Gega e nis nga e para për të ndërtuar një ekip konkurrues për Europë, gjen vetëm 5 lojtarë nga Kukësi i tij

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 10, 2022 | 16:01

Gega e nis nga e para për të ndërtuar një ekip konkurrues për Europë, gjen vetëm 5 lojtarë nga Kukësi i tij

Skënder Gega gjen një tjetër Kukës këtë sezon, ndryshe nga ai që kishte dy vite më parë, ku edhe la aventurën në mes. Edhe pse bëhet fjalë vetëm për pak kohë, kjo tregon ndryshimet e shumta që janë ndërmarrë në këtë skuadër, ku sigurisht revolucioni më i madh ndodhi sezonin që sapo lamë pas, por që sërish rezultoi një dështim.

Gega

Në fakt, Kukësi është prekur shpeshherë nga lëvizjet e shumta në merkato, duke bërë që secili trajner të detyrohet të bëjë skuadrën nga fillimi, duke mos pasur shumë lojtarë në dispozicion nga sezoni paraardhës. Në fakt, kur skuadra vjen nga një sezon i dështuar, përpos largimit të trajnerit, ata që e pësojnë do të jenë edhe vetë lojtarët, sepse nuk kanë qenë brenda pritshmërive. E njëjta situatë duket edhe këtë vit, sepse sërish ekipi dështoi, ndaj edhe largimet janë të konsiderueshme.

VËZHGIMI

Nga një vëzhgim i bërë nga “Panorama Sport”, vetëm pesë janë lojtarët në Kukësin aktual që rigjen sërish Gega, me të tjerët që janë larguar për në skuadra të tjera. Bëhet fjalë për Gjelbrim Taipin, Bruno Lulajn, Angelo Tafasin, Altin Bytyçin dhe Redon Dragoshin. Dy të parët kanë qenë lojtarë të rëndësishëm të formacionit, ashtu si edhe portieri më pas, të cilët edhe këtë vit duket se do të jenë pikat kryesore në të cilat do të mbështetet tekniku. Me përfundimin e atij sezoni, i cili në fund rezultoi i dështuar, shumë lojtarë u larguan, duke e shpërbërë thuajse tërësisht grupin. Në një situatë të tillë, teknikut i duhet të rinisë thuajse gjithçka nga fillimi dhe të rikthejë një Kukës pretendent, ashtu siç ka qenë përgjatë gjithë këtyre sezoneve në elitën e futbollit shqiptar, përveç dy viteve të fundit.

LARGIMET

Me mbylljen e këtij edicioni duket se largimet nuk do të jenë të pakta te verilindorët, pasi deri më tani bëhet fjalë për tetë futbollistë që thuajse e kanë mbyllur me kuksianët. Fillimisht Hila, Musta dhe De Lukas u larguan pa ardhur ende Gega në skuadër, ndërsa pas tyre u larguan edhe Xhika me Markun, të cilëve u mbaroi kontrata dhe nuk ishin më në planet e klubit. E njëjta situatë është edhe për Shkurtajn, që është më shumë larg sesa afër, ndërsa Pëllumbi mbyll huazimin dhe pret rikthimin në Kroaci. Me pak fjalë thuajse një formacion i tërë është larguar dhe Kukësi do të duhet të gjejë patjetër zëvendësuesit e tyre.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"