“Garantoj më shumë gola, s’do të bëjmë të njëjtat gabime”, flet golashënuesi i skuadrës kavajase: I mësova “hilet”, këtë vit ngjitet Besa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2021 | 21:28

“Garantoj më shumë gola, s’do të bëjmë të njëjtat gabime”, flet golashënuesi i skuadrës kavajase: I mësova “hilet”, këtë vit ngjitet Besa

U largua pa u mbyllur ende kampionati, por nuk ka vend për panik. Kaina Nunjes do të rikthehet në Kavajë për të respektuar kontratën dhe dhënë kontributin e tij në misionin madhor: ngjitjen në elitë. Sulmuesi gjendet në Portugali momentalisht (ku edhe jeton me familjen) dhe me të marrë njoftimin e nisjes së përgatitjeve, do të presë biletën e avionit për të fluturuar në tokën shqiptare. Ai mund të quhet pa frikë zbulimi i verdhezinjve për sezonin e fundit. Edhe pse ishte i pari vit me Besën, ai u dallua mes të tjerëve dhe dëshmia më e mirë janë golat. Përtej dëmtimit që e ndali nga fundi, u shpall golashënuesi më i mirë i ekipit.

kaina

Nëse vjet e gjeti vetëm 7 herë rrjetën, këtë sezon paralajmëron shpërthimin. Në një prononcim të dhënë enkas për “Panorama Sport”, 24-vjeçari pohon se do të rikthehet më i pjekur. Braziliani shprehet se tashmë njeh në detaje çdo pikë të fortë e të dobët në futbollin shqiptar dhe kjo do t’i vijë ndjeshëm në ndihmë. “Ishte sezoni i parë që luaja në Shqipëri dhe ndryshe nga çfarë prisja, u përballa me një futboll të fortë. Primare mbetej lufta e ashpër sportive, ndaj m’u desh pak kohë që të përshtatesha.

Në ndeshjet e para e pata pak të vështirë, pasi markohesha shumë afër dhe shumë ashpër. Me kalimin e javëve u mësova me këtë mënyrë të luajturi dhe nisa të shënoja rregullisht. Kisha besim se do të qëndronim në krye të renditjes, por ndeshja me Lushnjën ishte ajo e tersit për ne”, tha fillimisht Kaina, që pret me padurim të kthehet te Besa. Këtë herë është më i bindur se kurrë, që jo vetëm do të vijojë të jetë golashënuesi më i mirë, por edhe për ngjitjen e Besës në Kategorinë Superiore.

“Po pres me padurim të kthehem te Besa, për të vijuar aty ku e lashë, te golat. Më gëzon fakti që mësova se do të luajmë në një grup nga Jugu në Veri dhe jo si ishim. Do të jetë një shans i artë për mua, që së bashku me futbollin të njoh dhe shijoj bukuritë e qyteteve të Shqipërisë. Kam bindjen dhe besimin se si gjithnjë, presidenti Bizhdili do të dijë të rindërtojë një Besë shumë herë më të fortë se sezoni i kaluar. Nuk do të përsërisim më gabimet që bëmë vjet”, përfundon Kaina.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"