Gatuzo mbrohet: Milani ka pak përvojë në Europë, për momentin dua kualifikimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2018 | 17:24

Gatuzo mbrohet: Milani ka pak përvojë në Europë, për momentin dua kualifikimin

Zbarkimin e Milanit dje në qytetin e Razgradit e shoqëroi një borë e lehtë, por Xhenaro Gatuzo u gjend i përgatitur. Mbi klimën që e pret skuadrën në fushë, trajneri tha: “Temperaturat janë pak a shumë të ngjashme me ato të Milanos ku jemi stërvitur ditët e fundit. Kundërshtarin e kemi studiuar dhe mund të them se janë të rrezikshëm dhe se në Europë transformohen.

Gatuzo-470x295

Në kampionat janë më të përgjumur, ndërsa në Ligën e Europës gjallërohen. Janë një skuadër që lënë hapësira dhe mendoj se do të dimë si t’i godasim. Trajneri i tyre pret që t’i nënvlerësojmë? Ju siguroj se nuk ka për të ndodhur. Në vitet e fundit, Ludogoretsi ka luajtur në Europë më shumë se Milani dhe kanë më tepër përvojë se ne”.

PA RROTACION – Ndoshta kuqezinjtë nuk kanë përvojë, por rritja e skuadrës në ndeshjet e fundit është e dukshme. Arsye më shumë kjo për të vazhduar me të njëjtin formacion për Gatuzon, i cili në konferencë për shtyp shpjegoi: “Dua t’i jap vazhdimësi momentit pozitiv që po kalojmë.

Gatuzo

Djemtë i kam parë mirë fizikisht dhe nuk shoh lodhje. Ka trajnerë që ankohen për kupat europiane, por për mua është privilegj dhe kënaqësi. Do të vendosja firmën për të luajtur çdo tri ditë sepse do të thoshte që gjërat po ecin si duhet”.

ËNDRRA DHE OBJEKTIVA – Me Milanin që po jep sinjale  inkurajuese në aspektin e lojës dhe rezultateve, Gatuzo ka fituar disa siguri. Ndër të tjera, në fjalën e tij, trajneri kuqezi tha se nuk ndihet më i përkohshëm në pankinën kuqezi, duke sqaruar se: “Po jetoj një ëndërr dhe jam krenar për skuadrën.

Komplimentet nuk i pëlqeja as kur isha lojtar, ndaj pak rëndësi ka nëse më quajnë kalimtar apo diçka tjetër”. Llogaritë nuk kanë vend në komentet e Gatuzos, i cili, në mbyllje të konferencës, foli edhe për objektivat duke thënë se:

gatuzo

“Gjatë përvojës sime si futbollist nuk kam bërë kurrë llogari. Nuk di të zgjedh mes kompeticioneve, pasi luftoj për të gjitha. Hap pas hapi do të shohim rivalin e radhës, ndaj për momentin mund të them vetëm që objektiv mbetet kalimi i turit”.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"