Gazeta e njohur angleze: Broja mund të jetë numri 9 i të ardhmes të Çelsit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 28, 2021 | 0:33

Gazeta e njohur angleze: Broja mund të jetë numri 9 i të ardhmes të Çelsit

Armando Broja duket se po luan mirë çdo shans që ka te Çelsi dhe ndeshje pas ndeshje, me paraqitjet dhe golat e tij, po merr edhe vlerësime të rëndësishme si një futbollist i cili ka të ardhme në radhët e bluve londinezë. Pas ndeshjes ndaj Bornmuth, ku Broja shënoi golin e barazimit në fitoren 2-1 të skuadrës së tij, e përditshmja “Daily Mail” e ka përshkruar atë si një lojtar që mund të bëjë diferencën për blutë.

broja

“Broja mund të jetë numri 9 i të ardhmes” shkruan ajo në artikullin mbi 6 gjërat që spikatën në suksesin e bluve në këtë miqësore.

“Çelsi është në treg për një sulmues këtë verë, ky nuk është sekret. Por duket se ata kanë një opsion shumë premtues për të ardhmen si Armando Broja. Sulmuesi adoleshent shqiptar është lindur dhe dhe rritur në Slou, 1600 milje larg Tiranës dhe ka qenë një lojtar i Çelsit që kur ishte 10 vjeç, ndërsa kaloi sezonin e fundit në huazim te Vitese Arnhem.

Ai u fut në lojë pas pushimit të ndeshjes dhe menjëherë u duk më i lëvizshëm dhe i rrezikshëm se Tami Abraham, i cili shpërdoroi disa mundësi në pjesën e parë. Broja pastaj tregoi instinktin e tij për golat me një kontroll të mirë në zonë dhe një finalizim të pastër për ta çuar rezultatin në 1-1. Ai dukej i shpejtë, i mirë me topin në këmbë dhe i gatshëm për të treguar sa vlen.

Ndaj ndërsa Tuhel është në kërkim për rroga të larta për një numër 9 të gatshëm për këtë vere, ai mund të shohë drejt të ardhmes, për të pasur Brojën në radhët e ekipit për shumë vite në vijim”, shkruan e përditshmja angleze në artikullin e saj që është padyshim një vlerësim i jashtëzakonshëm për sulmuesin e përfaqësueses shqiptare.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"