Garë jubilare, Ferrari shpreson te kthesa në eventin e shtëpisë/ Lëklerk: Në Monza për të fituar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2022 | 22:51

Garë jubilare, Ferrari shpreson te kthesa në eventin e shtëpisë/ Lëklerk: Në Monza për të fituar

Këtë të diel Formula 1 do ketë ndalesën e radhës në Monza, për Çmimin e Madh të Italisë. Ndonëse tashmë janë venitur tërësisht shpresat për një titull të mundshëm, si për pilotë ashtu edhe për konstruktorë, Ferrari vjen me ambicie në garën e shtëpisë.

00119019_694

“Kokëkuqja” kërkon të bëjë një paraqitje të mirë para publikut të saj, aq më tepër që bëhet fjalë edhe për një event jubilar, që shënon garën e 100-të Monzës. Sharl Lëklerk dhe Karloz Sainz kërkojnë suksesin, pas një gare me ulje dhe ngritje të dielën e kaluar në Holandë.

LËKLERK – Në konferencën tradicionale të prezantimit në prag të Çmimit të Madh të Italisë, Sharl Lëklerk, duke rikujtuar triumfin e tij të parë në Monza, u shpreh: “Fitorja në Monza është një kujtim që do ta mbaj mend për të gjithë jetën, por shpresoj që ta përsëris edhe këtë vit. Në 2019-ën, gjatë vitit tim të parë me Ferrarin, ishte diçka e pabesueshme të shihje kaq shumë njerëz poshtë podiumit. Një ndjesi e bukur dhe emocionuese, ku shikon një pasion kaq të madh”, deklaroi fillimisht Lëklerk, i cili më pas premtoi se do të japë gjithçka nga vetja për këtë garë:

“Nuk do të dorëzohemi në asnjë moment dhe do të luftojmë deri në fund. Garat e fundit kanë qenë më të vështirat. Nëse në Spa e prisnim, në Holandë ishim larg parashikimeve tona. Por tani le të mendojmë për Monzën, garë ku mund të ndodhë gjithçka, ashtu sikurse e kemi parë gjatë viteve të fundit. Shpresojmë që të rikthemi te fitorja. E dimë që do të jetë vështirë, por objektivi është të fitojmë, edhe pse në letër pista nuk është favorizuese për makinën tonë”, tha Lëklerk, i cili në fund u ndal te mbështetja e zjarrtë e publikut italian:

“Do të jetë një miksim mes ngjyrave të kuqe dhe të verdha dhe shpresojmë që të kemi atë tifozëri që kemi parë gjithmonë këtu në Monza. Me shtysën e tyre ndonjëherë ndodhin edhe mrekullitë”, përfundoi piloti monegask i Ferrarit.

SAINZ – Spanjolli kërkon të shohë përpara, duke i lënë pas krahëve zhgënjimet e fundit të Ferrarit: “Kthehemi në shtëpi pas disa garash të vështira dhe do të provojmë që të tregohemi përsëri konkurrues, duke punuar edhe te detajet më të vogla, të cilat mund të bëjnë diferencën. Jemi një skuadër e bashkuar dhe të gjithë duam që të bëjmë maksimumin për Ferrarin. Të gjithë e dinë se sa përgjegjësi ka.

Në Holandë gabuam në “pit-stop”, jo për faj të mekanikëve, por për një vonesë në thirrje. Këtu në Monza dua që tifozët mos të bëjnë tifo vetëm për mua dhe Lëklerkun, por gjithashtu edhe për të gjithë mekanikët, pasi janë ata që punojmë më shumë dhe e meritojnë”, deklaroi Karlos Sainz, i cili më tej shtoi:

“Duam të fitojmë dhe Monza është vendi perfekt për ta realizuar kthesën dhe për t’i dhënë motivimin të gjithë skuadrës. Nuk e imagjinoj se çfarë do të ndodhte këtu pas një fitoreje të Ferrarit, kështu që dua që të jetoj dhe shijoj këtë fundjavë”, përfundoi Karlos Sainz. Por për spanjollin nuk pritet të jetë një garë aspak e lehtë, pasi ai do ta nisë nga fundi për shkak se njëvendëshja e tij do të jetë me motor të ndërruar.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"