Gatuzo: S’kemi kundër vetëm CR7, Alegrin e “sqaroj” në celular

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2018 | 18:32

Gatuzo: S’kemi kundër vetëm CR7, Alegrin e “sqaroj” në celular

Mënyra më e mirë për t’u përballur me një problem është t’i “nxjerrësh” disa aspekte pozitive. Xhenaro Gatuzo përdori këtë strategji për të komentuar çështje delikate të dëmtimeve kuqezi. Vështirësitë vërshuan ndaj “Djallit” njëra pas tjetrës, duke e bërë edhe më të komplikuar përgatitjen e një sfide si kjo kundër Juventusit, e programuar për sot në ora 20:30 në “San Siro”. “Ata janë një ekip i stërmbushur me kampionë që vijnë nga një planet tjetër.

gatuzo

Së bashku me Barcelonën janë më të fortët e Europës. Ndonjëherë më duket sikur as nuk djersijnë me Kristiano Ronaldon që i ka dhënë një mentalitet edhe më fitues”, tha trajneri kuqezi mbi Juventusin, teksa për skuadrën e tij shtoi: “Megjithëse kemi shumë probleme do të luajmë me kokën lart, sepse në futboll mund të ndodhë gjithçka.

Fakti që shumë nga lojtarët tanë nuk janë në kulmin e formës, është pikërisht pika jonë e fortë. Moria e dëmtimeve e ka bërë skuadrën më kompakte. Shoh njerëz që thonë ndonjë fjalë më shumë, çka ndihmon shumë në dhomat e zhveshjes. Te djemtë nuk shoh shqetësim, por bashkim”.

NDESHJA – Individualitetet mund të bëjnë diferencën, si për miqtë, ashtu edhe për Milanin. Për shembull, për Higuain, Rino ka një këshillë: “Duke e ditur si i ndien ndeshjet dhe çfarë karakteri ka, e këshilloj të rrijë i qetë. Në të tilla sfida nevojitet kthjelltësi. Gonzalo nuk është fort mirë fizikisht, gjithsesi duhet ta shijojë këtë përballje. “E sigurt është që s’e nisim këtë sfidë të humbur dhe do ta luajmë me dëshirë të madhe dhe sens përkatësie. Prej tri javësh na është dashur të luftojmë dhe e kemi bërë”.

Gatuzo

CR7 – Duke kapërcyer te rivalët është e kotë të diskutohet, sepse Ronaldo është njeriu simbol te bardhezinjtë. “Në këto kushto nuk mund t’i lejojmë vetes që të përqendrohemi te një lojtar i vetëm. Ishte një kampion që kur e kam përballur si futbollist. Duhej të ishe i rëndë ndaj tij, por fundja unë veç atë armë kisha. Tani ai është më i pjekur dhe e prek topin më rrallë. Gatuzo aktual mund të jetë Kesi, por kujdes se nuk po flas për markim të personalizuar. Një si Ronaldo ndalet vetëm në repart, teksa një për një duhet markuar Bonuçi, atij i duhet mbyllur mundësia e lojës”, sqaroi tekniku 40-vjeçar i Milanit.

BONUÇI & ALEGRI – Pikërisht emri i mbrojtësit i jep fill një diskutimi që e bën Gatuzon pak nostalgjik. “Leo na dha shumë profesionalisht, por edhe nga ana njerëzore. Nëse jam përmirësuar në karakter, është edhe falë tij. Kur acarohesha, ishte Bonuçi që më qetësonte dhe për mua ka qenë një nder ta stërvit. Do ta përshëndes me ngrohtësi”, deklaroi Rino. Fjalë të ëmbla nga ana e trajnerit kuqezi edhe për homologun Alegri, për të cilin tha:

gatuzo

“Masimilianon e kam pasur kapiten, trajner dhe nëse flet mirë për mua e bën sepse jemi miq. Zënkat me njerëz si ai dhe Leonardo më kanë ndihmuar të bëj këtë profesion, sepse falë tyre mësova si të raportohem me lojtarët. Me Alegrin kemi debatuar shpesh, por nuk ka mëri.

Me të kam vetëm kujtime të bukura. Një javë po e një javë jo flasim në telefon mbi futbollin për rreth një orë”. Një batutë edhe për Murinjon, i fundit në rang kohor që mundi Juven në shtëpi. “Nuk mund të komentoj Murinjon sepse në karrierë jam sjellë edhe më keq”, përfundoi Gatuzo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"