“Garë e pistë, të gjithë janë kundër nesh”, Tomori akuza për komplot

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 3, 2019 | 19:52

“Garë e pistë, të gjithë janë kundër nesh”, Tomori akuza për komplot

Tomori është një klub me emër të madh në futbollin shqiptar dhe kurrsesi nuk mund të pajtohet me faktin që sezonin e ardhshëm ta shohë veten në Kategorinë e Dytë. Ndonëse të gjithë rivalët e zonës “playout” i ka kundër, skuadra beratase do t’i rikthehet edhe një herë misionit për të siguruar qëndrimin në Kategorinë e Parë.

tomori

Pa asnjë aleat përkrahës, por me dëshirë, vullnet dhe forcë, lojtarët e këtij klubi premtojnë që do të japin më të mirën e tyre në këto 3 ndeshje që kanë ngelur, duke mos u “gdhendur” në pjesën e zezë të historisë. Tomori këtë fundjavë do të presë Elbasanin.

Një skuadër, e cila çuditërish po grumbullon më shumë pikë në  limitet e kampionatit sesa përgjatë gjithë ndeshjeve të këtij evenimenti. Në kampin beratas ka pasur një sërë aludimesh të shumta se verdheblutë po favorizohen dukshëm nga kundërshtarët.

KALOSHI

Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, portieri i Tomorit, Mikel Kaloshi, u shpreh: “Në ecurinë e skuadrës kanë ndikuar shumë faktorë që Tomori sot ndodhet në këto pozita. Duke nisur nga gabimet tona individuale, që më vonë u pasuan me dënimin e Disiplinës, gjykimin e arbitrave jokorrekt dhe tanimë garën e cenuar. Nuk e meritonim për asnjë mënyrë këtë gjendje.

mikel kaloshi

Megjithatë, ne kemi besim të plotë se do të mbijetojmë dhe do t’ua ‘ngrijmë’ buzëqeshjen keqbërësve. Pa diskutim që kthesa do të vijë menjëherë këtë të shtunë, ku të gjithë së bashku do të mposhtim një rival direkt për mbijetesë. Tomori është i vetmi klub që po luan ndershëm në këtë fazë të kampionatit. Kjo garë ka marrë një ‘ngjyrë’ të pistë, teksa të gjitha skuadrat i janë vënë kundër Tomorit dhe në ndeshjen ndaj nesh japin më shumë se maksimumin. Çuditesh pastaj kur po të njëjtat skuadra një javë më vonë nuk japin as 50% e tyre.

Megjithatë, vëmendja jonë është fokusuar tek Elbasani dhe ndaj tyre do të bëjmë autokritikën e artë. Kemi më shumë se kurrë nevojë për mbështetjen e tifozëve, pasi kjo ndeshje duhet fituar me patjetër. Nëse i fitojmë të gjitha ndeshjet, atëherë me të drejtë duhet t’i gëzohemi qëndrimit në Kategorinë e Parë”, u shpreh Kaloshi.

ERIS SYLYKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"