Gega kundër Rulit: U dëmtova nga kushtet e vështira, finalen e kisha të sigurt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 11, 2017 | 10:01

Gega kundër Rulit: U dëmtova nga kushtet e vështira, finalen e kisha të sigurt

Atletja e kombëtares shqiptare, Luiza Gega, ka thyer heshtjen më në fund rreth mungesës së saj në kampionatin botëror të Londrës, ku do të garonte mbrëmjen e së mërkurës në garën e 3000 m/p. Gega u tërhoq në momentet e fundit nga Botërori pas dhimbjeve të vazhdueshme që kishte ndjerë në këmbën e djathtë, sikurse ka pretenduar duke e privuar nga pjesëmarrja në Botëror. Atletja shqiptare shpreh keqardhjen për tërheqjen, për shkak të dëmtimit në tendinën e akilit.

gega

“Finalen e kisha të sigurt. Kjo më vret më shumë se Shqipëria nuk u përfaqësua, Federata nuk u përfaqësua”, shprehet Luiza Gega për “TvKlan”. Gjithashtu, Gega e vetmja përfaqësuese kuqezi në Londër, kohët e fundit është stërvitur në Dardhë, por ky terren, sipas saj, e ka penalizuar.

“Sportisti e përjeton më shumë se kushdo tjetër. Për të garuar me elitën duhet të stërvitem në kushte të mira, por jam stërvitur në kushte të vështira sepse jashtë nuk ë përballoj dot financiarisht”, tregon ajo.

Dy ditë më parë, trajneri Taulant Stërmasi u shpreh se dëmtimi erdhi në momentin më të papërshtatshëm të mundshëm. “Jemi munduar që të evitojmë dëmtimet pasi ishte e vetmja gjë që mund të ndalte Luizën në progresin e saj në garën e saj të 3000 m/p. Po kalonte një formë shumë të mirë sportive, por ndonjëherë nuk është fati me të.

Sigurisht, dëmtimi vjen për disa shkaqe të parashikuara e të paparashikuara. Infrastruktura e munguar ka qenë një nga shkaqet kryesore që la jashtë këtij Botërori Luizën. Në këto raste, unë e Luiza jemi të vegjël para këtyre problemeve që sado të mundohemi, nuk ngelin zgjidhjet në dorën tonë”, theksoi trajneri Stërmasi.

Dy norma kishte kapur atletja e kombëtares shqiptare, Luiza Gega, për kampionatin botëror për të rritur në Londër, respektivisht në garën e 1500 m dhe atë të 3000 m/p. Më herët ishte kampioni i Europës në kërcimin së gjati Izmir Smajlaj, i cili do të tërhiqej nga kampionati botëror i Londrës. Në këtë mënyrë, pas Smajlajt, edhe Gega nuk mori pjesë në Botërorin e Atletikës duke bërë që Shqipëria të mos përfaqësohej me asnjë sportist në këtë kompeticion.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"