Gazeta “Sporti Shqiptar” që nuk është më!

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Dhjetor 24, 2015 | 17:41

Gazeta “Sporti Shqiptar” që nuk është më!

Besnik-DizdariNga BESNIK DIZDARI

Nuk duhet të na kalonte ky vit 2015 pa kujtuar një përvjetor tejet të rëndësishëm e kuptimplotë të kulturës kombëtare: 80-vjetorin e themelimit të gazetës së parë sportive shqiptare, atë “Sporti Shqiptar”.

Dhe them “të kulturës kombëtare”, sepse një gazetë, qoftë e sportit apo qoftë bie fjala, e bujqësisë, është thjesht kulturë kombëtare. Po e theksoj “kulturën” këtu, sepse dihet, sporti është edhe ai po kulturë. Ndonëse për fat të keq, për faj edhe të njerëzve të tij, ai vazhdon që të mbetet disi larg kulturës.

Madje të kulturës në tanësi, por po aq edhe të kulturës së tij në veçanti, kur, përveç të tjerave, dihet se kemi edhe atë që quhet “kulturë fizike”. E pra, përballë dukurive e fakteve që na shpalosen të pamëshirshëm, nëse kultura shqiptare është shumë më e vëmendshme për të ruajtur deri diku vlerat e saj, sporti shqiptar për fat të keq assesi!

“Sport” i Beogradit konfirmon “Sportin Shqiptar” të parën në Ballkan!

Ka kaluar gati një muaj nga 80-vjetori i “Sporti Shqiptar”, por askush nuk bzani. Natyrisht e kemi fjalën për shtetin shqiptar, qeverinë shqiptare, por sidomos ministrinë përkatëse shqiptare, Mirëpo ata tashmâ e kishin futur në arkiva gazetën “Sporti Shqiptar”. Ia ndaluan botimin, e harruan! Dhe krejt papritmas, mû në këtë situatë shuarjeje, “zbuloj” një të dhënë tejet interesante.

Faqe e parë e "Sportit Shqiptar" të viteve '30

Faqe e parë e “Sportit Shqiptar” të viteve ’30

E vërteta është se këtë të dhënë afirmuese, autori i këtushëm në një mënyrë tjetër, e ka thënë me kohë, ndonëse gjithnjë me një farë mëdyshje. Tash na del një konfirmim tjetër. Kam në dorë gazetën sportive më të madhe dhe më të vjetër të Serbisë, atë të Beogradit, “Sport”.

Dhe nuk kam “në dorë” faqen e internetit të saj. Kam pra në dorë gazetën e botuar në letër në mijëra kopje. Në numrin e saj prej 32 faqesh, atë të 2 nëntorit 2015 gazeta e mirënjohur “Sport” e Beogradit të Serbisë, teksa përkujton 70-vjetorin e themelimit të saj (1945), shkruan fjalë për fjalë:

“Dizajn i ri i gazetës sportive më të vjetër të Ballkanit” (“Novi dizajn najstarijer sportskog lista na Balkanu”). Kuptohet që gazeta ka përzgjedhur një mënyrë origjinale për të përkujtuar 70-vjetorin e themelimit të saj, duke i dhënë faqosjes së saj një pamje edhe më moderne. Në testaton e saj ajo vë mbiemërimin “70 vjet me ju” (“70 godina sa vama”), duke shtuar edhe nënemërtimin: “Gazeta e parë sportive në Ballkan” (“Prvi sportski list na Balkanu”).

E, pra, këtu gazeta “Sport” e Beogradit të Serbisë ka gabuar rëndë. Sepse viti i themelimit të saj “1945” ka plot 10 vjet më pak nga viti i themelimit “1935” të gazetës “Sporti Shqiptar” të Shqipërisë. Sigurisht unë mund të lidhem me redaksinë e “Sportit” të Beogradit dhe ndoshta këtë do ta bëj, e t’i dërgoj një kopje të “Sportit Shqiptar” të vitit 1935 dhe me mirësjellje e mirëkuptim kolegësh t’i them se as Jugosllavia e krajlit Aleksandër apo e krajlit Peter II dhe as Jugosllavia e Titos nuk kanë botuar gazetën e parë sportive në Ballkan.

