Gavazaj dhe një portier, Bylisi “flakë” në… Lezhë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2021 | 10:55

Gavazaj dhe një portier, Bylisi “flakë” në… Lezhë

Alush Gavazaj i cili ka luajtur me Bylisin edhe në sezonin 2014-2015 është rikthyer në Ballsh pasi është aktivizuar së fundmi në Kosovë apo në Maqedoni dhe ka ardhur si preferencë e trajnerit Jeton Beqiri. Gjithashtu, ballshiotët kanë përforcuar edhe portierin nga Shkupi, Mirza Durakoviç, 25 vjeç, 197 cm i gjatë.

ALUSH GAVAZAJ

Këto dy zyrtarizime vijnë një ditë para startit të sezonit me Besëlidhjen. Durakoviçi vjen nga Portugalia ku së fundmi ka luajtur me skuadrën e Marinhensesë. Dje u zyrtarizua edhe portieri Alban Miftari. Bylisi është gati për ndeshjen me Besëlidhjen. Trajneri Jeton Beqiri për “Panorama Sport”, para premierës në Lezhë flet për merkaton, skuadrën dhe synimet e Bylisit:

Mirza Durakovic

“Situata është e mirë dhe i kemi të gjithë lojtarët në dispozicion. Kjo është pozitive për ndeshjen e parë. Jemi të vendosur të bëjmë maksimumin dhe për këtë kemi më shumë se një muaj e gjysmë që përgatitemi. Jam shumë i kënaqur me grupin e lojtarëve që kam në dispozicion dhe rrjedhimisht kjo do të thotë që garën do ta përballojmë me sukses. Do të kërkojmë më të mirën duke nisur që nga ndeshja në transfertën e Lezhës.

Ja kemi bërë ‘hyzmetin’ kësaj sfide dhe unë besoj shumë te forca e Bylisit. U kam kërkuar lojtarëve që të kenë respekt për veten dhe fanellën që mbajnë veshur, por natyrisht edhe duke respektuar kundërshtarët në çdo përballje. Besëlidhja është një ekip me traditë në futbollin shqiptar dhe i fortë. Ne kemi lojtarë cilësorë dhe grup solid.

Jam i bindur që do të marrim maksimumin në çdo ndeshje, duke nisur nga Besëlidhja. Do të shkojmë si një skuadër e mirëorganizuar, e disiplinuar taktikisht, e përgatitur mirë dhe që synon më të mirën. Nisur edhe nga sa thashë më sipër, një skuadër si ne kërkon maksimumin e pikëve. Ku ka më mirë sesa kur e nis me fitore”.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"