Gati largimet nga Vllaznia, nga Petroviç te Nimani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2011 | 7:58

Gati largimet nga Vllaznia, nga Petroviç te Nimani

Katër nga lojtarët e ekipit shkodran pritet që të largohen në janar. I pari mësohet se është qendërmbrojtësi malazez, Gavrillo Petroviç, i ardhur në ditën e fundit të merkatos së verës. Shtatlarti nuk e ka justifikuar besimin e stafit teknik gjatë fazës së parë, ndërkohë që pagesa e tij është e majme. Petroviç erdhi te Vllaznia për të zëvendësuar bashkëkombësin e tij, Bllazho Rajoviç, i cili la përshtypje të jashtëzakonshme gjatë aktivizimit me kuqeblutë. Mirëpo, Petroviç, përveç një goli të bukur në sfidën ndaj Tiranës, nuk bëri asgjë më shumë, teksa u shqua më tepër për vendosjet e gabuara në mbrojtje. Përveç malazezit në mbrojtje, pritet që të jenë jashtë planeve të trajnerit Rudi Vata për fazën e dytë edhe Sadush Danaj e Valdano Nimani. Mbrojtësi lezhjan dhe mesfushori shkodran kanë gjetur pak hapësira, duke mos e bindur numrin një të pankinës për të qenë titullarë. Nimani mësohet se ka disa oferta nga klubet të Superiores, por edhe nga Luftëtari i Kategorisë së Parë. Paga e tij te Vllaznia është e kënaqshme dhe lojtari nuk është se ka dëshirë të lëvizë. Gjithsesi, gjasat më të mëdha janë që të transferohet në një klub të Superiores. Por, te Vllaznia rrezikon të largohet edhe malazezi tjetër Braçan Popoviç. Ashtu si Petroviç, edhe Popoviç nuk ka bërë diferencën në mbrojtje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"