“Garë e padrejtë, Lushnja u dëmtua”, kapiteni Canka bën analizën e sezonit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2020 | 0:35

“Garë e padrejtë, Lushnja u dëmtua”, kapiteni Canka bën analizën e sezonit

Me humbjen në Po gradec, Lushnja e mbylli sezonin me 44 pikë, që nuk mjaftuan për Superioren, madje as për “play off”-in. Skuadra verdhejeshile e mbylli kampionatin në vend të tretë dhe për sezonin e tretë radhazi do të jetë pjesë e Kategorisë së Parë.

canka

CANKA – Për gazetën “Panorama Sport”, kapiteni Mikel Canka bën një analizë dhe thekson se në disa momente vendimtare gara nuk ishte në kushte të barabarta. “Lushnja ishte një ndër pretendentet për të kaluar në Kategorinë Superiore në një kampionat që ka qenë vazhdimisht një garë treshe mes nesh, Apolonisë dhe Pogradecit. Ishte një garë e fortë, në momente të caktuara edhe e pabarabartë, ku më e dëmtuar ka qenë skuadra jonë.

Me  humbjen në Pogradec ne mbyllëm gjithçka. Në fakt, u përgatitëm për tri ndeshje, ku secila prej tyre do të luhej si e fundit. Mendoj që skuadra ka dhënë maksimumin e mundësive të veta, edhe në Pogradec dhamë atë që mundeshim, por pësuam një gol që në fillim, që e ndryshoi rrjedhën e lojës dhe më pas nuk arritëm as te barazimi. Edhe pse bëmë shumë përpjekje, nuk patëm fat dhe mbetëm te traversa e Alushit. Ky është futbolli. I uroj Pogradecit suksese në ndeshjet shtesë”, është shprehur kapiteni Canka.

AMERIKA – E ARDHMJA – Sulmuesi 33-vjeçar thekson se dëshiron të jetë sërish pjesë e Lushnjës, edhe pse deri në fund të vitit do të jetë në Shqipëri. “Jam nën kontratë deri në fund të këtij muaji dhe kam dëshirë të rinovoj me Lushnjën. Lushnja ka pretenduar gjithnjë, por të shohim si do të organizohemi. Lotaria amerikane? Mendoj se do të jem këtu deri në fund të vitit, ende nuk është përcaktuar me saktësi.

Kontributi im te Lushnja besoj se do të jetë të paktën deri në fund të dhjetorit. Nuk do të ndahem nga Lushnja deri në minutën e fundit”, është shprehur kapiteni Canka. Sekretari i klubit lushnjar, Edison Koçi, tha për gazetën se po mendohet që tani për organizimin për sezonin e ri. “Futbollistët aktualë janë nën kontratë deri më 31 korrik, ndërsa po mendohet riorganizimi për sezonin e ri. Rrjetet sociale nuk përfaqësojnë klubin e Lushnjës dhe nuk kanë asnjë lidhje me ne”, tha Koçi.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"