Ky themelim i përket Shqipërisë së Mbretit Zog, e cila më 28 nëntor 1935, në ditën e përvjetorit të Pavarësisë së saj, botoi gazetën e parë sportive në Ballkan të titulluar “Sporti Shqiptar”.

Ndërkaq, jam i bindur se me kulturën që zotërojnë kolegët serbë, midis të cilëve përherë ka pasur gazetarë të rangut të lartë europian, do ta heqin nga testato e “Sport”-it të tyre titullimin e përditshëm si “Gazeta e parë sportive në Ballkan” (“Prvi sportski list na Balkanu”).

Ndonëse e kam një dyshim, teksa me ironi e buzëqeshje mund të më thonë: “Po ku e keni ju ‘Sportin Shqiptar’ që qenka e para në Ballkan?”… E unë që do të detyrohem të hesht. Kjo ngaqë shteti im shqiptar, qeveria ime shqiptare, ministria ime përkatëse shqiptare, e çuan në arkiva “Sportin Shqiptar”.

E shkreta kulturë shqiptare, ajo për të cilën i pamëshirshmi dhe mashtruesi “legjendar”, Vladan Gjeorgjevic në librin e tij shovinist “Shqiptarët dhe fuqitë e Mëdha” (1928) pat shkruar se “shqyptarët ndonji farë kulture s’kanë”. I shkreti Mustafë Krujë!

E pat përkthyer këtë libër me shpresë se do të na ndikojë që na të vijmë në vete, teksa shkruan me mllef e thirrje: “Anmiku detyrën e vet e ka krye. Ndashti asht detyra e jonë me përfitue… me qortue gabimet, me ndrequn të metat…”. Vërtet! A i kemi ndreqë ne këto gabime apo vazhdojmë t’i shumojmë ato?…

“Sporti Shqiptar” si vepër e Ministrisë së Arsimit

“Sporti Shqiptar” është krijuar më 28 nëntor 1935. Pikërisht në këtë ditë të madhe të përvjetorit të Pavarësisë me daljen e numrit të parë, nis në Shqipëri për herë të parë botimi i rregullt i një të përkohshmeje sportive me kreun kuptimplotë “Sporti Shqiptar”, organ i Federatës së Shoqnive Sportive Shqiptare.

80 vjet më parë kjo gazetë ndër të parat në Europë e Ballkan, thuajse është rrëmbyer prej lexuesve! Themelimin e “Sportit Shqiptar” e kanë bërë më 1935 Prof. Luigj Shala e Anton Mazreku me shokë nën mbështetjen e fuqishme të Mbretërisë Shqiptare.

Rithemelimin e ka bërë autori i këtyre radhëve me shokë, gjithsesi duke dalë disi me forcë mbi vetë moskuptimin e një pjese të redaksisë që drejtonte, natyrisht pa u kundërshtuar assesi prej Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të vitit 1995, nga e cila gazeta varej.

Dhe ndoshta një nga gjërat më të rëndësishme që kemi pasur rastin të bëjmë gjatë atyre 17 vjetëve, ka qenë rivendosja pas 60 vjetëve, më 31 tetor 1995, e titullit “Sporti Shqiptar” në kreun e gazetës. Ishte si një sfidë, kur kujtoj nënqeshjen e përfaqësuesve të mjedisit të paditun përreth.

“Sporti Shqiptar” është e vetmja gazetë shqiptare që ka bashkuar fillimin dhe vazhdimësinë e shtypit atdhetar shqiptar, qysh nga dekadat e para të Shekullit të shkuar.

Dhjetë vjet para saj, Palok Nika kishte botuar në Shkodër “Gazeta e Sportit” për më se një vit, frontespic të së cilës ne e publikuam në ceremoninë e Edicionit të 9-të të Çmimit “Anton Mazreku” që u zhvillua pra, më 5 nëntor 2005 në Hotelin “Sheraton”.

