“Gati të ndihmoj ekipin. Do ta kalojmë këtë ngërç”, Canka: Lushnja do ringrihet, nuk ka shanse të rrezikoj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2022 | 10:11

“Gati të ndihmoj ekipin. Do ta kalojmë këtë ngërç”, Canka: Lushnja do ringrihet, nuk ka shanse të rrezikoj

Në Lushnjë kërkohet kthesa. Pas humbjes së thellë që pësuan me Korabin dhe shkarkimit të Klodian Duros, në kamp janë gati për të nisur një tjetër “erë”. Në drejtimin e Edlir Tetovës do të tentohet vetëm fitorja. Luajnë në shtëpi dhe përballë Turbinës që mbyll renditjen, ndaj misioni është i qartë.

Canka

Edhe pse ka mungesa e dyshime, verdhejeshilët do të kenë edhe rikthime në organikë. Zyrtarisht janë “out” Melis Haxhiu e Ervis Gjyla, pezull mbetet Ledion Ruço, por në dispozicion do të jenë Fadil Meta dhe Mikel Canka. I pari ka kaluar problemet shëndetësore, ndërsa i dyti ka mbaruar punë me skualifikimin dhe dëmtimin njëherësh.

CANKA – Kapiteni Mikel Canka llogarit vetëm trepikëshin në këtë ndeshje shtëpiake, ndonëse e parashikon të vështirë. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, 35-vjeçari thekson se llogaritë me gabimet janë mbyllur tashmë dhe ka ardhur koha që të rikuperojnë pozitat në renditje.

“Ne e shohim si një ndeshje të fortë këtë me Turbinën. E dimë situatën ku ndodhemi. Sa herë kemi këto probleme, ekipi fillon reagon dhe tani presim pikërisht këtë.

Nuk duhet të ketë më gabime, nuk na falet. Në fushën tonë paraqitjet tona janë ndryshe, shprehemi më mirë. Jemi përgatitur për ta fituar. Kjo është e vetmja alternativë.

Fola për një reagim të plotë, kështu që duhet t’i marrim ndeshjet një nga një, për të dalë nga kjo situatë. Duhet ndryshuar edhe pak mentaliteti.

Lojën që bën në fushën tonë, duhet ta bëjë edhe në transferta. Kjo nuk ka ndodhur. Po hasim shumë vështirësi këtë vit. Shpresoj se do të ndryshojë çdo gjë.

Kemi lojtarë që janë të zotë të përmbysin situatat. 70% e ekipit ka eksperiencën e duhur për këtë. Kam besim se do ta kalojmë këtë ‘ngërç’ që na ka kapur.

Gjendja ime? Unë mund të isha i gatshëm edhe për Korabin. Por për të mos rrezikuar, kam qëndruar pushim. E ndieja dhimbjen e shpinës.

Tani e kam kaluar plotësisht. Fatmirësisht jam mirë për të ndihmuar ekipin. Renditja mund të jetë pezmatuese, por nuk ka shanse që të rrezikojmë.

Lushnja do të ngrihet dhe shumë më lart. Ekipi është i karikuar dhe nuk e pranon këtë gjendje. Me këtë dëshirë që kemi, autokritika do të vijë”, përfundoi sulmuesi.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"