Gega rigjen Tiranën në debutim, ja si del Kukësi në start

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2022 | 10:13

Gega rigjen Tiranën në debutim, ja si del Kukësi në start

Më 20 gusht Kukësi do të ketë nderin të ngrejë siparin e këtij sezoni në Superiore, ku përballë do të ketë kampionët e Tiranës. Një short aspak i favorshëm, por gjithsesi në kampin verilindor duan ta nisin me këmbën e mbarë sezonin.

Kukesi

Me bardheblutë do të jetë hera e dytë që ndeshen që në start, teksa para dy vitesh ishte Tirana ajo që triumfoi në shifrat 2-0 dhe si për koincidence, edhe atëherë në stolin e verilindorëve ishte Skënder Gega. Por, ndryshe nga para dy vitesh, këtë sezon është Kukësi ai që luan si pritës dhe për më tepër më në fund në shtëpinë e tij dhe përballë tifozëve të vet. Me pak fjalë, Gega rigjen Tiranën sërish në start si trajner i Kukësit, kësaj here me synimin për të kthyer reston, ku synimi do të jetë të marrë tri pikët, të cilat në këtë start kampionati vlejnë shumë edhe për moralin.

KUKESI 1

PATHYESHMËRIA

Ky do të jetë sezoni i 11-të që Kukësi do të marrë pjesë në elitën e futbollit shqiptar dhe si gjithnjë hyn në kampionat me petkun e një skuadre që synon gjithnjë maksimumin. “Panorama Sport” u ka bërë një vëzhgim 10 sezoneve të verilindorëve në elitë, duke marrë në konsideratë ndeshjet hapëse të tyre. Ajo që bie në sy, lidhet me faktin se verilindorët janë të pathyeshëm në shtëpi, teksa në pesë takime kanë fituar tri dhe barazuar dy. Përkatësisht kanë mundur Partizanin, Kamzën dhe Bylisin, si edhe kanë barazuar me Laçin dhe Luftëtarin në ndeshjen e parë historike në elitë, në një barazim pa gola me gjirokastritët. Një tregues optimist ky përpara ndeshjes me Tiranën, edhe pse statistikat ndonjëherë nuk kanë rëndësi, por gjithsesi kanë peshën e tyre në aspektin moral. Mbetet për t’u parë nëse kjo pathyeshmëri në shtëpi do të vijojë edhe këtë sezon apo do të marrë fund.

kukesi

STARTI

Më pas, sa i përket startit të përgjithshëm në këtë dekadë në elitë, mund të thuhet se në tërësi nisja ka qenë e mirë në shifra të përgjithshme, edhe pse nuk kanë munguar humbjet. Në fakt, kanë qenë vetëm dy të tilla, fillimisht ndaj Lushnjës në sezonin 2013-2014 dhe ajo me Tiranën në sezonin 2020- 2021. Në tri raste verilindorët e kanë nisur kampionatin me barazim, ndaj Laçit në sezonin 2018-2019, ndaj Vllaznisë pa gola vitin kur fituan titullin me Ernest Gjokën dhe ndaj Luftëtarit në vitin e parë në elitë. Bilanci i përgjithshëm është më pozitiv sa u përket fitoreve, sepse bëhet fjalë për pesë të tilla, ku më e fundit është ajo e vitit të kaluar ndaj Egnatias në transfertë me rezultatin 1 me 3 nën drejtimin e italianit Diego Longo.

6546

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"