Gati pas 4 javësh, Canka: Më në fund u rikuperova! Me Turbinën është si finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 11, 2022 | 22:08

Gati pas 4 javësh, Canka: Më në fund u rikuperova! Me Turbinën është si finale

Ka më në fund lajme të mira për Lushnjën. Mikel Canka është rikuperuar dhe do të rikthehet në fushë pas 4 ndeshjesh. 35-vjeçari u dëmtua kundër Tomorit dhe humbi Butrintin, Besën, Besëlidhjen dhe Bylisin. Sulmuesi mungoi afërsisht një muaj, por tashmë është rikuperuar dhe do të jetë një forcë më shumë për ofensivën.

canka

Ai edhe dje është stërvitur me grupin, ashtu si mbrojtësi Arbër Mone. Që të dy do të jenë në dispozicion të stafit teknik për Turbinën, përballje që luhet nesër në transfertë. E megjithatë, mungesat janë të pashmangshme për formacionin e Agim Canajt. Nuk janë pak, por tre lojtarë që kanë probleme fizike.

Mbrojtësi Igli Moqi dhe mesfushorët Xhonatan Lajthia dhe Ledjon Xhymerti kanë punuar të diferencuar në seancën e së enjtes dhe ka pak shanse që të riaftësohen për javën e 23- të. Gjithsesi, fjala e fundit do të jepet sot. Nëse ndonjëri do të japë sinjale të mira, mund të udhëtojë drejt Cërrikut.

CANKA

Mikel Canka ndihet 100% në formë, ndonëse lutet që të mos ndiejë dhimbje ditën e ndeshjes. Në një prononcim për “Panorama Sport”, sulmuesi tregon se prej së hënës u është bashkuar shokëve dhe ka marrë ngarkesa. Këtë 90-minutësh e quan të rëndësishëm për misionin “mbijetesë” dhe paralajmëron se po e trajtojnë njësoj sikur të luanin me Bylisin.

“Kam filluar stërvitjen me ekipin që në nisje të kësaj jave. Shpresoj që të mos ndiej dhimbje ditën e ndeshjes. Do të jem në 100%- shin tim, pasi ndihem në formë. Turbina ka marrë vlerësimin tonë maksimal. Jemi të motivuar njësoj sikur ishim para përballjes me Bylisit kryesues. Është si finale për ne, ashtu si do të jenë edhe 7 të tjerat në fakt. Do të bëjmë detyrën. Do të marrim atë rezultat që do të na largojë edhe më shumë nga katërshja e fundit.

Ka ende ndeshje në vazhdimësi, por kjo është e drejtpërdrejtë me vendin e 13-të. Kuptohet, pikët kanë shumë vlerë dhe janë të çmuara”, përfundoi sulmuesi, që pret të parën fitore jashtë fushe. Kujtojmë që në 11 ndeshje të luajtura në transfertë, verdhejeshilët ende nuk e kanë bërë sefte. Maksimumi kanë shijuar 3 barazime, pasi 8 të tjerat janë mundur.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"