosh se Smajlaj e Gega pësuan trauma. Me një fjalë, ti mund të dëgjosh, deri dhe në edicionin e lajmeve kryesore televizive për një javë të tanë pa asnjë ndalesë se joshqiptari Neymar kaloi nga Barcelona te Paris SG, por vështirë të mësosh se “Kombëtarja” (se Kombëtare është pra) e atletikës së lehtë e Shqipërisë nuk merr pjesë në kampionatin botëror ngaqë të gjithë “lojtarët” e saj u aksidentuan para pjesëmarrjes.

Natyrisht nuk e harroj Federatën Shqiptare të Atletikës së Lehtë, së cilës kryesisht i ndodhi ky fatalitet dhe mund të ketë edhe ajo përgjegjësinë e saj. Por të mos harrojmë se me dy punonjës që ajo ka, nuk mund të mbajë mbi supet e saj tejet të ngushta, peshën e rëndë të atletikës së lehtë të një kombi e vendi të tanë. Kësisoj detyrohemi të qëndrojmë te thelbi, te më e rëndësishmja: përkujdesja shtetërore për talentet e mëdhenj të sportit shqiptar, sidomos në një sport kaq kompleks e të vështirë siç është “mbretëresha” atletikë. Nuk mund të rrahësh gjoksin me vendimin që ke sanksionuar për të dhënë qoftë dhe deri në 40 milionë lekë të vjetër për një sportist shqiptar që shpallet kampion i Europës apo i botës. E pra, është krejt pak, për të mos thënë episodik. E dini se si i ka trajtuar kampionët e saj të përbotshëm – produkt i sportit shqiptar, Pirro Dhimën apo dhe atleten Mirela Manjani. Madje, kjo e fundit e dalë prej farishtes së atletikës shqiptare është dhe kampione e botës dhe e Europës. E pra, nëse çmimi “episodik” i yni nuk shoqërohet me kujdes dhe trajtim të përditshëm për së mbari dhe favorizues deri dhe për jetën komode të këtyre talenteve të mëdhenj, shifra 20 a 40 milionë nuk ka vlerë.

Shtrohet pyetja: a kanë staf mirëfilli këta atletë shqiptarë të nivelit botëror?

Jo vetëm një trajner të emrave të shquar Vildan Tufi apo Taulant Stërmasi, të cilët nuk arrij të kuptoj se si në këto kushte ia kanë mundur të formojnë dy atletë të nivelit botëror. Me staf këtu kuptoj madje, dhe më shumë se një mjek të përditshëm pranë tyre, domos një mjek të specializuar posaçërisht për traumën sportive apo më tej (A ka menduar Ministria përkatëse e sotme të dërgojë për studime të specializuara jashtë vendit mjekë të tillë?). Po kështu përgatitës të specializuar atletike? Pa shkuar mandej te pyetja tjetër: a ka ndihmuar Ministria apo qeveria shqiptare, qoftë dhe për t’i specializuar më tej dy trajnerët në fjalë në shkolla të përparuara të Perëndimit? Nuk e di…

Pa të shkuar mendja ndërkohë, nëse ka staf drejtimi në punën e përditshme për këta kampionë të mëdhenj. Ne përmendim vazhdimisht trajnerin e Kombëtares së futbollit, por rrallë përmendim stafin e tij, që nis prej presidentit të FSHFsë a sekretarit të Përgjithshëm të FSHF-së e deri te një tufë trajnerësh, financierësh, menaxherësh, që përgjigjen deri në imtësi për Kombëtaren e futbollit. Po përse të mos t’i ketë këto mekanizma edhe Kombëtarja e Atletikës së Lehtë? E, nuk e di ndërkaq, a kemi një kryetrajner të Kombëtares atletike. Jo “part time”, por të përditshëm, të emëruar, me rrogë shtetërore. Nuk jemi në vitin 1950 të shekullit të shkuar, por jemi më 2017 të Shekullit XXI.

Merret me mend që këto organizime Kombëtarja e atletikës së lehtë, kjo “Smajlaj-Gega” mund t’i ketë jo thjesht përmes mundësive të vogla të FSHA, por në radhë të parë për mundësitë e mëdha nga vetë shteti, qeveria, ministria. Po edhe nga KOKSH në të cilin nuk u zgjodh njeriu që drejton atletikën në Shqipëri. Si të mos ishte atletika e lehtë sporti kryesor olimpik. E, pra, nuk do të kishte për Shqipërinë gjë më me mend, se sa ajo që presidentët e sporteve olimpikë kryesorë, detyrimisht të ishin të gjithë anëtarë të kryesisë së Komitetit Olimpik Shqiptar. Dhe ju kujtojmë se kjo nuk është një shpikje shqiptare… (Temë për një herë tjetër kjo)…

Nuk dimë pra, sa janë shqetësuar “shtresa” kombëtare drejtuese e krejt jetës së vendit, për këtë ngjarje fatale të mospjesëmarrjes së atletëve tanë. A ka fol kush? A e kanë marrë vesht? A kanë thënë një fjalë? Mos e kanë lënë në mëshirën e fatit Federatën Shqiptare të Atletikës së Lehtë? A ka qenë ndonjë inspektor i Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve pranë këtij përfaqësimi?

E mû këtu lind menjëherë pyetja tjetër: kush punon për sportet në Ministrinë e Arsimit dhe të Sporteve? Këta njerëz a vijnë me konkurse apo me servilizëm partiak?

