Gashi: Në Champions dua Realin e Madridit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2014 | 12:14

Gashi: Në Champions dua Realin e Madridit

GashiJanë të paktë lojtarët që, pasi firmosin me një klub sikurse është Bazeli në Zvicër, përsëri nuk tregojnë shenja entuziazmi. I tillë është Shkëlzen Gashi, që vijon të theksojë se kalimi nga Grasshopersi te kampionët e Zvicrës nuk është ende ëndrra e tij më e madhe. “Jo, jo! Unë mbetem objekt i ëndrrave të mia dhe nuk kam mbërritur akoma atje ku duhet”, ka thënë mesfushori i Kombëtares shqiptare në një prononcim për mediat helvete (bzbasel.ch). Gashi kaloi para pak ditësh te kjo skuadër, duke firmosur një kontratë nga e cila së bashku me bonuset mund të përfitojë deri në 1 milion euro në sezon. Gjithsesi, ai kërkon edhe më shumë se sa kaq. “Duhet ta pranoj se kam kaluar dy sezone shumë të mira te Grasshopersi, por kisha shumë nevojë për stimuj të tjerë. Kisha nevojë të motivohesha ndryshe, ndaj kërkova medoemos që të shkoja në një skuadër më të mirë. Çdo lojtar kërkon të luajë në Champions League, pasi ajo është arena më madhështore e futbollit, ndaj dhe pranova ofertën e Bazelit, përkundrejt skuadrave të tjera jashtë Zvicrës”, vijon Gashi. Dhe, duke mbetur paksa te Kupa e Kampioneve, vetë lojtari zbulon një dëshirë për edicionin e radhës: “Ëndërroj që të jemi në grup me Realin e Madridit. Përse? Sepse është një nga skuadrat e mia më të preferuara”. Sot ai është 25 vjeç, por talentin e pat shfaqur që 18 vjeç, kur luante për Zyrihun. “Në fillim nuk e mora shumë seriozisht talentin që disponoja, por më pas nisa të punoja shumë në stërvitje për të arritur këtu ku jam sot”. Pas aventurës të Zyrihut, Gashit iu ofrua një mundësi për të luajtur si titullar mes profesionistëve tek Arau, aty ku gjeti trajnerin René Veiler. “Ai e dinte se ku mund të jepja maksimumin, ndaj më duhet ta pranoj se jam këtu edhe falë atij”, ka thënë Gashi për ish-teknikun. Më pas ai kaloi te Grasshopersi, ku shpërtheu me golat e tij, aq sa edicionin e fundit ishte “Këpuca e Artë” në kampionatin helvet me 19 gola. Megjithatë, mediat afër klubit të Bazelit e paralajmërojnë që të jetë më i përulur dhe të mos krijojë problematikë me tifozët, sikundër pat bërë kohë më parë bullgari Mladen Petriç. “Si futbollist, unë e kuptoj se jam një person publik dhe se për mua do të flitet sa pozitivisht dhe ndonjëherë edhe negativisht. Por detyra ime është që të bëj më të mirën e mundshme, pavarësisht opinioneve që mund të kenë tifozët”, përfundoi Shkëlzen Gashi.
LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"