Gatuzo duartroket, por ul euforinë: Kutrone ka helmin në gjak, por ja ku i ka limitet Milani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2018 | 11:52

Gatuzo duartroket, por ul euforinë: Kutrone ka helmin në gjak, por ja ku i ka limitet Milani

Xhenaro Gatuzo nuk ka kohë për të festuar, sepse pavarësisht fitores së rëndësishme dhe tri pikëve të para me peshë, trajneri i Milanit e kupton që skuadra ka ende disa limite për të korrigjuar, por beson shumë te grupi i lojtarëve të tij. “Jemi ende në ndeshjen e dytë, por mos më flisni për kthesën e madhe të Milanit. Jam i zhgënjyer për mënyrën se si humbëm ndeshjen me Napolin, ku luajtëm mjaft mirë për një orë, por bëmë një paraqitje edhe më të mirë kundër Romës. Tani mos të kalojmë në eufori, sepse mos harrojmë që kemi shumë kundërshtarë që na presin.

gatuzo kutrone

Kundër Romës, ndryshe nga Napoli, diferencën e bëri mentaliteti, ndonëse kemi ende shumë limite për të përmirësuar. Cilat janë? Kur kundërshtarët na sulmojnë, në vështirësinë e parë që ndiejmë në fushë, tërhiqemi shumë. Kur u japim fushë rivalëve, e gjithë mbrojtja nis të trembet dhe këtë gjë duhet ta korrigjojmë sa më shpejt që të jetë e mundur. Kutrone dhe Higuain bashkë? Do të ketë kohë për të gjithë, por unë di të them që klubi më ka vënë në dispozicion një grup të rëndësishëm dhe do të ketë vend për të gjithë. Unë di të them se Kutrone ka helmin në gjak kur del përpara portës dhe kjo më pëlqen shumë.

Ndërsa, Higuain është arkitekti i atij aksioni, por edhe arkitekti i lojës korale që unë kërkoj. Thjesht duhet të mësohemi ta ndihmojmë, sepse nuk më pëlqen se si e shtrijmë lojën sulmuese, kur Higuain na vjen në mbështetje për të ndihmuar mesfushën”, përfundoi Gatuzo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"