Gati “revolucioni” në Formula 1, FIA aprovon ndryshime të rëndësishme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2022 | 17:53


Gati “revolucioni” në Formula 1, FIA aprovon ndryshime të rëndësishme

Formula 1 ndodhet aktualisht në pauzën verore, me Botërorin që do të rikthehet në fund të gushtit kur do të fillojë pjesa e dytë e sezonit me Çmimin e Madh të Belgjikës. Ndonëse bëhet fjalë për periudhë pushimesh për pilotët, drejtuesit e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit kanë marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen, duke miratuar disa ndryshime në rregullore.

formula 1

Kështu udhëzimet e rregullores teknike do të hyjnë në fuqi në vitin 2026, që parashikojnë një rritje të fuqisë, që rrjedh nga komponenti elektrik dhe karburantet 100% të qëndrueshme.

Ndërsa njësitë e gjeneratës së re të energjisë do të përdorin motorë me djegie të brendshme V6, bazuar në katër pika thelbësore si performanca, qëndrueshmëria mjedisore dhe financiare, si dhe tërheqja e prodhuesve të rinj.

Njësitë e fuqisë në vitin 2026 do të kenë performancë të ngjashme me ato aktuale, duke përdorur motorë me djegie të brendshme V6, por të aftë për të prodhuar fuqi më të lartë dhe duke ulur diferencat e tepruara të performancës për të lejuar konkurrencë më të lartë.

Duke kaluar te qëndrueshmëria mjedisore, komponenti hibrid do të sigurojë 50% të fuqisë, ndërsa motori termik do të përdorë një lëndë djegëse sintetike, 100% të qëndrueshme.

Ndërkohë, kufizimet financiare do të ulin kostot e pjesëmarrësve, pa penalizuar rolin qendror të Formulës 1 në kulmin e teknologjisë.

Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit u bën thirrje prodhuesve të rinj duke u mundësuar atyre hyrjen në F1.

Rregullorja e re është miratuar pas një konsultimi dhe bashkëpunimi midis prodhuesve aktualë të makinave në Formulën 1, si dhe atyre që kanë shfaqur interes për të hyrë në të ardhmen në kategorinë më të lartë të automobilizmit.

PANORAMASPORT.AL