Gati “lista e zezë”, tek Milani përgatisin valixhet e largimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2018 | 20:53

Gati “lista e zezë”, tek Milani përgatisin valixhet e largimit

Ndoshta nuk do të ketë revolucione, por te Milani këtë verë pritet një “katarsis”, në lidhje me lojtarët që nuk kanë pasur shumë minutazh gjatë sezonit që do të mbyllet të dielën me ndeshjen ndaj Fiorentinës. Përveç kategorisë së sipërpërmendur, mund të ketë edhe largime luksoze, si ai i përfolur për Donarumën, por edhe oferta të “turpshme” për ndonjë nga xhevahiret e Gatuzos.

AC Milan v HNK Rijeka - UEFA Europa League

OFERTAT – Ardhja e Pepe Reinës mund të jetë preludi i largimit të Donarumës. Xhixho ka shumë që e admirojnë dhe një çek prej 60- 70 milionë eurosh do të mbyllte përfundimisht çështjen e shitjes së tij. Plusvalenca e realizuar në një rast të tillë do të ishte masive, me Milanin që vështirë se do të mund t’i rezistonte tundimit. I njëjti diskutim vlen për Xhakomo Bonaventurën. Mesfushori duket se është një kërkesë eksplicite e Masimiliano Alegrit që e dëshiron te Juventusi. Edhe në këtë rast, përballë një ofertë prej 25-30 milionë eurosh, rezistenca kuqezi mund të kapitullonte më shpejt se sa mund të imagjinohet. Edhe Suso është në një situatë të ngjashme, me klauzolën 40 milionë eurosh, që tashmë është brenda mundësisë të çdo klubi të madh që do të dëshironte spanjollin.

TË TJERËT- Injacio Abata dhe Rikardo Montolivo në kampionatin e ardhshëm hyjnë në vitin e kontratave të tyre me Milanin. Përdorimi i pakët në sezonin aktual dhe mosha i “detyron” që ndoshta ta largohen gjatë verës. Përvoja e tyre mund t’i hyjë ende në punë ndonjë ekipi, teksa pagat e tyre do të ishin një tjetër lehtësim për arkat kuqezi. Edhe Luka Antoneli përflitet për nja largim, ndërsa Gustavo Gomez e ka të sigurt daljen përfundimtare nga kangjellat e “Milanellos” me destinacion Argjentinën. Disi më ndryshe situata e Kristian Zapatës, i cili mund të joshet nga ndonjë klub (Arsenali interesohet) që t’i garantojë 2.5 milionë eurot vjetore që merr aktualisht te Milani. Për Andre Silvën dhe Nikola Kaliniçin mundësitë e largimit gjithashtu nuk janë të vogla. Asnjëri syresh nuk ka arritur të shpërblejë investimin dhe Milani do të mirëpriste çdo ofertë në drejtim të tyre, me kusht që të respektohen parametrat me të cilët secili u afrua një verë më parë.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"