Gega: Partizani është shumë i lidhur me tifozët, duhet të thyejmë tabunë e 20-vjeçarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2018 | 11:27

Gega: Partizani është shumë i lidhur me tifozët, duhet të thyejmë tabunë e 20-vjeçarëve

Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, doli sot në konferencën për shtyp ku foli për gjendjen aktuale të skuadrës për sfidën e nesërme ndaj Partizanit. Gega u shpreh optimist dhe tregoi se skuadra e tij është gati për këtë përballje. Tekniku i të kuqve foli edhe për rikthimin e tifozëve si dhe për formacionin ideal.

GJK_0009

“Sfida ndaj Flamurtarit do të jetë ndryshe nga të tjerat, ata do të vijnë në Tiranë për të marrë maksimumin dhe ne jemi përgatitur. E dimë forcën e Flamurtarit, besoj se është një ekip shumë i mirë, por e dimë dhe forcën tonë, respektojmë veten tonë. Kemi një qëllim ditën e nesërme për fitore.

E ka skuadra juaj forcën për të arritur objektivat?

Besoj se është shpejt. Jemi në progres e sipër. Po punohet në të gjitha drejtimet për tu rritur. Janë vetën ndeshjet e para që nuk vendosin kampionatin. Nga ana fizike jemi shumë mirë. Gjatë stërvitjes mund të ketë ndonjë ngacmim të vogël, që ndodhin në çdo klub, ndoshta te Partizani bëhet më tepër lajm. Nuk ka asgjë shqetësuese, ndoshta do jemi të plotë në ndeshjen e nesërme.

Mendoni se reparti i sulmit është nën presion?

Është diçka që loja e futbollit e kërkon. Çdo gjë bëhet për të shënuar. Janë 2 faza që duhet ti bëjmë mirë. Deri tani jemi munduar. Vazhdimisht e kamë shpjeguar pozicionin e Hebajt, por dhe kontributin e tij. Hebaj nuk mund të jetë i veçuar nga ekipi, në qoftë se ekipi luan dhe është më aktiv dhe Hebaj do rritet. Është 20 vjeç dhe pres te ai. Gjithmonë flitet për një golashënues, por unë besoj që mesfusha e sipër duhet të jenë të gjithë në gjendje për të goditur dhe për të shënuar. Shpresoj që të reagojmë që në ndeshjen ndaj Flamurtarit.

Sa do të ndikojë rikthimi i tifozëve në stadium?

Për në është gjë e madhe. Kemi 3 ndeshje pa tifozë. Partizani është i lidhur ngushtë me këta tifozë. Është një shtytje e madhe për ne. Do jetë nxitje dhe përgjegjësi e madhe. Shpresoj të na shërbejë për t’u karikuar dhe për të dhënë më të mirën dhe për të kënaqur tifozët.

Ka ardhur moment që të themi ky është Partizani i Skënder Gegës?

Çdo ndeshje ka sfidën dhe fytyrën e vetë. Besoj se Partizani po konsolidohet. Qoftë në logjikë, qoftë në koncept, si dhe në njohjen e njëri-tjetrit. Është vetëm java e katër. Shumë njerëz mund të thonë që ekipet shikohen në javën e 7-8. Unë dua të marr maksimumin nga secili në ekip, mos harrojmë dhe rezultatet. Besoj që në javët e tjera do bëjmë shumë më mirë.

Jeni në kërkim të një formacioni ideal, i cili është reparti që iu shqetëson më shumë?

Çdo repart ka nxjerrë problemet e veta. Nuk ka asnjë ekip absolut që në 90 minuta nuk gabon. Mundohem t’i korrigjojmë gabimet gjatë stërvitjes. Deri tani besoj se kemi përdorur atë grup që ka qenë optimal. Çdo ndeshje mund të ketë specifikat e veta në varësi të kundërshtarit. Jemi munduar t’i adoptojmë për të mos prishur linjën kryesore që ne stërvitemi. Edhe karshi Flamurtarit do mundohemi të mbajmë të njëjtën linjë edhe të njëjtën mënyrë lojën. Është interpretimi ai që do vendosë. Kemi studiuar Flamurtarin, do ta studiojmë edhe në hotel me më shumë detaje. Ditën e nesërme do të bëjmë më të mirën.

Gjatë merkatos janë afruar shumë lojtarë, por pak prej tyre kanë gjetur terren, çfarë ka ndodhur?

Ata që kanë ardhur kanë bërë mirë që kanë ardhur, sepse të gjithë ekipet kanë bërë merkato. Kjo është një garë një sfidë, siç është në çdo biznes, në jetën e përditshme. Gara është mes tyre. Besoj se do të hyjë ai që e meriton. Duhet të kenë durim dhe të respektojnë pozicionet e veta, pavarësisht nga ka ardhur dhe kur ka ardhur. Është një investim i klubit, të gjithë të jemi të ndërgjegjshëm, pavarësisht skuadrës. Do luajnë ata që e meritojnë.

Është avantazh për ju që po punoni me djem të rinj?

Unë personalisht kam natyrën që kam dëshirë të punoj me djem të rinj. Një 20-vjeçar nuk është shumë i ri, duhet ta thyejmë këtë tabu që një 20-vjeçari t’i besojmë më tepër. Përveç Malës dhe Bardhit që unë i kam gjetur aty, janë shumë lojtarë të tjerë që janë afruar. Kam afruar në stërvitje edhe 5-6 lojtarë nga ekipi i të rinjve për t’u rritur. Për t’i përdorur në ndeshje dhe situata të ndryshme do ia le kohës. Në qoftë se dikush më jep besim, nuk kam asnjë problem nga mosha për ta aktivizuar.

A janë të rinjtë koshientë për peshën e Partizanit?

Partizani është një stemë e madhe një bluzë e madhe. Ideja për të afruar 20 vjeçarët nuk është për t’i rënduar por për t’i dhënë mundësinë që të fillojnë të krijojnë një ide, një respekt për bluzën e klubit. Unë kam vetëm 2 muaj. Nuk e kam të mundur që të gjithë të jenë të barabartë në fushë, por të paktën të trajtohen njësoj. Ka një grup të madh që është premtues. Kjo është dhe arsyeja pse unë e kam marrë ekipin. Për të parë sforcon e një titullari do një kohë të gjatë. Dera është e hapur për ta, do i mbështesim deri në fund. Partizani është një klub që do të rritet nga të rinjtë edhe për sa i përket anës financiare. Do kohën e re të merret investimi mbrapsht. Është një filiz i ri që nuk mund ta gëzojmë përnjëherë.

Sa i rëndësishëm është rezultati në ndeshjen ndaj Flamurtarit?

Unë mendoj që në çdo ndeshje të humbur, krijohet një presion, një alarm i vogël, varet se sa një klub është në gjendje ta mbajë dhe ta menaxhojë. Mendoj se të paktën nga ana e klubit është një bashkëpunim i ngushtë. Për ne kjo ndeshje është deçezive. Luajmë kundër Flamurtarit. Nuk duhet të shkëputemi nga vendet e para. Duhet ta kemi fokusin te ndeshja e nesërme Në derbi është një atmosferë tjetër, do të bëjmë gjithçka që në derbi të jemi 100 %.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"