Lindin këto pyetje se kemi kohë të tana që nuk dëgjojmë, bie fjala, që inspektorë apo specialistë të rangut (a vërtet ka të tillë të merituar Ministria?) t’i trajtojnë këto probleme, qoftë dhe në të rrallë në shtyp a media. Eh! Kur kujtoj se kush ka punuar dikur në Ministri për sportet! Në mos paça ndonjë gabim kujtese përmend vetëm ndonjë emër: Anton Mazrreku, Zef Hila, Minella Kapo, Dervish Lisi, Irfan Tërshana, Telat Verzivolli, Ismet Bellova, Feti Borova, Qemal Shalësi, Azis Tahiri, Sokol Morina e deri te ndër më të fundit të kohëve demokratike si Vesel Rizvanolli – universitarë të rangut të edukimit fizik e sporteve. Përveçse të një kulture më universale të tyre. Pa cituar shumë të tjerë dhe pa shkuar te drejtuesit kryesorë, të rangut të një Vasil Konomi, i cili qe vënë në krye të sporteve edhe për faktin se kishte qenë një atlet i shquar rekordmen i Shqipërisë në vitet ’30.

E vërteta është se sot zëvendësministër është mû një atlet i shquar i Shqipërisë, Rauf Dimraj. Kam qenë para pak javëve në një Konferencë Kombëtare të Ministrisë për edukimin fizik të nxënëseve apo të rinisë, Është një nga gjërat më me vlerë që ka bërë kjo Ministri. Mirëpo, gjërat kanë veçimet e tyre. Që do të thotë se dikush duhet të mbështesë edhe Kombëtaren e Atletikës së Lehtë – sport Nr. 1 i njerëzimit.

Është vërtet interesant! Shqipëria, kampionatin e parë kombëtar në sporte që ka organizuar nuk ka atë të futbollit, po atë të atletikës së lehtë. Dhe nuk mund të quhet rastësi që drejtuesi i parë i sporteve në krejt historinë e Shqipërisë në Ministrinë e Arsimit (pra në vitet ’20-’30), ka qenë një atlet rekordmen i shquar, Prof. Luigj Shala, të cilit kjo Ministri e sotme, ndoshta nuk ia di as emrin. Jo më ta nderojë me diçka kujtimin e tij të pashlyeshëm në themelimet tona sportive.

Me një nxitim të pashembullt po nga Mbretëria u çuan për studime të edukimit fizik ndër të parët, këta të rinj të asokohe, të cilët u bënë profesorë dhe të gjithë me një kulturë atletike të rrallë: Selman Stërmasi, Hajdar Jakupi, Luigj Shala, Eqrem Stërmasi, Azis Rexhepi, Spiro Shuteriqi, Aqif Domini, Niko Açka, Teni Frashëri, Malo Kodra – figura të mëdha të edukimit fizik në Shqipëri, aspak të nderuar deri më sot. Duket që edhe Ministrinë e sotme e njerëzit e saj dritëshkurtër i ka pushtuar futbollomania e shfrenuar, po dritëshkurtër.

Mandej ishte Prof. Irfan Tërshana, njeriu shekullor i cili projektoi të gjitha pistat atletike të stadiumeve shqiptare të Mbasluftës, kur sot mezi kemi një pistë të vetme. Bënte pjesë në grupin e dytë të shqiptarëve që Mbretëria i çoi për studime po në ISEF-in e Romës, një gjashtëshe e paharrueshme për kulturën fizike e sportet në Shqipëri: Irfan Tërshana, Adem Karapici, Mendu Agolli, Myfit Halimi, Xhevdet Skilja, Bexhet Jolldashi – të gjithë themelues të kulturës sonë fizike, njeri më i madh se tjetri.

Ndërkaq, e vërteta është se edhe sistemi komunist i dha rëndësi atletikës së lehtë. Nuk mund të harroj diskutimin e madh në shtyp e jashtë tij, atë të vitit 1962, me temën “Atletika t’i përgjigjet kërkesave të kohës”. Qe një diskutim i pashoq, që vazhdoi me muaj. Për fat kam, përmes tij, kujtimin më të paharrueshëm profesional, sepse shkrimin tim të parë të botuar në shtypin shqiptar e kam te një artikull i vogël, me mendimet e një studenti të ri për atletikën e lehtë. Ishte një shkrim me dy autorë, së bashku me shokun tim të fakultetit, Hamza Kastratin, por dhe të Gjimnazit të Shkodrës, që ishte i vetmi në Shqipëri që kishte pistë atletike. Ajo shkollë e famshme për Shqipërinë, na e kishte dhënë edukatën për këtë sport-himn, të lashtësisë po dhe të kohës moderne.

Për një çast po më duket se këtë shkrim për atletikën, në nostalgjinë që më krijoi mospjesëmarrja e Shqipërisë në Kampionatin Botëror të Londrës, e shkrova si në një lloj “festimi” intim të 55-vjetorit të shkrimit tim të parë të botuar, që paska qenë mû për atletikën e lehtë. Nuk është kështu. E shkrova për nostalgjinë apo ndjenjën që më krijoi mospjesëmarrja në Kampionatin e Londrës 2017 të dy margaritarëve të atletikës së lehtë e sportit shqiptar, kampionit të Europës, Izmir Smajlaj, dhe nënkampiones së Europës, Luiza Gega. Me shpresë, se dikush prej qeverisë, Ministrisë apo KOKSH do të bëhet nismëtar për të nisë atë që po e quaj “revolucionin atletik” në Shqipëri. Atletikës së lehtë, çka, përveç të tjerave, më shumë se asnjë sport tjetër, ka të bëjë edhe me mirërritjen e brezit tonë të ri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"