Gati super premio për “kokën” e Kukësit, drejtuesit e Kamzës motivim ekstra në transfertë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2018 | 20:57

Gati super premio për “kokën” e Kukësit, drejtuesit e Kamzës motivim ekstra në transfertë

Kamza po kalon një moment shumë të keq në kampionat, duke ndërlikuar jo pak pozitat në klasifikim. Prej afro dy muajsh skuadra e Ramadan Ndreut nuk merr dot tri pikë në kampionat, teksa ajo fitore 2-3 ndaj Lushnjës në transfertë është një kujtim i largët. Pas barazimeve radhazi ndaj Vllaznisë dhe Flamurtarit, u mendua se skuadra e Ndreut do të rigjente qetësinë, por humbjet radhazi me Laçin dhe Partizanin e futën Kamzën në vorbullën e mbijetesës.

kamza

Katër pikë larg Vllaznisë dhe pesë nga Teuta e vendit të parafundit e bëjnë edhe më të vështirë situatën. Megjithatë, drejtuesit e klubit kanë gjetur një mënyrë për të motivuar gjithnjë e më shumë ekipin në këtë moment delikat. “Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta në klub se drejtuesit pritet të lënë në fuqi premion e premtuar para ndeshjes me Partizanin. “Keni 20 milionë lekë për fitoren dhe 10 milionë për barazimin”, mësohet t’i ketë thënë skuadrës para ndeshjes së fundit kryebashkiaku Mziu dhe presidenti Qarri.

Lojtarët nuk ishin në gjendje të mbanin as barazimin me të kuqtë, edhe pse dukej më afër se kurrë. Megjithatë, nesër kanë shansin të bëjnë kthesën e madhe ndaj kampionëve në fuqi. Kamza e nisi fazën e tretë me një fitore në Kukës, ndërsa tashmë do të kërkojë të përsërisë veten në fushën e vet. Problemi më i madh për Ndreun është fakti se do të mungojnë dy nga lojtarët kryesorë të skuadrës, pikërisht mbrojtësit Erlis Frashëri dhe Taulant Kuqi, të cilët janë të pezulluar.

Në dyshim është edhe mbrojtësi tjetër, Hektor Idrizaj, i cili edhe pse mund të quhet i riaftësuar, ende nuk është në 100 për qind të formës dhe nuk dihet nëse do ta nisë nga minuta e parë. Kamza e nisi shumë mirë këtë kampionat, por rezultatet në javët e fundit lanë për të dëshiruar. Megjithatë, ekipi pret që të bëjë kthesën që në ndeshjen e nesërme që do të luajë në Kukës ndaj kampionëve në fuqi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"