Gazetari Mneri rrëfen revoltën në Kuçovë: U larguam nga puset e naftës, asnjë thirrje kundër sistemit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2018 | 9:17

Gazetari Mneri rrëfen revoltën në Kuçovë: U larguam nga puset e naftës, asnjë thirrje kundër sistemit

UVIL ZAJMI

Gazetari i mirënjohur, Fatmir Mneri, ka qenë radiokronisti i ndeshjes Naftëtari-Dinamo 0-1. Ai tregon mënyrën sesi u larguan me shumë vështirësi nga stadiumi dhe pohon se ishte një atmosferë tej mase e elektrizuar në Kuçovë.

“Jemi nisur rreth orës 9 me mikrobusin ‘Nysa’ të televizionit, ngjyrë blu. Nuk kemi ndaluar askund, duke konsumuar rrugës pak ushqim që e kishim me vete. Në transmetim, në kabinë kam qenë bashkë me kolegun Agron Kaja. Nga ajo ndeshje, formacionet, arbitrat, vëzhguesi, etj., nuk i kam, pasi kur vite më vonë u dogj gazeta “Koha Jonë” më humbi blloku, një punë dhjetëvjeçare, plot statistika e midis tyre edhe ato të atij takimi”, tregon Mneri, radiokronisti i atij 90- minutëshi të paharruar.

fatmir mneri

Çfarë situate gjetët në Kuçovë?

Nuk e kemi kuptuar sa e elektrizuar ishte situata. Kërkoj mirëkuptim nëse shprehem gabim, por gjykoj se takimi i parë duhet të luhej në Kuçovë dhe i dyti në Tiranë për të shmangur çdo situatë. Më ka mbetur në kujtesë se po rregullohej rruga nga bulevardi kryesor për te stadiumi, duke e shtruar me çakëll dhe ajo ka qenë “lënda e parë”, me të cilën sulmuan tifozët.

Edhe sot vazhdojnë pretendimet për arbitrimin?

Mbaj mend se ndërsa vendësit prisnin një gol që ta çonin lojën në shtesë, në të kundërtën rreth minutës 82, shënon Vila për Dinamon. Kur ka ardhur minuta e 90-të, flas me sahatin tim, një orë e zakonshme dore, kur unë kam marrë linjën dhe kam thënë rezultatin, duheshin edhe tre-katër minuta të paktën shtesë. Pa mbaruar frazën, Kaimi ka vërshëllyer fundin e takimit. Dhashë rezultatin përfundimtar, pa koment, pasi nuk kishte çfarë të komentoja me Shqarrin. Kanë mjaftuar një apo dy persona të kalonin rrethimin përballë, skenë që e kam parë mirë, pas së cilës shpërtheu një dyndje totale dhe arbitrat që u nisën drejt dhomave të zhveshjes, që, për fatin e tyre të keq, ishte distancë e gjatë, gati 70-metra, por arritën të futen brenda.

naftetari dinamo 1 0

Shpërtheu revolta dhe të gjithë hynë në fushë apo jo?

Sigurisht, tifozët ishin në tension dhe humbën çdo shpresë pas golit të Dinamos. Them se kjo situatë shërbeu si shkak. Akoma i kam të fiksuara ato skena. Turma e njerëzve që me gurë filluan të godisnin dhomat e zhveshjes ku ishin ngujuar lojtarë e arbitra. Policia ishte në vështirësi, sepse nga njëra anë turma dhe nga ana tjetër lojtarët me arbitrat… Nuk po e përballonte si duhet situatën.

Si u larguat nga stadiumi?

Makina jonë ishte afër me atë të Dinamos, së cilës i thyen xhamat dhe hoqën edhe timonin. Ishin të dyja parkuara në një shesh të vogël pranë dhomave të zhveshjes, në pjesën veriore të stadiumit. Me shumë vështirësi, Ganiu, shoferi u shtri barkas nën makinë dhe arriti të futej nga ana tjetër. Nuk e di si ka dalë përmes turmës, por ne pasi kaluam nga puset e naftës, e kemi pritur përgjatë rrugës kur ai erdhi me shumë vonesë. I ulur në sedijen e parë, kisha një triko me vete të cilën e vura në gjoks se xhami i parë ishte thyer. Kujtoj se na ka ndaluar policia rrugore dhe na kërkuan edhe dokumentet…

Mneri, u shoqërua me shumë zhurmë edhe post-ndeshja. Pse?

Edhe sot kam pyetjen që nuk i jap përgjigje e nuk e kam kuptuar përmasat e asaj ngjarjeje. Për mua interpretimi që iu bë, pati ngjyrim politik më tepër sesa duhet. U konsiderua si revoltë ndaj regjimit. Gjatë ndeshjes, nuk kam dëgjuar të paktën një thirrje kundër sistemit, qeverisë apo shtetit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"