Ku dukej dhe firma e një gjimnazisti 17- vjeçar, të quajtur Anton Mazreku, i cili do të ishte një nga bashkëpunëtorët më të rregullt. Dhjetë vjet më mbas, më 1935, ky ish-gjimnazist, Anton Mazreku, emërohet nga Mbretëria drejtor i “Sportit Shqiptar”, duke mbetur i tillë deri në numrin e fundit, më 25 qershor 1939.

“Sporti Shqiptar” i 1935-tës ishte i përjavshëm me 4 faqe, po dhe me 6 e ndonjëherë edhe me 8 faqe, në një format gazete, që ndryshonte midis klasikes dhe atij të tabloid-it. Madje, kam një numër special me 12 faqe që, për nderim, së shpejti do ta botoj anastatikisht ku të mundem.

Në atë 1935 në Europë nuk ka pas asnjë gazetë sportive me 12 faqe. Dilte çdo të enjte, ndonëse ndonjëherë e afronte ose e shtynte ditën e botimit. Botohej nën kujdesin e posaçëm të Ministrisë së Arsimit dhe ka qenë ndër të vetmet gazeta kulturore e subvencionuar nga shteti, fakt që na bën të kuptojmë rëndësinë e madhe që Mbretnia Shqiptare kërkonte t’i jipte zhvillimit të sporteve. Ky pra ishte “Sporti Shqiptar” – gazeta e parë sportive e botuar në Ballkan.

E më duhet ta falënderoj “Sport”- in e Beogradit për konfirmimin e ri që padashur i bëri këtij themelimi. Tash po i drejtohem Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë: a mundet me më tregue një themelim tjetër kësisoj të tipit universal gazetarije që, përveç “Sportit Shqiptar”, të ketë botuar një tjetër Shqipëria për herë të parë në Ballkan?…

“Iluminizmi” modern i “Sportit Shqiptar”

Profesori i edukimit fizik, i nderuari Aqif Domini – na ka lënë një dokument të rrallë përmes kryeartikullit të numrit të parë të “Sportit Shqiptar” të 28 nëntorit 1935, të firmosur prej tij. Shkruan: “Jam i sigurtë se “Sporti Shqiptar” do t’i jap nji idhe të plotë e të saktë popullit, nji idhe të pagabueme, se çdo me thanë ushtrim fizik racional, se çdo me thanë stërvitje fizike e bame në bazë parimesh e ligjësh fisiologjike, se çdo me thanë sport, atletikë, lojë, gjimnastikë etj. etj. e për këto mësime ka aqë shumë nevojë populli, kanë aqë shumë nevojë atletët a sportmanët t’onë.

“Sporti shqiptar”, me anë të shtyllave të saj, të cilat duhet të jenë të hapuna për çdo njeri të degës, për çdo njeri që di të çfaqë mendime të pagabueshme, do t’i shërbejë mjaft përparimit të lëvizjes trupore, prej së cilës pritet përmirësimi i racës s’onë e cila, të them të vërtetën, len pak me dëshëruem.

Qëllimi i parë pra i kësaj reviste të dëshërueshme nga shteti, i cili nuk asht kursyem për nji zhvillim të mirë të sportit, tue harxhue mijna fr. ari, me gjithë krizën e kohëve të sotme, duhet të jetë propaganda për nji përmirësim sistematik e rranjësuer, për nji rilindje të themi ma mirë, të lëvizjes në fushat sportive për nxanësit e për djelmnin jashtë shkollore.

Aqif Domini, Anton Mazreku e së bashku me ta edhe Luigj Shala përbëjnë trinomin e fuqishëm të botuesve të “Sportit Shqiptar” të 1935-ës, i cili vuri themelet e publicistikës sportive shqiptare. Firma të tilla si Besim M.Qorri, Avni Zajmi, Spiro Shuteriqi, Teufik Ademi, Ibrahim Dizdari, Myfid Halimi, Dr. Vasfi Samimi, Gaqi Kusha, Fadil Podgorica, Hysni Metani, Qamil Guranjaku, Gaqo Gogo, Halim Begeja, Selman Stërmasi, Samo Singer e mjaft të tjerë, po aq sa janë kronistët e parë shqiptarë sportivë janë dhe komentatorët e parë të cilët vunë themele.

