Gakpo, “magjistari” i Van Galit i cili po çmend Katarin/ Në prill kushtonte 14 milionë euro, ndërsa tani…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2022 | 0:04

Gakpo, “magjistari” i Van Galit i cili po çmend Katarin/ Në prill kushtonte 14 milionë euro, ndërsa tani…

Çdo Botëror shërben si një skenë perfekte për lojtarët që janë prapa kuintave, si dhe për bërë kapërcimin e madh në karrierë. Ndodhi me Hames Rodrigezin në 2014-ën dhe po ndodh sot në Katar me Kodi Gakponë.

GAPKO 2

Sulmuesi i PSV-së po rezulton lideri i “Tulipanëve”, i cili pasi shpërtheu në skuadrën e parë, e ndihmoi atë të siguronte biletën e 1/8-ave. Skuadra e Van Galit e bëri detyrën e saj pa shumë zhurmë: nuk humbi asnjë ndeshje, pësoi vetëm 1 gol dhe shënoi 5, tre prej të cilëve mbajnë firmën e 23-vjeçarit: kundër Ekuadorit shënoi me kokë, ndaj Senegalit me të majtën dhe ndaj Katarit me këmbën e djathtë.

YLL NË NGJITJE – Gakpo po përjeton një transformim të vërtetë, duke rritur edhe vlerën e kartonit të tij në mënyrë drastike. Marrëdhënia e tij e ngushë me portën edhe në Katar nuk është rastësi. Sepse këtë sezon ai ka shënuar 13 gola me PSVnë dhe dhënë 17 assite, duke marrë pjesë direkt në 30 gola (katër më shumë sesa Halandi).

GAKPO

NJË GARANCI GOLI – Mjeshtër në zonat ofensive ku shkel, ai mund të mbulojë disa role. Van Gal e ka identifikuar pozicionin e tij në këtë turne dhe po i merr më të mirën. Atij iu deshën vetëm 3 goditje për të shënuar tre golat e parë dhe pasi ka shënuar në çdo ndeshje të Holandës në këtë Botëror, 23- vjeçari ka një mesatare goli çdo 84 minuta.

NUMRI “10” – Është ai magjistari i skemës së trajnerit 71-vjeçar. Normalisht ai aktivizohet në krah të djathtë të sulmit, kur luan për klubin e PSVsë, por Van Gal e ka transformuar në një “10”, i cili ndaj Katarit operoi në gjithë gjerësinë e fushës në sulm. “Trajneri më tha se më sheh si një numër ’10’. Më tha se e sheh një pozicion të mirë dhe unë i thashë OK”, shpjegoi Gakpo, i cili ndihet komod duke mbuluar rolin e fantazistit.

E ARDHMJA – Verën e shkuar ai po përgatitej për të shoqëruar Ten Hagun në udhëtimin e tij nga Holanda drejt Mançesterit. Një mundësi që vetë Gakpo e pranon: “Isha pranë largimit. Fola me Ten Hagun disa herë, por në fund nuk mund të bëhej. Është një fatkeqësi, sepse sa i përket zhvillimit, Mançester Junajtid është një nga klubet më të mëdha. Ishin ditë shumë stresuese”.

KARTONI

Ai zgjodhi që të luajë për skuadrën nga Eindhoveni deri në fund të Botërorit. Por ajo që mund të ndodhë pas Katarit është një tjetër histori.

STATISTIKAT

“Nëse do të kem mundësinë për të shkuar në Premier Ligë apo në ndonjë kampionat tjetër si ai, atëherë do të ishte diçka që do ta merrja parasysh”. Dhe për të ofertat nuk do të mungojnë. Sepse ai është treguar i mençur dhe ka zgjedhur skenën më të madhe për të shfaqur talentin e tij.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"