Gati 400 milionë lekë për Lushnjën, trajneri Hasalla: Do ta mundim Orikun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 21, 2022 | 11:15

Gati 400 milionë lekë për Lushnjën, trajneri Hasalla: Do ta mundim Orikun

Bashkia Lushnjë po bëhet gati që të miratojë buxhetin për vitin 2023. Në mbledhjen e sotme të këshillit është parashikuar që të diskutohet edhe fondi për futbollin verdhejeshil. Në programin “sport dhe argëtim futbolli”, është edhe pika “subvencion klubi futbollit në vlerën e 40,000,000 lekë” (të rinj)”. Është një shumë që i kalon KF “Lushnja 1930” sh.a., në formë subvencionimi.

LUSHNJA

Me konfirmimin e kryetares Eriselda Sefa, që është edhe presidente e klubit, ky subvencionim pritet të kalojë bashkë me buxhetin vjetor të bashkisë.

Projektvendimi u është dhënë anëtarëve të Këshillit Bashkiak dhe do të shqyrtohet kjo shifër që është e njëjta thuajse çdo vit, pa përfshirë sekondaret.

Me të ardhurat e vetë klubit, shifra shkon mbi 500 milionë lekë të vjetër. Kujtojmë që për 2022-shin buxheti që kishte Lushnja ishte plot 575 milionë lekë të vjetër.

NDESHJA – Lushnja do të luajë sot pas mesditës ndeshjen e javës së 12-të të kampionatit, që do të jetë edhe e fundit për vitin 2022.

Do të presin Orikun në stadiumin “Roza Haxhiu” dhe e shikojnë si një mundësi për t’u rikthyer te fitorja, që u mungon prej katër javësh.

Blerim Hasalla beson se kthesa do të vijë ndaj këtij kundërshtari dhe këtë e pohon në deklaratën e dhënë enkas për gazetën: “Ekipi është përgatitur mirë. Kemi pasur kohën që ta përgatisim sfidën. Jemi stërvitur pa pushim edhe gjatë fundjavës. E vlerësojmë skuadrën e Orikumit. Ekipi është i motivuar dhe zbret nesër (sot) në fushë për të fituar. Është alternativa jonë e vetme. Një mundësi për ta mbyllur vitin me fitore, që na mungon gjatë. Një fitore që do ta kërkojmë sepse e kemi shumë të domosdoshme për gjendjen në tabelë. Vetëm me tri pikë ngjitemi dhe u afrohemi rivalëve”.

ALBAN ALUSHI = PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"