Ne që erdhëm më mbas nuk kemi lindur asisoj mbi një tokë djerr. Jemi mbasardhës të një shkolle dhe është mëkat nëse ndryshojmë kurs – çka për fat po ngjet – nga kursi atdhetar që i dhanë këta themeluesit të gazetarisë sonë sportive.

Pa dyshim, figura më e madhe mbetet Anton Mazreku, gazetari dhe radiokronisti i parë, organizatori i shquar i sporteve në Shqipëri, njeriu që e rikrijoi “Sportin Shqiptar” më 1945 me “Sportin” e Mbasluftës, duke i ruajtur autenticitetin dhe fytyrën e themelimit. Mënjanimi i mëpastajmë i Anton Mazrekut ka qenë një humbje e madhe për historinë atdhetare të “Sportit”.

Universal i spikatur i kulturës kombëtare, njeriu i cili përmes dajës së tij, atdhetarit të madh Luigj Gurakuqi, pruri në Shqipëri deri dhe sistemin e pikëzimit (2, 1 dhe 0 pikë) në ndeshjet e futbollit, Mazreku ishte nga ata gazetarë, të cilët e ndjenin mbi kurriz anën masakruese të këtij profesioni të mundimshëm, po aq të bukur e fisnik.

Dhe e përballonte vetë, jo me shërbëtorë. Ka qenë nga ajo racë gazetarësh, i cili i vetëm shkruante një gazetë të tanë dhe shpesh harronte me qëllim të vinte emrin e tij poshtë.

Nuk kishte sporti ynë i viteve ’30 zhvillimin e sotëm, por larmia e gjinive të gazetarisë, informacioni i shumtë dhe efikas, pasqyrimi i jetës sportive deri në hollësi, përhapja e një kulture fizike përmes shkrimeve madje shkencore, po të shkruara qartë e kuptueshëm, popullarizimi i organizimit sportiv në botë, si dhe i garave më të mëdha botërore, duke i ndjekur ato rregullisht, përbëjnë bazamentin e përmbajtjes së baraspeshuar të “Sportit Shqiptar” të viteve ’30.

Është mjaft domethënëse për të kuptuar vlerat kulturore të “Sportit Shqiptar” kur kujton se për shumë kohë gazeta pati dhe faqen e vet letrare, përmes së cilës ajo kërkoi të nxiste një kulturë të përparuar të kohës, madje përtej asaj sportive. Kronikat e futbollit apo të sportit në tanësi, komenti sportiv, përshkrimi, polemika, kritika, humori sportive, në “Sporti Shqiptar” gjetën një kompetencë të lartë profesionale, duke u krijuar modelet e mirëfillta të gjithë këtyre zhanreve.

Ky ishte ai që, pa mëdyshje, mund ta quajmë “iluminizmi” modern i “Sportit Shqiptar”.

Drama e rënies, mbijetesës, politizimit dhe lirisë

Më 25 qershor 1939, pa kaluar tre muaj prej pushtimit fashist, “Sporti Shqiptar” “shuhet”, duke ndalë botimin e tij me një numër special të jashtëzakonshëm: i gjithi kushtuar tri fitoreve të bujshme të Italisë: në Beograd 2-1 Jugosllavisë, në Budapest 3-1 Hungarisë dhe në Bukuresht 1-0 Rumanisë! I dërguari special (i posaçëm) merret me mend:

Anton Mazreku. Jemi nën pushtim dhe gazeta nuk mund t’i shpëtojë politizimit për kah idetë sportive të pushtuesit. Ndonëse ia arrin që të ruajë me fanatizëm ndjesinë kombëtare të sportit shqiptar. Kjo ka qenë shkëputja e madhe dhe nuk është e lehtë të përpiqesh që më mbas të bashkosh një histori, çka në sistemin komunist do të ishte vërtet e pamundur.

