“Garë më emocionuese se elita”, portieri Ruçi: Ky sezon do të vuloset nga marka “Skënderbeu”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2022 | 21:11

“Garë më emocionuese se elita”, portieri Ruçi: Ky sezon do të vuloset nga marka “Skënderbeu”

Kampionatin nuk e kanë nisur fort mirë, por në Korçë janë të bindur se ky sezon do të jetë i vulosur nën markën “Skënderbeu”. Një gjë të tillë e thotë portieri Shkëlzen Ruçi, i cili bëri heroin në ndeshjen e fundit kundër Dinamos. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, 30- vjeçari vlerëson maksimalisht kundërshtarët në një kampionat, që sipas tij do të jetë më i fortë dhe më i luftuar se vetë Superiorja.

SHKELZEN RUCI

Por nga ana tjetër, nuk ka pikën e dyshimit se bardhekuqtë do të jenë ekipi që në fund do të vendosë duart te titulli kampion dhe të sigurojë ngjitjen direkt në elitën e futbollit.

Një sezon i ri dhe në një tjetër kategori. Çfarë impakti ju ka dhënë në këto ndeshje të para?

Të jem i sinqertë, e njoh këtë kategori. Kam luajtur para shumë vitesh, në fillimet e karrierës sime me Elbasanin. Nuk duhet nënvlerësuar, sidomos në këtë sezon që ka shumë emra të mëdhenj të futbollit shqiptar. Sigurisht që nuk ka vëmendjen e Superiores dhe kualitetin e saj maksimal, por këtë rikthim e gjej ndryshe. Jo vetëm për formatin, por edhe prej pjesëmarrësve.

Vetëm dy pikë në dy javë. Ju mërzit ky start?

Natyrisht, mund dhe duhej të bënim më mirë. Por është vetëm fillimi i sezonit. Ekipi vjen nga një fazë përgatitore intensive dhe kjo kërkon kohën e saj. Nga ana tjetër, ekipet me të cilat jemi përballur nuk janë të lehta për t’u kaluar, do t’u hapin probleme edhe rivalëve të tjerë. Një start i tillë nuk na kënaq, pasi ambiciet tona janë maksimale. Por, nuk mund ta trajtojmë si dramë. Rezultatet do të vijnë.

Çfarë i ka munguar Skënderbeut në këto 180 minuta?

Nuk do të thosha se Skënderbeut i ka munguar diçka. Thelbi i lojës dhe filozofia e trajnerit është implementuar dhe e kemi kuptuar mjaft qartë se çfarë mentaliteti duhet të kemi në fushë. Presim që ekipi të arrijë formën maksimale në mënyrë që edhe komandat në sulm të funksionojnë më mirë. Lojtarët e këtij reparti duan më tepër kohë se të tjerët për t’u lidhur me njëri-tjetrin, pasi nuk kanë shumë që punojnë bashkë.

Dy transferta në dy javët e ardhshme. Ia del Skënderbeu?

Skënderbeu e ka të qartë synimin final. Për të arritur atje, çdo ndeshje trajtohet si me e rëndësishmja. Në fund pikët vlejnë njëlloj, pavarësisht kundër kujt fitove. Nuk ka diferenca për ndeshjet në Korçë me ato në transfertë. Impenjimi është kurdoherë serioz, edhe pse është ndryshe të luash pa përkrahjen e publikut, i cili në Korçë është ndryshe nga qytetet e tjera. Por u detyrohemi t’ua kthejmë respektin dhe mbështetjen edhe kur luajmë në transfertë.

A është i arritshëm objektivi final dhe kë shihni si rival kryesor?

Duket klishe nëse them se të gjitha ekipet janë të forta dhe luajnë seriozisht shanset e tyre. E përsëris, kjo kategori është forcuar shumë. Në të militojnë ekipe të nivelit të lartë që kanë bërë historinë e futbollit shqiptar ndër vite. Thuajse të gjitha ekipet kanë bërë merkato serioze.

Infrastruktura dhe profesionalizmi janë në tjetër nivel, krahasuar me vitet e shkuara. Do të shihni një garë shumë interesante këtë edicion. Mbase më emocionuese se Superiorja. Gjithsesi, në fund është Skënderbeu ekipi që do të kolaudojë me trofe. Ky qytet meriton vetëm respekt dhe dinjitet. Do të përpiqemi të justifikojmë besimin e presidencës dhe suportin e sportdashësve.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"