Gega jashtëtokësore, shpartallon rekordin kombëtar “indoor”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 1, 2020 | 12:49

Gega jashtëtokësore, shpartallon rekordin kombëtar “indoor”

Luiza Gega nuk resht së mahnituri, aq sa paraqitjet dhe rezultatet e saj fantastike janë kthyer në një normalitet. Pas fazës përgatitore të zhvilluar në Kenia, kampionia e atletikës shqiptare rikthehet më në formë se kurrë duke shkatërruar për të disatën herë rekordin kombëtar. 

luiza gega

Dje Luiza garoi në turin botëror “Indoor” që u mbajt në Karlsruhe të Gjermanisë, një event “Diamond League” i sallave të mbyllura. Luiza Gega mori pjesë në garën e 3000 metrave dhe në një garë me shumë rivalitet mes 9 atleteve elitare nga Kenia, Etiopia, Çekia, Gjermania dhe Rumania, zuri vendin e tretë. Gega arriti të shpartallojë sërish rekordin kombëtar duke e ndalur kronometrin në kohën rekord 8’44″46, pra 8 sekonda e 7 të qindtat më shpejt se rekordi i mëparshëm, i vendosur në vitin 2017 (8’52″53).

Ky kampionat është aktiviteti më i rëndësishëm i atletikës botërore të sallave të mbyllura për vitin 2020. Me këtë rezultat Luiza Gega ka arritur të tejkalojë edhe normën e botërorit të sallave, që është 8’49″00. Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri Taulant Stermasi shfaqet shumë i lumtur për paraqitjen e Luiza Gegës: “Unë si trajner jam shumë i kënaqur me këtë rezultat në hapjen e sezonit. Rekordi kombëtar na bën të besojmë që edhe koha në 3000 metra me pengesa do të jetë shumë herë më e mirë se ajo që Luiza vendosi në Botërorin e Dohas, pasi Luiza po tregon një formë në rritje nga gara në garë”, tha Stermasi.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"