Anton Mazreku u thirr edhe më 1945, saqë për një çast, të dukej se ishte fjala për të vazhduar mû këtë histori, por kurrë nën emrin “Sporti Shqiptar”. E quajtën “Sporti” dhe më 1949 e shndërruan në “Sporti Popullor”, papritmas duke e anatemuar pa asnjë fakt se deri atëherë kishte qenë një gazetë nën ndikimin jugosllav titist!

Vendimi Nr. 3 i Plenumit famëkeq të Federatës Sportive Shqiptare të 30- 31 marsit 1945 është i pamëshirshëm kur proklamon fjalë për fjalë e pikë për pikë: “Organi Qendror, Gazeta ‘Sporti’ të pushojë së ekzistuari!” Deri këtu mbërriti Partia.

Vetëm në disa muaj të parë të vitit 1945, për çudi Regjimi kishte lejuar që “Sporti” të ishte një kopje e bukur e “Sportit Shqiptar”, bile edhe po me ngjyrën e letrës, si të 1935-ës, po në stilin, po në faqosjen, e deri diku edhe në përmbajtjen.

Vazhdoi të kishte personazhe ende Riza Lushtën e Naim Kryezin, vazhdoi të përmendte sukseset e themelimeve të sportit të viteve ’30, deri sa një ditë të bukur parulla e frikshme “të fshihet një herë e përgjithmonë sporti i së kaluarës”, fshiu mû themelet autentike për t’i zëvendësuar me “të rejat”.

Deri aty sa numri i parë i “Sportit popullor” më 1949, nis me Nr.1, duke shuar gjithë numrat “aritmetikë rendorë” të “Sportit” të mëparshëm! Merita e madhe e atij që qysh më 1949 e deri më 1991 do të quhet “Sporti popullor”, natyrisht duke përfituar edhe nga profili sportiv i gazetës është se, pavarësisht nga ulje-ngritjet e tij, mbeti gazeta më e dashur e rinisë shqiptare, me gjithë politizimet, mbi të cilat, në fund të fundit operoi edhe autori i këtij shkrimi në cilësinë e kryeredaktorit për periudhën e parë të drejtimit të tij, atë 1982-’90.

Ndonëse ishte gazeta e parë midis tetë gazetave kombëtare, që qysh më 1983 hoqi citatin “Proletarë të të gjithë vendeve bashkohuni”, e për hir të së vërtetës historike, do thënë se ajo u zëvendësua me një citat sportiv të Enver Hoxhës, ndoshta më universali dhe më jopartiaku që ai mund të ketë lëshuar ndonjëherë nga buzët e tij: “Forca e gjallë e Atdheut qëndron te njerëzit, sa më të fortë fizikisht të jenë ata, aq më i fortë është Atdheu”.

Natyrisht pa ia vënë kurrsesi emrin e autorit, që ishte udhëheqësi komunist. Dhe drama që vazhdon me daljen e gazetës ditën e hënë, pra një ditë mbas ndeshjeve të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, çka në Shqipëri nuk kishte ndodhur asnjëherë në epokën e shtypshkronjave të plumbit, linotip i viteve ’30! Ngjarja e rrallë daton më 24 mars 1986.

Katër muaj më vonë, gazeta bëhet e përdyherëshme në javë, duke u botuar edhe të premten, përveç së hënës. Ka qenë një heroizëm i vërtetë poligrafik, nëse mund ta quajmë kësisoj. Për të shndërruar në realitet propozimin tonë u mblodh Sekretariati i Komitetit Qendror të PPSH! Kjo ka qenë Shqipëria.

E gjeta “Sportin Shqiptar” me 45.190 kopje në javë (32.842 të abonuar). Mbrenda vitit mbërriti në 54.194 në javë dhe së fundi në 73.530 kopje në numër ose 147.060 në javë, pra afër katërfish më tepër! Dhe prej të 147.000 plot 124.250 ishin abonime jo të shtetit si bie fjala “Zëri i popullit”, por të lexuesve të thjeshtë!

