“Galaktikët” e Realit, 17 lëvizje për t’i bërë vend francezit Mbape

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2021 | 22:34

“Galaktikët” e Realit, 17 lëvizje për t’i bërë vend francezit Mbape

Reali i Madridit kishte nevojë që të shkonte i pozicionuar mjaft mirë në sprintin final për Mbapenë dhe t’i bënte mirë detyrat në këtë muaj intensiv merkatoje. Florentino Perez urdhëroi të tijtë që të lironin disa miliona euro dhe ato që u mblodhën ishin afro 90 milionë, mes shitjeve dhe huazimeve.

1336913284.0

U përfol se ishte një plan rinovimi, por në të vërtetë bëhet fjalë për një plan që afronte Mbapenë me madrilenët. Terreni është shtruar, por për momentin mungon akordi mes palëve.

Në pritje të firmës (nëse do të vijë), janë bërë 17 lëvizje në merkato: dy afrimet (Alaba dhe Ançeloti), një largim (Ramos), tetë rinovime (Modriç, Vaskez, Naço, Karvahal, Kurtua, Valverde, Benzema, Kasemiro), dy transferime (Varan dhe Odegard) dhe katër huazime (Brahim Diaz, Kubo, Çust dhe Odriozola). Ishte pikërisht huazimi i këtij të fundit drejt Fiorentinës, lëvizja që Reali bëri për t’i hapur vend Mbapesë.

AFRIMET – Vera në Madrid nisi me zyrtarizimin e Karlo Ançelotit si trajner pas Zinedin Zidanit. Italiani mori drejtimin e skuadrës për herë të dytë, ku ka një punë të madhe për të bërë. Afrimi i vetëm i skuadrës “galaktike” është ai i mbrojtësit David Alaba. Klubi e afroi si lojtar të lirë nga Bajerni i Mynihut për të zëvendësuar Serxho Ramosin.

RINOVIMET – Puna më e madhe e kësaj merkatoje në Madrid kanë qenë rinovimet. Kasemiro ishte ai që mbylli ciklin pas disa muajsh me shumë bisedime, ku Reali siguroi vazhdimësinë për Modriçin (2022), Vaskezin (2024), Naçon (2023), Karvahalin (2025), Kurtuanë (2026), Benzemanë (2023), Valverden (2027). Tetë lojtarë, thuajse të gjithë nga garda e vjetër, kanë kaluar në zyrat e klubit për të firmosur.

SHITJET – Reali kishte nevojë që të mbushte arkat nga shitjet dhe klubi arriti që të arkëtonte 90 milionë euro me shitjet e Varanit dhe Odegardit. Problemi është se janë larguar dy futbollistë shumë të rëndësishëm, të cilët mund të ishin pjesë e skuadrës. Nga lista fillestare e të larguarve nuk u largua asnjë: Bejl, Joviç, Isko, Marselo dhe Mariano Diaz. Të gjithë janë pjesë e klubit.

HUAZIMET – Lëvizje të shumta janë bërë edhe në aspektin e huazimeve. Duhet të largoheshin shumë futbollistë për t’i bërë vend kampionit. Problemi është se për momentin nuk po gjejnë dot gjuhën e përbashkët me PSG-në për transferimin e Mbapesë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"