“Gati ‘kurthi’ me… lushnjarët”, Arbri i “trembet” vetëm Ilir Gjylës: Kemi 60% shanse

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2020 | 21:31


“Gati ‘kurthi’ me… lushnjarët”, Arbri i “trembet” vetëm Ilir Gjylës: Kemi 60% shanse

Ka luajtur dhe shkëlqyer sa në Berat aq edhe në Lushnjë, ndaj askush më mirë se Klodian Arbri nuk mund të na e “skanojë” derbin e së shtunës. Ndihet i lidhur me të dyja skuadrat, por këtë herë tifo bën sigurisht për ekipin e qytetit të tij.

Klodian Arbri

Ish-sulmuesi i shquar beratas, aktualisht trajner i Tomorit U17, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” evidenton pikat e forta dhe të dobëta të secilës. Mendon se skuadra e Bledar Sinellës ka më shumë shanse për të fituar, por në anën tjetër i druhet ambicies së Ilir Gjylës.

Rikthehet pas dy sezonesh mungesë Tomori-Lushnja, çfarë ndjesie i jep Arbrit ky derbi?

Nuk mund ta fsheh, pasi kjo ndeshje derbi më ngjall shumë emocione. Në mes është sa historia dhe miqësia e fortë mes dy qyteteve.

Personalisht ruaj kujtime të bukura, sepse kam luajtur me fanellën e të dyja skuadrave dhe kam shënuar gola në portat respektive si një futbollist profesionist. Lushnja është skuadra ime e dytë e zemrës pas Tomorit.

Do të guxonit të na bënit një parashikim?

Është vetëm java e tretë dhe është disi e vështirë për të dalë në konkluzione. Gjithsesi, shoh që Lushnja e ka nisur mirë, edhe pse me një skuadër të re dhe me investime modeste.

Ka një trajner shumë ambicioz dhe me grintë si Ilir Gjyla, që di shumë mirë të motivojë të rinjtë vendës me perspektivë. Për Tomorin dihet pastaj, vjen me pretendime në këtë kampionat.

Ka investuar shumë dhe drejtohet nga një trajner që së bashku me skuadrën meriton të shpërblehen me ngjitjen. Pavarësisht se në lojë janë të tria rezultatet, mendoj se 60% shanse për t’ia dalë ka Tomori. Kjo, vetëm për shkak të cilësisë dhe eksperiencës së futbollistëve beratas.

A është një “bonus” për Tomorin prania e 6 ishlojtarëve lushnjarë në organikën e Tomorit?

Lushnjarët që luajnë për Tomorin janë vërtet një forcë e madhe në këtë ndeshje. Unë i njoh personalisht dhe i çmoj shumë si futbollistë. Veç talentit që kanë, dinë të sillen edhe si profesionistë në fushë dhe jashtë saj.

Keni marrë drejtimin e U17, çfarë pretendimesh keni?

Klubi më ngarkoi të drejtoj U-17 të Tomorit dhe jam i lumtur, pasi kam një grup të talentuar dhe me shumë perspektivë. Skuadra që unë drejtoj do të tentojë ngjitjen në Superiore për këtë grupmoshë.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/