E shtypur me letrën arkaike të fabrikës së Lezhës, gazeta kushtonte gati dyfishin e çmimit të gazetave të tjera; e pra për të kuptuar fitimin financiar për këtë mjafton t’iu kujtojmë se gjithë rrogat e redaksisë ishin vetëm rreth 80.000 lekë të vjetër! Llogaritë e tjera i bëni vetë me lehtësinë më të madhe. Ishim në një lloj rekordi europian në raport me popullsinë.

E çuditshme! Një shpirt sportiv i popullit nën diktaturë! Historia e bujshme e “Sportit popullor” mbyllet më 17 qershor 1991. Sapo kishte mbërritur pluralizmi, por Partia e Punës ishte ende në fuqi dhe gazeta “Sporti popullor” ende e vetme varej nga BFSSH (Bashkimi i Fizkulturistëve e Sportistëve të Shqipërisë) në krye të së cilës ishte një anëtar i Komitetit Qendror të PPSH. Ai, siç e tregon edhe vetë, hapi në mëngjes zyrën dhe si zakonisht edhe atë ditë gjeti mbi tryezë gazetën për të cilën ende përgjigjej, po kësaj radhe për çudi e pa me një testato të re:

“Sporti”! Pra, pa cilësimin “Popullor”, të cilin ia kisha hequr pa e pyetur atë si shef i Partisë për këto punë, titull i cili, në mënyrë të gënjeshtërt, për mbi 40 vjet e kishte ngurtësuar vetë sportin shqiptar. Nuk ishte një trimëri e madhe megjithatë.

Kurrsesi nuk do të guxoja ta bëja këtë veprim pak vjet më parë. Për çudi, anëtari i KQ të PPSH, Ali Vukatana, u mjaftua me një kritikë dashamire telefonike dhe aq. Edhe me këtë episod dukej qartë se Regjimi po binte.

Rithemelimi i madh i “Sportit Shqiptar”

Rithemelimi i madh i përket 31 tetorit 1995, duke e shndërruar në “Sporti Shqiptar” të 1935-ës; dhe vetëm pak ditë më mbas, në numrin e 7 nëntorit 1995 i shtoj edhe të 167 numrat e “Sportit Shqiptar” të periudhës 1935- ’39.

Ishte 60-vjetori i themelimit që po festohej me rithemelimin dhe me trefishimin: botimin tri herë në javë më 1997. E mbas pak një e përditshme.

Dhe me të edhe shtatë të tjera të përditshme sportive, duke u bërë Shqipëria ndër vendet e para në botë për gazeta sportive të përditshme. Rritje sasiore sensacionale që natyrisht ka rënduar jo pak cilësinë.

Më 1999 (28 shkurt 1999), ngaqë humbas besimin sepse nuk u rezistoj pabesinave përreth, me editorialin e lamtumirës jap dorëheqjen publike nga “i imi” “Sporti Shqiptar”, editorial që më 7 mars 1999 pasohet nga një editorial afirmimi për 17 vitet e mia drejtuese, shkruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i asokohe, Edi Rama, editorial ndaj të cilit redaksia e mbetur tregoi se nuk çlirohej nga meskiniteti arrivist i padijes.

Natyrisht detyrohet ta botojë, por duke ia shkurtuar pa mëshirë, më saktë, duke hequr nga origjinali i shkrimit të Ministrit – i cili më ishte dërguar njëkohësisht edhe mua – këtë paragraf që arrivistëve në ngushtësinë profesionale të mendjes së tyre iu dukej i frikshëm: ” Të shihni mundësinë që, gjithsesi, Ju të mbeteni qoftë dhe drejtor Nderi i gazetës më të vjetër që ka sot vendi ynë”.

