Gatuzo me dorë të hekurt, dënon lojtarët pas humbjes me Beneventon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2018 | 9:32

Gatuzo me dorë të hekurt, dënon lojtarët pas humbjes me Beneventon

Xhenaro Gatuzo ishte një furi pas humbjes me Beneventon, sepse ajo skuadër që ka arritur t’i rrëmbejë katër pikë Milanit në dy ndeshjet e luajtura në kampionat, pavarësisht arritjes historike, dje pasdite nënshkroi zyrtarisht rënien e saj në Serinë B. Me gjithë respektin për formacionin në të cilin bëjnë pjesë mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Berat Gjimshiti (lojtari më i vlerësuar kundër Milanit) dhe mesfushori Ledian Memushaj, për një skuadër si kuqezinjtë, që në verë bënë gati 200 milionë euro merkato, humbja ishte e patolerueshme dhe për më shumë, tani rrezikojnë seriozisht edhe kualifikimin për në Ligën e Europës.

gatuzo

Kjo, sepse pas fitores së djeshme të Atalantës, “Djalli” ka zbritur në pozicionin e shtatë të renditjes. E gjithë kjo ka bërë që trajneri Xhenaro Gatuzo kurrsesi të mos falë dhe të tolerojë atë që ndodhi të shtunën në mbrëmje, në stadiumin “San Siro”. Ai ka vendosur që të dënojë ashpër futbollistët e tij.

Nëse fillimisht Milani kishte parashikuar dy ditë pushim për skuadrën (të diel dhe të hënë), “Rino” ka urdhëruar anulimin e tyre dhe ka nxjerrë skuadrën në stërvitje që në mëngjes. Sigurisht që vetëm dalja në fushë nuk ka mjaftuar, pasi ai ka përdorur tone të ashpra ndaj lojtarëve, duke u rikujtuar atyre se turpërime të tilla ai nuk ka ndërmend që t’i gëlltisë.

gatuzo

Në të njëjtën kohë, mediat e pranishme, të cilat sigurisht janë mbajtur jashtë “Milanello”-s kanë arritur që të kapin nga larg edhe një bisedë me tone disi nervoze, në të cilat trajneri i Milanit i drejtohej drejtorit të përgjithshëm, Marko Fasone, edhe pse ai nuk ka qenë një debat mes tyre, por thjesht një shfryrje dhe një shpjegim i vendimit të marrë nga trajneri:

“Le ta kuptojnë mirë ata, atë që unë kam kaluar në gjithë këto vite karrierë. Ne, edhe kur fitonim, dinim të pranonim dhe gjëra si këto, sepse jemi Milani”, raporton media italiane mbi dialogun e Gatuzos dhe Fasones.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"