Gatuzo i druhet Ozilit: Më lë pa gjumë, unë fillestar përpara Vengerit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 8, 2018 | 12:40

Gatuzo i druhet Ozilit: Më lë pa gjumë, unë fillestar përpara Vengerit

Sot është mbrëmja e sfidës me Arsenalin dhe në “San Siro” do të jenë mbi 70 mijë tifozë. Ndeshje për 1/8-at, por me shijen e Champions-it ajo e orës 19.00 me Gatuzon, që në konferencë për shtyp, deklaroi: “Në radhë të parë dua të ngushëlloj familjen e Astorit. Përveç futbollistit kemi humbur edhe një njeri të madh që të gjithë e donin.

Gatuzo Ozil

Kisha dy muaj pa e takuar, por herën e fundit që u pamë më tha se ishte krenar për mua dhe Milanin. Jo vetëm për respekt, por edhe për tronditjen e pësuar, të dielën nuk mund ta luanim derbin. Në këto ditë jemi stërvitur normalisht, edhe pse të trishtuar. Nga ana jonë do të duhet një ndeshje e madhe ndaj një ekipi të mbushur me kampionë që është realisht më i fortë se ne. Publiku ka bërë pjesën e tij, tani na takon ne, të bëjmë më të mirën.”

RINO, VENGER DHE FËMIJËT – Kuqezinjtë janë rritur ndjeshëm, sidomos në 100 ditët e fundit, por kjo nuk mjafton përballë një rivali si “Topçinjtë”, me Gatuzon, që sqaroi: “Përveç Bonuçit dhe Biljas, kam një ekip shumë të ri, i cili siç e kam thënë duhet të ngrejë stekën.

Gatuzo dhe Venger

Përvoja ime hyn pak në punë tani, sidomos nëse më krahasoni me Venger. Unë, përpara Arsenit, jam një trajner ekipi fëmijësh. Shqetësimi im është që të mos lejojmë kundërshtarin të na shënojë, ndërsa natën nuk fle pasi shoh në ëndërr Ozilin. Do të sfidojmë një ekip tepër teknik, duhet që të qarkullojmë topin shpejt dhe t’i lodhim. Nëse luajmë si në ndeshjet e fundit, mund t’ia dalim mbanë.”

SI ANÇELOTI – Siç e pranon edhe vetë trajneri kuqezi, përvoja e tij ndërkombëtare si trajner, është e pakët. Nuk mbetet gjë tjetër veçse të kujtojë mjeshtrat e tij për të ndikuar sadopak në moralin e ekipit. Rino e di mirë dhe e konfirmoi: “Djemve do t’u them ta shijojnë ndeshjen e ta përjetojnë me gëzim pasi ka lojtarë, që i ëndërrojnë të tilla takime dhe nuk i luajnë kurrë.

Duhet të mendojnë se kur gabojnë kanë një shok, tek i cili mund të mbahen dhe të mos kenë frikë. Lojtarët duhet të binden se unë me stafin e kam përgatitur më së miri ndeshjen. Ndjesi të tilla më transmetonte Ançeloti dhe unë do të bëj të njëjtën gjë me skuadrën time.”

Gatuzo

PREMIER VS SERIA A – Hendeku mes kampionatit italian dhe atij anglez ishte një tjetër temë e fjalës së Gatuzos, i cili deklaroi: “Nëse krahasojmë dy kampionatet, futbolli italian humb 10- 0. Ajo që një dekadë më parë ndodhte në Itali, tani po ndodh në Angli. Duhet parë gota gjysmë plot, se në mesin e kësaj problematike mund të përfitojnë të rinjtë tanë, për të cilët rriten shanset.

Kjo gjë më pëlqen dhe nuk është rastësi që kur përmendim Milanin, dalin emrat e Kalabrias, Kutrones dhe Donarumës, pa harruar se ekipet italiane nuk po luajnë edhe aq keq në Europë. Edhe Bonaventura ka bërë karrierë dhe e kërkojnë ekipet angleze, por i këshilloj të qëndrojë këtu, pasi në Angli do ta copëtojnë me lojën e tyre të ashpër”.

gatuzo-470x313

E ARDHMJA – Kontrata e re bën që në çdo konferencë të Gatuzos, të diskutohet për të ardhmen. Kjo temë nuk e shqetëson trajnerin, i cili në fjalën e tij mbyllëse sqaroi: “Dua ta ushtroj këtë zanat sa më gjatë dhe nëse ndodh te Milani do isha i lumtur, çështja është që mua më konsumon dhe që tani kam filluar të ndiej lodhje mbrëmjeve”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"