Kështu, papritmas, në një mëngjes të marsit 1999, mbasi kisha botuar mijëra shkrime, gjendem tash i vetëm para arkivit tim, i cili më dhuron librat që kisha ëndërruar t’i shkruaja prej vitesh. Më mbetet në mendje 28 Nëntori 2005, kur personalisht për dëshirën time të ditës së 70-vjetorit të “Sportit Shqiptar”, ka parë dritën e botimit i 14-ti: “Historia e Kampionateve të Shqipërisë”, Libri 4 (1950-1954). Kurrë këto libra nuk do të ishin botuar pa pasur mbi tryezë, përveç të tjerave, edhe “Sportin Shqiptar” të Anton Mazrekut, “Sportin” e Anton Mazrekut, të Tuni Papuçiut e të Koci Zengos, “Sportin popullor” të Filip Liços, të Osman Palushit, të Skender Tupjes, të Agim Korbit dhe të Besnik Dizdarit.

Dhe as pa “Sportin” dhe “Sportin Shqiptar” po të Besnik Dizdarit. Nuk shkon asnjë centimetër më tej se deri këtu e gjithë kjo kujtesë kombëtare për autorin e kësaj serie librash sportivë, që në njëfarë mënyre, përmbajnë vetë historinë e gazetës sportive shqiptare.

Kjo është dhe historia e çuditshme e gazetarëve sportivë shqiptarë. Kjo është historia e një gazete që për pak nuk arriti të bëhej 80-vjeçare! Një histori drejtimi jo thjesht për rekordet e tirazhit të një kohe nën diktaturë kur ajo ishte e vetmja gazetë sportive dhe lexuesi ishte i detyruar t’i drejtohej vetëm asaj, as për stilin e përtërirë, as për saktësinë historike – statistikore (periudha 1982-1999 ishte absolutisht e vetmja që ka fiksuar deri në detaje historinë e të gjithë sporteve shqiptare), as te qëndresa e një gazete në kushte jete të vështira, të letrës, të ndërprerjeve, të shpërblimeve më modeste përballë një fame të madhe, as për faktin e vetëm tipografik si e para gazetë e kompjuterizuar prej tetë të famshmëve kombëtare të diktaturës, falë ndihmës bujare të Ambasador Silvano Pedrollo-s, as për faktin historik si e para gazetë shtetërore që u shndërrua në ndërmarrje shtetërore pa financim nga shteti, por, mbi të gjitha, për rithemelimin, që vuri në vend historinë, bashkoi historinë, ruajti historinë, bëri histori, që sot mbetet e vetme (unike).

Është historia gati 80-vjeçare e “Sportit Shqiptar” – më e vjetra në Shqipëri – vepra jonë, për fat e askujt tjetër, çka nuk mund t’ia përvetësojnë kurrnjiherë vlerat, sidomos ata që mbetën mosnjohës dhe kundërshtues të përjetshëm të historisë, të kulturës kombëtare, të traditës sportive kombëtare, të ndjenjës atdhetare përmes sportit, përmes gazetarisë sportive.

Ajo çka mbetet janë rrënjët e “Sportit Shqiptar” të 1935-ës. Është ky roli atdhetar i “Sportit Shqiptar” që mbërrin sot mbas 80 vjetëve si një kujtesë për të ruajtur idealet olimpike kombëtare që ky botim tepër profesional, ndër të rrallët në Ballkan, e tash pra i pari në Ballkan, i kishte të shenjta.

Zhdukja e pamëshirshme e “Sportit Shqiptar” Me “Sportin Shqiptar” kam kaluar 17 vjet ndër më të pasurat e jetës sime në 50 vjet gazetarie profesioniste të pandërprerë.

Nuk kam assesi ndonjë dobësi për fjalën “krenari” që në Shqipëri jo vetëm është konsumuar, por them se është bërë tejet mashtruese. Them vetëm kaq: më vjen mirë që këto vite “Sporti Shqiptar” arriti kulmet e tij. Gazeta është aty, shkoni e shfletojeni.

