Garon për skuadrën e Shumakerit, shqiptari Zendeli rekord në Formula 4

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2018 | 18:45

Garon për skuadrën e Shumakerit, shqiptari Zendeli rekord në Formula 4

Sezoni në Formula 4 përfundoi në mënyrën më të mirë për pilotin shqiptar nga Maqedonia, Lirim Zendeli. Djaloshi 18-vjeçar, edhe pse e kishte siguruar titullin kampion, gjashtë javë para përfundimit të kampionatit arriti të triumfojë edhe në garën e fundit, duke regjistruar një rekord në aspektin personal dhe gjithashtu për skuadrën e tij “US Racing – CHRS”, skuadër e cila drejtohet nga vëllai i Mikael Shumakerit, Ralf Shumaker. Suksesi i arritur të dielën ishte i 10-ti në 20 gara gjithsej që ka kampionati.

lirim zendeli

Edhe pse Zendeli e startoi garën nga vendi i tetë, ai arriti t’i kalojë të gjithë kundërshtarët e tij dhe e preu i pari i vijën e finishit, duke e mbyllur kampionatin në mënyrë të shkëlqyer. Lirim Zendeli ka lindur në Gjermani, por vjen nga një familje shqiptare e emigruar nga Shkupi. Ka qenë vetë legjenda e Formula 1, Mikael Shumaker, ai që e ka zbuluar talentin shqiptar disa vite më parë kur ishte në një moshë shumë të vogël dhe garonte në garat kart.

Pasi fitoi garën e dhjetë, Lirim Zendeli ishte shumë i lumtur me rezultatin e arritur në Formula 4, dhe për mediat u shpreh kështu: “Kjo ishte një mbyllje perfekte e sezonit, pasi arrita të triumfoj në garën e dhjetë, duke fituar gjysmën e garave të zhvilluara për këtë sezon. Jam shumë i gëzuar, pasi me rezultatet e mia ndihmova edhe skuadrën, duke realizuar objektivin për të dalë kampion edhe në rang ekipor”, deklaroi 18-vjeçari me origjinë shqiptare.

Skuadra “US Racing – CHRS” regjistroi një sukses të trefishtë në kampionat, pasi fitoi titullin e konstruktorëve, triumfoi në renditjen e përgjithshme të pilotëve me Zendelin dhe mori një tjetër sukses me David Shumakerin, i cili u zgjodh piloti më i mirë debutues. Ish-piloti i Formula 1, Ralf Shumaker, i cili është aktualisht trajneri i Lirim Zendelit e vlerësoi paraqitjen e bërë nga djaloshi shqiptar në këtë sezon, duke e komentuar kështu: “Lirimi është në vitin e tij të tretë këtu dhe ka arritur të bëjë një sezon të shkëlqyer, duke fituar titullin. Është përgjigjur shumë pozitivisht në situatat e vështira që të ofron gara, duke mos gabuar asnjëherë”, deklaroi Ralf Shumaker.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"