Gazetarët debat për shkarkimin e Egbosë, Halilaj: Mezi prisnin që të gabonte, nuk është normale…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2020 | 23:47

Gazetarët debat për shkarkimin e Egbosë, Halilaj: Mezi prisnin që të gabonte, nuk është normale…

Emanuel Egbo nuk është më trajner i Tiranës. Menjëherë pas eliminimit të Tiranës nga Korabi në Kupën e Shqipërisë nisën diskutimet për largimin e tij, ende pa dalë deklarata zyrtare e klubit. Kjo temë u diskutua në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, ku fillimisht gazetari Ylli Aga deklaroi se sipsas tij cikli i Egbosë ka përfunduar. “Unë guxoj të them që Egbo e ka mbyllur sot ciklin me Tiranën pas eliminimit nga Kupa. Eliminimi është shumë i rëndë dhe faturën e kësaj disfate natyrisht që do ta mbajë dikush”, deklaroi Aga.

Jetmir Halilaj Ylli Aga

Ndërkaq, kjo pasoi me replikën e Jetmir Halilajt, kryeredaktorit të “Panorama Sport”, i ftuar gjithashtu në studio. “Eliminimi në këtë fazë të Kupës, për më tepër nga Korabi që mbeti me 10 lojtarë prej minutës së 65-të, është i rëndë. – deklaroi Halilaj – Natyrisht, Tirana kishte mungesa të rëndësishme sepse një pjesë të lojtarëve i ka në kombëtare, por kjo nuk e justifikon eliminimin. Megjithatë, duhet të jemi korrektë dhe të themi të vërtetën: shkarkimi i Egbosë ka kohë që përflitet. Asnjëherë nuk ka pasur “kimi” mes tij dhe Refik Halilit. Egbo fitoi titullin kampion, arriti një seri rezultatesh pozitive rekord dhe në fund, kur i rinovuan kontratën si trajner i parë, as një foto formale nuk bënë.

Tirana bën foto me lojtarët e rinj të akademisë, ndërsa për trajnerin e parë, as që e mori mundimin… Janë detaje të vogla, por të bëjnë të kuptojnë se ka kohë që gatuhet largimi i tij. Dhe nuk është normale. Një klub që kërkon të ndërtojë një cikël fitues, nuk pret me padurim të gabojë trajneri dhe ta shkarkojnë atë. Klubet e kryeqytetit nuk po bëjnë dot atë që bëri Skënderbeu për vite me radhë: merr lojtarët më të mirë të kampionatit, jepi kohë trajnerit dhe vazhdo punën me qetësi dhe me durim.

Tirana më duket se po bën të njëjtin gabim që bëri Partizani një vit më parë. Këta fitojnë titullin dhe pastaj heqin trajnerin, bëjnë ndryshime të ekzagjeruara në ekip, e në fund e ka fajin stafi… Nuk është normale kjo që ndodh në Shqipëri. Dhe nëse Egbo shkarkohet sot, do të thotë që ia kanë prerë biletën kohë më parë…. Kjo nuk është fare serioze”, deklaroi ndër të tjera Halilaj.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"