Madje, jo vetëm atë të viteve të diktaturës komuniste, por sidomos atë të mbas viteve ’90. Pagabueshmëria e tij në informacionin e jetës dhe zhvillimeve të sportit kombëtar u bë emblemë e kësaj gazete. Mos kujtoni se them që në këto arritje kam meritë vetëm unë.

Ka meritë redaksia me redaktorët e saj. Ka meritë ushtria e pafund e korrespondentëve, kronistëve në qytete e rrethe.

E, “Sporti Shqiptar”, përveç të tjerave, qe shndërruar thuajse në një lloj klubi të kulturës kombëtare të rangut. Ku hyhej pa trokitur, ku takoje kryeredaktorin sa herë të doje, kur shkruaje (natyrisht nëse shkrimi ishte i botueshëm e i vlerave kombëtare), sa herë që kishe diçka të dobishme për të thënë.

Dhe merita e meritave: “Sporti Shqiptar” u bë gazeta e parë shqiptare, e cila menjëherë qysh më 1990 shpalosi historinë e vërtetë kombëtare të një fushe e veprimtarie të gjerë të kombit shqiptar, siç është zhvillimi dhe ecuria e sportit kombëtar.

Dhe këtë e bëri para të gjitha fushave të tjera të jetës shqiptare. Madje e bëri kur historianët e këtyre fushave qëndronin të ngurosur e të pa iniciativë në zyrat e tyre të rëna tashmâ. Tash gazeta “Sporti Shqiptar” nuk është më! Si u zhduk? Si u harrua kësisoji? Si u fshi nga historia?

E pak a shumë dihet rrjedha e ngjarjeve qysh më 1999-2000 kur gazeta nuk kaloi në rrugën ligjore të privatizimit. Por nuk më takon mua t’u përgjigjem këtyre pyetjeve, përderisa u vetëlargova prej saj.

Ajo që më takon mua është ta përkujtoj historinë e madhe të gazetës, për fatin e madh mû në ditët kur një konfirmim i ri, i cili po për fat (jo drejtpërdrejt) vjen përtej nesh, e padashur na vërteton se gazeta e parë sportive në Ballkan nuk është gazeta “Sport” e Beogradit e vitit 1945, por është gazeta “Sporti Shqiptar” e Tiranës e vitit 1935!

Në kohën e Mbretërisë pra, kur si e tillë u formua, teksa ishte e Ministrisë së Arsimit. E si e tillë mbeti edhe gjatë regjimit komunist e po aq vazhdoi edhe në shumë vite të Demokracisë, apo qoftë dhe e Ministrisë së Kulturës.

Nuk e di nëse Ministria e sotme e Arsimit që aq bukur i ka shtuar emërtimit të saj edhe fjalën “Sport” ka dëgjuar se “dikur” ka pas një gazetë “Sporti Shqiptar” që është e para në Ballkan. Megjithatë, nuk dua ta besoj se në atë Ministri punojnë njerëz, të cilët nuk ia kanë dëgjuar kurrë zërin “Sportit Shqiptar”.

Mund të besoj se aty punojnë edhe njerëz pa ndonjë meritë, të cilët kanë hyrë në ministri pa asnjë konkurs, pa asnjë përzgjedhje për së mbari, por ndoshta thjesht për anshmëri të politikës, por edhe falë miqve, siç ngjet rëndom në Shqipëri.

Ashtu siç e besoj fort mirë se problemi bazik nuk qëndron te zhdukja e “Sportit Shqiptar”. Në të vërtetë, sporti kombëtar ka probleme shumë më të mëdha se zhdukja e gazetës së tij kombëtare, edhe pse kjo është e para gazetë sportive e Ballkanit. E gjithë kjo histori është një histori kulture kombëtare.

Dhe një komb që harron e nuk punon si duhet për kulturën kombëtare, apo themelimet saj të vyera, atëherë mjerë ai. Kësisoji edhe për “Sportin Shqiptar” që është gazeta e parë sportive e Ballkanit. Dhe ec e merre vesh se çka ka Shqipëria që nuk e do këtë vend nderi të parë në Ballkan!…

 






www.minuta90.com