Gati për derbi, sulmuesi i Lushnjes: Duam fitore të padiskutueshme, shpresoj të shënoj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2020 | 15:26

Gati për derbi, sulmuesi i Lushnjes: Duam fitore të padiskutueshme, shpresoj të shënoj

Lushnja ka rikuperuar Klejdi Branicën për derbin me Apoloninë, ku ka 3 mungesa me peshë, që janë Canka, Mezini dhe Baze. Sulmuesi 28-vjeçar, Branica, shprehet: “Jam gati, nuk kam më asnjë shqetësim. Ekipi është përgatitur për fitore të padiskutueshme dhe besoj se do të bëjmë një lojë të mirë. Edhe pse vij pas një dëmtimi, kam besim te vejta dhe shpresoj të shënoj”.
Branica-1
Lushnjarët janë stërvitur në orën 17:30, kur luhet ndeshja e nesërme, ku qëllimi është që ata të ruajnë vendin e dytë, që të çon në ndeshjet shtesë. Një nga titullarët më me përvojë të Lushnjës, Arbër Mone, thekson: “E dimë që është një ndeshje e rëndësishme, ku vetëm fitorja na mban në vend të dytë. Ndeshjet i shikojmë sipas radhës dhe jemi përqendruar te derbi, ku ekipi do të shprehet në maksimumin e mundshëm. Kemi mungesa, por ka shumë motiv dhe shumë atmosferë. Këtë herë besojmë se gjykimi do të jetë korrekt dhe rezultati të dalë nga fusha. Me gjykim të drejtë, Lushnja e fiton derbin, jam i bindur”.

Lushnja pritet të luajë me këtë formacion: në portë Haremi, në mbrojtje Ruço, Nako, Musaku dhe Mone, në mesfushë Magani, Gava, Taullahu dhe Sulkja, dhe në sulm Ervis Gjyla dhe Branica.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"