“Garë treshe për ngjitjen në Superiore”, trajneri i Korabit: E vështirë ndaj Dinamos, ja kërkesa ime për lojtarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2021 | 10:22

“Garë treshe për ngjitjen në Superiore”, trajneri i Korabit: E vështirë ndaj Dinamos, ja kërkesa ime për lojtarët

Korabi është gati për “sprintin” final. Skuadra ka udhëtuar që dje në Peshkopi dhe pasi është akomoduar në rezidencën e vet, direkt ka zbritur në fushë për të kryer të fundit stërvitje. Faza e tretë nis pikërisht sot dhe përballë do të kenë Dinamon, kundërshtar që e mundën dy javë më parë. Dibranët e kanë të qartë se ndeshja nuk i ngjan ndeshjes, ndaj i kanë marrë që të gjitha masat për t’u bërë “bllokadë” kryeqytetasve.

CANAJ

 

Të besuarit e Agim Canajt nuk kanë në plan që ta lëshojnë vendin e dytë, ndaj zgjidhja është vetëm një: të mposhtin blutë. Trajneri parashikon një fazë më shumë se interesante, ku tri ekipe do të diskutojnë ngjitjen në elitë. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, tekniku vlonjat pret që skuadra të luajë lirshëm dhe e përqendruar. “Kampionati ka hyrë në një fazë interesante. Luajmë në zonën ‘play off’ dhe jemi tri ekipe që luftojmë për ngjitjen në elitë. Gara sa vjen e vështirësohet. Gabimet janë praktikisht të ndaluara, ndaj duhet kujdes maksimal.

E kemi vlerësuar shumë kundërshtaren tonë të radhës, Dinamon. Nuk do të jetë një përballje e lehtë, ndonëse u kemi marrë fitoren para dy javësh. Ndeshja nuk i ngjan ndeshjes. U kam kërkuar lojtarëve të japin më të mirën në fushë për të arritur objektivin. Rezultatin le t’ia lëmë fushës, ndonëse ne do të futemi me idenë për të marrë maksimumin”, thotë trajneri Canaj.

FATMIR ZHUZHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"